Trupa e KPK-së gjatë  një shpallje vendimi.
KPK Veting

Edmond Kariqi dha dorëheqjen pas dënimit për “korrupsion”

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 19 janar 2021 të ndërpresë procesin e rivlerësimit për prokurorin Edmond Kariqi, për shkak të dorëheqjes së tij si dhe i hoqi të drejtën e rikthimit në sistemit të drejtësisë për 15 vjet.

Në vendimin e arsyetuar të KPK sqarohet se hetimi administrativ në kuadër të procesit të rivlerësimit për Kariqin ka filluar në dhjetor të vitit 2019. Tre vjet më vonë, më 19 dhjetor 2022, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP ka vendosur mbarimin e statusit të magjistratit të prokurorit Kariqi, për shkak të dorëheqjes së tij. Ky vendim i është njoftuar Komisionit katër ditë më vonë, që ka verifikuar se Kariqi nuk ka kryer ankim në Gjykatën Administrative të Apelit.

Bazuar në këto konstatime, KPK e ka njoftuar subjektin se gëzonte të drejtën për t’u dëgjuar në një seancë dëgjimore, por ai është shprehur se nuk kishte interes për t’u paraqitur.

Bazuar në dispozitat kushtetuese dhe ligjore, KPK ka zbatuar nenin G të Aneksit të Kushtetutës që në rastin e dorëheqjes parashikon shoqërimin e ndërperjes së vetingut me sanksionin që ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Në përfudim, trupa e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Genta Tafa (Bungo), ka vendosur të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për prokurorin Edmond Kariqi, si dhe të drejtës për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Edmond Kariqi u dënua më 11 tetor 2022 me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për veprën penale “korrupsion pasiv”, pasi u akuzua nga SPAK për marrje ryshfeti në këmbim të lehtësimit të disa personave nën hetim kur mbante pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Kukësit. Në shkallën e parë ai u dënua me 2 vjet heqje lirie, ndërsa Apeli vendosi të shtojë edhe 4 muaj të tjerë burgim.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *