Këshilltarja ligjore, Albana Palaj gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Ndihmësja ligjore, Albana Palaj jep shpjegime për burimet e pasurisë

Ndihmësja ligjore pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Albana Palaj u përball të mërkurën më 24 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur dha shpjegime për bilance negative të konstatuara për periudhën përpara fillimit të detyrës. Ajo mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, si dhe nuk u evidentuan probleme për profesionalizmin.

Procesi i vetingut për Palajn po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Alma Faskjan dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Chiardi.

Relatorja Faskaj evidentoi pamundësi financiare të subjektit për blerjen e një automjeti në Itali në vitin 2006, për çmimin 5000 Euro, para se ajo të ushtronte detyrën.

Ndërkohë, bashkëshorti është gjetur në pamundësi për blerjen e një apartamenti në Shkodër në vitin 1996 për çmimin 650 mijë lekë. Kjo pasuri është blerë nga bashkëshorti i subjektit para fillimit të detyrës dhe para lidhjes së martesës. Si burime janë deklaruar të ardhurat nga puna në emigracion në Greqi, por nuk është vendosur në dispozicion dokumentacion ligjor provues.

Bashkëshortët Palaj kanë rezultuar po ashtu në pamundësi dhe për blerjen e një toke dhe ndërtimit e një objekti tre katësh, në Bërdicë të Sipërme në Shkodër. Toka rezulton të jetë blerë në vitin 2002 për 100 mijë lekë, ndërsa për ndërtimin e objektit në vitet e mëvonshme është deklaruar se janë shpenzuar 15 milionë lekë. Subjekti ka shpjeguar se ndërtimi ka filluar në vitin 2005.

Faskaj tha se dhe kjo pasuri është krijuar para fillimit të detyrës. Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar balancë negative në vlerën 8 milionë lekë.

Po ashtu, pamundësi janë konstatuar për blerjen e një ngastre toke në vitin 2002 për shumën 300 mijë lekë dhe një furgon për çmimin 8000 euro, pasuri të krijuara para detyrës si këshilltare ligjore.

Në vijim u konstatua se nuk është deklaruar një veprimtari e bashkëshortit të subjektit dhe shtatë automjete në funksion të këtij biznesi privat.

Në përfundim, nga analiza financiare paraprake ka rezultuar pamundësi financiare në vlerën 17 milionë lekë për periudhën para fillimit të detyrës dhe balancë negative në shumën 546 mijë lekë, për vitet kur Palaj ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore.

Palaj deklaroi në seancë se është në pamundësi objektive për të provuar të ardhurat e saj të bashkëshortit në emigracion në Greqi dhe në Itali. “Kam kërkuar njohjen e punës time në të zezë që e cilësoj si pjesë të skllavërisë time dhe të bashkëshortit. Nuk dinim as gjuhën dhe kemi bërë atë punë që na ofrohej,” tha Palaj ndër të tjera.

Duke ritheksuar se është në pamundësi për të vërtetuar të ardhurat nga emigracioni, që kanë shërbyer për krijimin e pasurive para fillimit të detyrës, ajo këmbënguli se nëse do të konsideroheshin këto të ardhura, atëherë do të arrinte të provonte burimet financiare të pasurive të krijuara në vite.

Në përfundim ajo kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 25 korrik, në orën 09:50.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *