Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Foto ilustruese nga LSA
KPK Lajme Veting

KPK ndëpret vetingun e prokurorit të akuzuar për shpërdorim detyre

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka vendosur më 17 shkurt të ndërpresë procesin e rivlerësimit ndaj prokurorit të Vlorës Maksim Sota, si dhe ti heqë të drejtën për rikthimin në sistemin e drejtësisë. Vendimi i KPK-së është bazuar në vendimarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për prokurorin Maksim Sota, për shkak të dorëheqjes së tij.

Ndërkohë, nuk pasqyrohet fakti se Maksim Sota është marrë i pandehur nga SPAK për shpërdorim detyre prej korrikut të vitit 2021, kur ai u ndalua gjatë operacionit ndërkombëtar antidrogë “Shpirti”.

Prokurori Maksim Sota ka qenë një nga kandidatët për në Prokurorinë e Posaçme, por u arrestua me urdhër të kësaj të fundit së bashku me zyrtarë të tjerë dhe dhjetëra trafikantë, mes tyre dhe pjesëtarë të grupit të shoqërimit të ish-Ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri. Ndaj Sotës u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

SPAK dërgoi për gjykim më 30 dhjetor 2021 çështjen në ngarkim të të pandehurve të ndaluar gjatë operacionit “Shpirti”, mes tyre dhe prokurorin Maksim Sota të akuzuar për shpërdorim detyre. Megjithatë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë më datë 14 janar 2022 ka pranuar kërkesën e Sotës për dorëheqjen nga detyra dhe ka deklaruar përfundimin e statusit të magjistratit të këtij subjekti rivlerëimi për këtë arsye.

Ky vendim i është përcjellë më 19 janar Komisionit, që ishte duke kryer hetimin administrativ ndaj Sotës që prej marsit të vitit 2019. Nga verifikimi i KPK-së ka rezultuar se Sota nuk e ka ankimuar vendimin për mbarimin e statusit të magjistratit dhe e ka thirrur subjektin në seancë dëgjimore. Sota është shprehur se nuk dëshiron ta ushtrojë këtë të drejtë dhe për për rrjedhojë KPK ka vendosur të ndëpresë procesin e vetingut ndaj tij, për shkak të dorëheqjes.

Gjithashtu, është vendosur dhe sanksioni i përcaktuar për raste të tilla në nenin G të Aneksit të Kushtetutës, që parashikon ndalimin e subjektit për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *