Gjyqtari Astrit Shema në seancën dëgjimore para KPK. Foto: LSA
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Kreu i Gjykatës Administrative të Vlorës shkarkohet nga detyra

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e gjyqtarit Astrit Shema për pasuri të pajustifikuara.

Gjyqtari Astrit Shema në seancën dëgjimore para KPK. Foto: LSA

Kryetari i Gjykatës Administrative të Vlorës, Astrit Shema u shkarkua nga detyra të premten për pasuri të pajustifikuar. Vendimi u shpall nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Suela Zhegu, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Xhensila Pine.

Në seancën dëgjimore para KPK-së, Shema u përball me akuza për deklarime kontradiktore dhe fshehje të llogarive të pagës së të birit dhe bashkëshortes. Analiza financiare e nxorri gjyqtarin Shema me mungesë burimesh prej 5.2 milionë lekësh.

Shema i kundërshtoi gjetjet e KPK. Ai tha se kishte bërë një ekspertizë të vetën financiare dhe se Komisioni nuk kishte marrë parasysh pagat e tij dhe të bashkëshortes. Ai po ashtu kundërshtoi llogaritë e shpenzimeve edhe pse iu vu në dukje nga relatorja se ato ishin marrë siç ishin deklaruar prej tij në pyetësor.  Shema tha se një nga personat e cilësuar të lidhur me të cilin ai nuk kishte kontakte i kishte kthyer përgjigje përmes një të treti se “Nuk i interesonte nëse e shkarkonin nga puna” dhe se nuk do i përgjigjej pyetjeve të Komisionit.

Shema ka filluar punë në sistemin e drejtësisë që prej mesit të viteve 90’, si gjyqtar e drejtues Gjykate në Përmet dhe më pas në Gjirokastër e prej vitit 2013 si Kryetar i Gjykatës Administrative të Vlorës.

Ai u hetua vetëm për kriterin e pasurisë, ndërsa kërkesat e tij për të rihapur hetimet për dy kriteret e tjera u rrëzuan nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *