Ish-anëtari i KLP-së, Besnik Cani pas seancës së parë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: LSA
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Përballja e Besnik Canit me Kolegjin nis me shtyrje

Anëtari i KLP-së, Besnik Cani po përballet me kërkesën për shkarkim të Komisionerit Publik për kriterin e pasurisë dhe të profesionalizmit.

Anëtari i KLP-së, Besnik Cani pas seancës së parë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: LSA

Seanca e parë ndaj anëtarit të KLP-së, Besnik Cani nisi me shtyrje të mërkurën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në përgjigje të kërkesave të këtij të fundit. Cani tha para Kolegjit se avokati i zgjedhur prej tij kishte kërkuar 5 ditë kohë për t’u njohur me dosjen, ndërkohë që ndodhej jashtë shtetit deri më 9 janar.

Një tjetër arsye e paraqitur nga anëtari i KLP-së ishte ceremonia mortore e xhaxhait të tij të ndjerë.

Procesi i Besnik Canit në shkallën e dytë të vetingut do të gjykohet nga trupa e drejtuar nga Rezarta Schuetz, me relator Ardian Hajdarin dhe anëtarë Albana Shtylla, Luan Daci dhe Sokol Çomo. Cani u konfirmua në detyrë më 27 nëntor 2018, por një rekomandim i ONM-së, i pasuar nga ankimi i Komisionerit Publik e riktheu atë sërish përballë vetingut.

Në ankimin e dorëzuar në Kolegj, komisioneri Florian Ballhysa kërkon shkarkimin e prokurorit Besnik Cani me argumentin se nuk ka arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe atë të aftësive profesionale.

Në ankimin për Besnik Canin, Komisioneri Publik kërkon shqyrtimin e disa çështjeve të lidhura me etikën dhe profesionalizmin; për të cilat KPK shmangu vendimarrjen duke I referuar ato për inspektime disiplinore.

Çështjet e transferuara nga KPK lidhen me një kontratë të nënshkruar mes Canit dhe kompanisë “Kastrati”, përfitimin prej tij të statusit si i pastrehë nga bashkia e Fierit si dhe tre dosje hetimore ku janë vërejtur hetime të mangëta.

Për kontratën me kompaninë Kastrati, Komisioneri Publik arrin në përfundimin se ndonëse është emërtuar “kontratë qeraje”, ajo është de facto një marrëdhënie tregtare ku subjekti është pjesëmarrës në fitimin e shoqërisë-çka bie ndesh me detyrimet ligjore etike të tij. Komisioneri Publik konstaton gjithashtu se Cani ka cenuar etikën e magjistratit edhe në rastin e përfitimit të statusit të pastrehë nga bashkia e Fierit, në kundërshtim me kriteret ligjore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *