Shpallje vendimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Precedenti i Shkëlqim Mirit, KPA tërhiqet për vendim

Me çështjen e ish-gjyqtarit Shkëlqim Miri, Kolegji i Posaçëm i Apelimit pritet të interpretojë kushtet e humbjes së statusit të magjistratit nga gjyqtarët apo prokurorët e dënuar për korrupsion.

Shpallje vendimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri nuk u paraqit në seancën e dytë publike që u zhvillua të mërkurën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku po shqyrtohet një ankesë e Komisionerit Publik ndaj vendimit për ndërprerjen e procesit të vetingut.

Miri e humbi statusin e magjistratit për shkak të dënimit të formës së prerë për veprën penale të korrupsionit.

Kryesuesi i trupit gjykues të KPA, Sokol Çomo sqaroi se Miri kishte konfirmuar marrjen e njoftimit të seancës, por nuk ishte i pranishëm. Më pas, Komisioneri Publik, Darjel Sina paraqiti konkluzionet përfundimtare, duke u qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit.

Shkëlqim Miri u arrestua në nëntor 2017, ndërsa iu kapën afro 33 milionë lekë para të thata në shtëpi. Ai u dënua më pas për “korrupsion pasiv” në favor të një personi të dënuar për vrasje.

KPK e ndërpreu procesin e vetingut për Mirin më 23 prill, pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi më parë ta shkarkojë atë nga detyra për shkak të dënimit të formës së prerë me dy vjet burg. Sipas Komisionit, shkarkimi nga KLGJ ka sjellë edhe përfundimin e statusit të magjistratit për Mirin dhe për rrjedhojë vendosi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit.

Komisioneri Publik e ankimoi vendimin e KPK, duke u bazuar edhe në një arsyetim të ndryshëm të KPK-së në vendimin ndaj ish-gjyqtarit Ibrahim Hoxha- edhe ky i dënuar me 2 vjet burg për korrupsion, për të cilin procesi i vetingut u mbyll pa vendim.

Gjatë seancës të mërkurën, Sina argumentoi se, për efekt të procesit të rivlerësimit, janë organet e reja kushtetuese të rivlerësimit që do të vendosin përfundimisht mbi pasojat që sjellin procesin e rivlerësimit të subjekteve. “Duket se rasti konkret kategorizohet si çështje e papërfunduar për efekt të juridiksionit të rivlerësimit,” tha Sina.

Duke iu referuar parashikimeve kushtetuese, Sina vërejti se pas shpërbërjes së Komisionit, çështjet e papërfunduara të rivlerësimit shqyrtohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe se klasifikimi i çështjeve si të papërfunduara u mundëson organeve të tjera të drejtësisë të kryejnë rivlerësimin e tyre.

Në përfundim, ai i kërkoi Kolegjit që të ndryshohet pika 1 e vendimit të Komisionit për Mirin ku përcaktohet ndëprerja e procesit të rivlerësimit dhe që në arsyetimin e vendimit të orientohet për zgjidhjen e çështjeve të ngjashme.

KPA u tërhoq për vendim dhe njoftoi se do ta shpallë atë në seancë publike më datë 16 shtator, ora 13:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *