Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Elbana Lluri pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KP Lajme Vendi

ONM kërkon rihetim pasuror për gjyqtaren Elbana Lluri dhe ish-bashkëshortin e saj

Vëzhguesit ndërkombëtarë ngrenë pikëpyetje mbi analizën financiare të kryer nga KPK dhe kërkojnë që pasuritë e gjyqtares Elbana Lluri dhe ish-bashkëshortit të saj, Gerd Hoxha t’i nënshtrohen një hetimi tërësor nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Elbana Lluri pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Elbana Lluri u konfirmua në detyrë më 2 shkurt, por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit gjykon se ajo duhet të rikthehet në Kolegj për një hetim tërësor të pasurisë së saj dhe të personave të lidhur.

Përmes një rekomandimi për Komisionerin Publik, vëzhguesit ndërkombëtarë rendisin pesë raste, ku hetimi i KPK-së ka qenë ose i pamjaftueshëm, ose në kundërshtim me praktikën e vendosur tashmë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

“Ankimi do t’i jepte mundësinë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të kryente një hetim të plotë të subjektit, personit të lidhur dhe personave të tjerë të lidhur… çka do të siguronte që ajo gëzon në të vërtetë besimin e publikut, që është në thelb qëllimi i procesit të vetingut dhe i institucioneve që e zbatojnë atë,” theksojnë në rekomandimin e ONM.

Elbana Lluri përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe punoi në Gjykatën e Tiranës deri në vitin 2016, kur u promovua në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Gjatë seancës dëgjimore në KPK, Lluri kërkoi të gjykohej e pavarur nga ish-bashkëshorti Gerd Hoxha –i cili është gjithashtu një subjekt rivlerësimi.

Por ndryshe mendon ONM, ndërsa thekson se deklarimet e ish-bashkëshortit janë pjesë integrale e deklarimeve të subjektit dhe duhet të hetohen në kuadër të rivlerësimit të saj –një precedent i vendosur më parë edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Rekomandimi i ONM-së për hetime të reja në Kolegj përfshin një apartament prej 125 metrash katrorë në pronësinë e subjektit dhe ish-bashkëshortit të saj, një kredi prej 25 mijë eurosh, e shlyer më pas me hua nga prindërit e Llurit, një apartament të dytë në Vlorë si dhe dy automjete – njëri prej të cilëve dyshohet se është aset i fshehur nga ana e personit të lidhur.

Për apartamentin në bashkëpronësi të blerë në vitin 2011 është deklaruar si burim edhe 1.5 milionë lekë kursime nga ana e bashkëshortit, të pakësuara nga kursimet prej 2.5 milionë lekësh që ai kishte deklaruar në vitin 2003 me burim nga punësimet prej vitit 1995 dhe Shkolla e Magjistraturës.

Për të vërtetuar punësimet e ish-bashkëshortit, Lluri dorëzoi në KPK deklarata noteriale të punëdhënësve, sipas së cilëve ai ka punuar si kamarier dhe shpërndarës, i paregjistruar dhe pa taksa të paguara.

ONM thekson se këto të ardhura duhet të përjashtohen nga analiza financiare si të padokumentuara dhe nuk duhet të injoroheshin si asete të vendosura para martese nga KPK.

“Subjekti është bashkëpronare dhe përdor asetin e siguruar me të ardhurat e personit të lidhur…,” thuhet në rekomandim.  “Fakti që personi i lidhur është subjekt më vete rivlerësimi, nuk e përjashton hetimin e tij në kuadër të rivlerësimit për Znj. Lluri,” shtohet aty.

Vëzhguesit ndërkombëtarë analizojnë gjithashtu arsyetimin e KPK-së për një kredi prej 25 mijë eurosh, të shlyer përmes një huaje të marrë nga prindërit e gjyqtares Lluri. Kredia ishte marrë në vitin 2009 me qëllim rikonstruksionin e apartamentit që Lluri dhe bashkëshorti i saj po planifikonin të blenin nga motra dhe kunati i subjektit.

Në shpjegimet e saj për KPK, Lluri sqaroi se burimi i huasë prej 25 mijë euro nga prindërit e saj ishin pensionet e tyre të pleqërisë si dhe një kontribut prej 40 mijë lekësh në muaj që e motra u kishte dhënë prej vitit 1995 për t’u siguruar atyre një nivel mesatar jetese.

Gjatë hetimit, KPK ka analizuar mundësitë e motrës së subjektit për kontributin ndaj prindërve, por vëzhguesit ndërkombëtarë theksojnë se duhej të ishte hetuar mundësia e prindërve të subjektit për të kursyer dhe dhënë hua shumën prej 25 mijë eurosh.

“Ne sugjerojmë që shuma prej 25 mijë eurosh duket se nuk justifikohet nga prindërit e subjektit dhe nuk duhej të ishte përfshirë në analizën financiare,” thuhet në rekomandim.

Për asetin e tretë –një apartament me sipërfaqe 128 m2 në Vlorë, ONM vëren sërish se nuk duhej të ishin llogaritur kursimet e ish-bashkëshortit para vitit 2003- ç’ka do t’i nxirrte ata në pamundësi financiare.

Vëzhguesit ndërkombëtarë analizojnë gjatë raportin e subjektit dhe ish-bashkëshortit të saj me një automjet me vlerë 37 mijë USD në emër të babait të personit të lidhur dhe ngrenë dyshime se ky mund të jenë një aset i fshehur.

Apartamenti është përdorur për udhëtime familjare jashtë shtetit nga viti 2011 deri në vitin 2016, por nuk është deklaruar asnjëherë si send në përdorim as nga Lluri dhe as nga ish-bashkëshorti.

“Kjo na ka bërë të besojmë se ai ishte “de facto” pronari i makinës dhe ky ishte në fakt një aset i fshehur, i përdorur nga e gjithë familja, përfshirë edhe subjektin e rivlerësimit,” vlerësojnë vëzhguesit ndërkombëtarë.

Ata theksojnë gjithashtu se një analizë financiarë për mundësinë e blerjes së automjetit do të nxirrte në pah faktin se ai është një aset i fshehur- si dhe do të ndikonte në kapacitetin financiar të Llurit për asetet në bashkëpronësi.

Në fund, ONM kërkon rihetim në KPA edhe për mundësinë financiare për blerjen me klering të një automjeti “Citroen”, për të cilën vetë KPK i ka nxjerrë në pamundësi financiare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *