Këshilltari ligjor, Roland Agolli pas seancës në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Ndihmësi ligjor, Roland Agolli përballet me vetingun

Ndihmësi ligjor pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Roland Agolli u përball të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore ai dha shpjegime të përmbledhura për barrat e provës që i janë kaluar për pasurinë. Ndërkohë, ai mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmit.

Procesi i vetingut për Agollin po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Roland Agolli ka punuar si ndihmës gjyqtar në Gjykatën e Durrësit gjatë viteve 1996-2000. Për periudhën 2000-2005 ka punuar si jurist në një subjekt privat. Në vijim ka punuar pranë Hekurudhës Shqiptare, në njësinë administrative Sukth të Durrësit dhe si avokat. Në vitin 2015, ai është emëruar si ndihmës ligjor dhe aktualisht e ushtron detyrën në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Relatorja Shuli tha se nuk janë gjetur probleme në pjesën takuese të subjektit mbi tre ngastra tokë të fituara bazuar në ligjin “Për tokën”. Në vijim ajo evidentoi pamundësi për blerjen e tre apartamenteve të blerë në vitet 1994, 2005 dhe 2007, një në një fshat të zonën së Sukthit dhe dy në Durrës, si dhe për një automjet të blerë në 2003-in – pasuri të krijuara para fillimit të detyrës si ndihmës ligjor.

Për një prej apartamenteve u evidentua se subjekti kishte deklaruar çmimin e blerjes 4 milion lekë, ndërsa në kontratë shënohetj 1.8 milionë lekë. Subjekti ka deklaruar para Komisionit se e ka konstatuar këtë fakt kur është regjistruar pasuria, pasi gjatë nënshkrimit të kontratës nuk i ka dhënë rëndësi. Shuli tha se duket që çmimi më i ulët në kontratë të jetë vendosur për të favorizuar palën shitëse, lidhur me pagesën e detyrimeve tatimore.

Komisioni nuk ka përfshirë në analizën financiare vlerën e deklaruar nga subjekti se janë fituar nga të ardhurat nga avokatia në shumën 7.2 milionë lekë, por i ka përllogaritur sipas legjislacionit të kohës.

Nga analiza financiare paraprake e kryer për periudhën para fillimit të detyrës, ka rezultuar bilanc negativ total në vlerën rreth 6 milionë lekë. Prej vitit 2015, kur është emëruar si ndihmës ligjor, bilanci negativ ka rezultuar në shumën 45 mijë lekë.

Relatorja Shuli vërejti se subjekti nuk ka paraqitur parashtrime kundrejt gjetjeve që i janë komunikuar, si dhe nuk ka dorëzuar prova shtesë. Ai i ka komunikuar Komisionit se është dakord me konstatimet.

Edhe gjatë seancës dëgjimore, Agolli deklaroi se nuk ka pasur prova të reja dhe për këtë arsye nuk ka paraqitur parashtime. “Kam deklaruar gjithçka”, pohoi subjekti.

Ai shpjegoi se në vitin 2000, për shkak të një reforme, ishte nxjerrë në rrugë, edhe pse kishte dhënë vendime të rënda. Subjekti tha se në ato kushte duhej të bnante familjen dhe është detyruar të kryejë punët që gjente.

Agolli pohoi se në vitin 2000 kishte filluar punë pranë një shoqërie, që veç pagës, ishin dakordësuar t’i jepte një apartament për koston e ndërtimit. Ai sqaroi se kjo marrëveshje ishte prishur dhe se shoqëria kishte kryer dy pagesa për një apartament tjetër nga ai i dakordësuar. Agolli deklaroi se ky apartament ishte e vetmja shtëpi që ka, veç asaj në fshat që i është dhuruar nga nëna dhe motra. Sipas subjektit, është kryer kalimi me kontratë shitje për lehtësi.

Në përfundim, ndihmësi ligjor Roland Agolli nënvizoi se pasi e kishin larguar nga puna e ndihmës gjyqtarit kishin jetuar me atë që kishin mundur. “Nuk ka gjetje të padrejta në raport”, pohoi ai dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Komisioni njoftoi se vendimi do të shpalleyt më datë 9 tetor, në orën 09:45.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *