Skeda e pasurisë së deklaruar –Alkelina Gazidedja –Gjykata Administrative e Apelit
Korrupsioni KPK Skeda Vendi

Skeda e pasurisë së deklaruar –Alkelina Gazidedja –Gjykata Administrative e Apelit

Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Apelit, Alkelina Gazidedja do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Alkelina Gazidedja, gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit do të përballet të enjten më 9 janar me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për gjyqtaren Gazidedja përbëhet nga Suela Zhegu, Firdes Shuli dhe Genta Tafa Bungo.

Alkelina Gazidedja e ka filluar karrierën e saj në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe për më shumë se një dekadë e ka ushtruar funksionin në Gjykatën e Tiranës. Në korrik 2013, Gazidedja u dekretua anëtare e Gjykatës Administrative të Apelit, detyrë të cilën vazhdon ta ushtrojë edhe aktualisht.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Alkelina Gazidedja nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së gjyqtares Alkelina Gazidedja nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Gazidedja zotëronte pasuri familjare me vlerë 2.9 milionë lekë në vitin 2003, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare ka shënuar rritje me 8 herë, duke kapur vlerën e 24.6 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2017, pasuria e gjyqtares përbëhet nga 11.6 milionë lekë likujditete bankare, 10.9 milionë lekë pasuri të patundshme, 1.2 milionë lekë kursime të akumuluara në cash dhe një automjet me vlerë 270 mijë lekë. Familja e gjyqtares zotëron gjithashtu aksione me vlerë 100 mijë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 44.5 milionë lekë. Paga e znj. Gazidedja përbën rreth 32% e të ardhurave, ndërsa paga e familjarëve rreth 31%. Të ardhurat nga biznesi i bashkëshortit dhe i djalit zënë 16% në buxhetin e familjes, të ardhurat nga qiraja 9% ndërsa 10% të tjera deklarohen nga burime të ndryshme.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 14 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, dy prej tyre rezultuan me probleme.

Subjekti Gazidedja rezulton me balanca negative të pasurisë për vitet 2010 dhe 2016, respektivisht në vlerat e rreth 336 mijë lekëve dhe 23 mijë lekëve. Në këtë analizë nuk janë përfshirë shpenzimet e konsumit familjar.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” deklarimet e gjyqtares Gazidedja për ndërtimin e një shtëpie si dhe huatë e marra nga bashkëshorti gjatë periudhës deklaruese.

Lidhur me shtëpinë e banimit, Znj. Gazidedja deklaron në vitin 2004 ndërtimin e një kati shtesë me vlerë 11 mijë euro, ndërsa në vitin 2006 deklaron edhe një shtesë papafingo të palegalizuar –për të cilën nuk ka një vlerë financiare. Në vitin 2011, gjyqtarja deklaron blerjen e truallit nga ALUIZNI, pa qartësuar nëse është legalizuar e gjithë shtëpia e ndërtuar.

Ndërkohë, gjatë periudhës deklaruese bashkëshorti i gjyqtares ka deklaruar huamarrje në vlerat e 7 mijë eurove dhe 3.6 milionë lekëve.

Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *