ONM kritikon vendimin e KPK për prokuroren Lindita Ziguri

Lajme
Vëzhguesit ndërkombëtarë e konsiderojnë të paqartë arsyetimin e KPK-së për aktivitetin privat të bashkëshortit të subjektit si dhe disa hua të marra –duke kërkuar që çështja të rivlerësohet në mënyrën e duhur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Prokurorja e Tiranës Lindita Ziguri pas vendimit nga KPK. Foto:Edmond Hoxha

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i kërkoi Komisionerit Publik që të ankimojë vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurores së Tiranës, Lindita Ziguri. Sipas rekomandimit të ONM-së, disa çështje të lidhura me pasurinë mbeten ende të paqarta, pavarësisht shpjegimeve të subjektit dhe arsyetimit në vendimin e KPK-së.

“Në vlerësimin e vëzhguesve ndërkombëtarë, një vlerësim i ndryshëm i fakteve të administruara mund të ndikojë vlerësimin pasuror, në mënyrë të tillë që vendimi i KPK-së nuk qëndron,” thuhet në rekomandim.

Lindita Ziguri (Male) e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë si prokurore në Prokurorinë e Tiranës. Në dhjetor 2020, Ziguri u komandua si inspektore në institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Lindita Ziguri u konfirmua me shumicë votash më 12 janar 2021, nga trupa e drejtuar nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Valbona Sanxhaktari.

Por ONM argumenton në rekomandim se aktiviteti tregtar i personit të lidhur në vitet 2005-2007 si dhe disa hua të marra përgjatë karrierës së subjektit duhet t’i nënshtrohen një vlerësimi të rregullt nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Sipas ONM, subjekti nuk ka deklaruar asnjë të ardhur në deklaratat periodike si dhe në deklaratën “veting” nga aktiviteti privat i bashkëshortit të saj për vitet 2005-2007, ndonëse nga hetimi rezultoi se kompania kishte hyrë në marrëveshje për ndërtimin e një shtese të një godine ekzistuese.

KPK siguroi gjithashtu një audit nga zyra e Tatimeve të Përmetit të vitit 2007, sipas së cilit raportohej për një godinë 11-katëshe të padokumentuar si dhe mungesë deklarimi të aktivitetit privat –çka mund ta ngarkonte kompaninë me detyrime fiskale të prapambetura për periudhën.

Në shpjegimet e saj, Ziguri tha se kompania e të shoqit nuk kishte kryer asnjë aktivitet domethënës për shkak të mungesës së likujditeteve dhe mosmarrëveshjeve me partnerin në biznes.

Por ONM thekson në rekomandim se pavarësisht shpjegimeve, mbetet e paqartë situata me investimin e kryer, shpenzimet, burimin e të ardhurave si dhe dokumentimin e këtij aktiviteti. Pikëpyetje ngrihen edhe për një kontratë, sipas së cilës personi i lidhur do të përfitonte 40 mijë euro si dhe për një transaksion bankar prej 90 mijë eurosh të marrë dhe të kthyer brenda ditës nga kompania në emër të personit të lidhur.

ONM nuk i konsideron bindëse shpjegimet e subjektit dhe as arsyetimin e bërë nga shumica e trupit gjykues.

“Subjekti dështoi të jepte shpjegime bindëse mbi çështjet e mësipërme, ashtu sikurse edhe KPK dështoi në arsyetimin e vet. Çështjet e mësipërme mund të çojnë gjithashtu në dyshime për veprime ligjore fiktive, të cilat në pikëpamjen e vëzhguesve ndërkombëtarë duhet të hetohen dhe të vlerësohen në mënyrën e duhur nga Kolegji,” thuhet në rekomandim.

Një tjetër shkak për rekomandimin u bënë huatë prej 17.1 milionë lekësh të marra nga bashkëshorti i subjektit në vitet 1993-1994 si dhe një hua prej 5 mijë eurosh, të marrë nga daja i saj për plotësimin e shumës për blerjen e një apartamenti në Tiranë në vitin 2008.

Sipas ONM, shpjegimet e subjektit për destinacionin dhe shlyerjen e huave prej 17.1 milionë lekësh nuk ishin bindëse dhe të dokumentuara, sikurse për huanë prej 5 mijë eurosh nuk u dokumentuan mundësitë financiare të dajës së subjektit.

Vëzhguesit ndërkombëtarë e konsiderojnë arsyetimin dhe konkluzionin e KPK-së për çështjet e mësipërme si të paplotë dhe jo-gjithëpërfshirës. Ata kritikojnë gjithashtu faktin se KPK nuk e ka adresuar fare faktin se personi i lidhur kishte dështuar të deklaronte detyrimet e tij.

Në fund të rekomandimit, ONM i sugjeron Komisionerit Publik që të kërkojë në Kolegj vlerësimin e çështjeve të mësipërme si dhe impaktin e tyre në rivlerësimin e subjektit, një analizë të saktë financiare si dhe arsyetim adekuat për çështjet e mësipërme.