Prokurori Afrim Shehu pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Prokurori Afrim Shehu jep shpjegime për bilancin negativ dhe denoncimet e publikut

Prokurori i Tiranës, Afrim Shehu u përball të hënën më 13 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dhe shpjegime dhe kundërshtoi bilancin negativ në vlerë të madhe, të konstatuar para dhe pas fillimit të detyrës. Subjekti dha gjithashtu shpjegime për disa nga denoncimet e depozituara nga qytetarët.

Procesi i rivlerësimit për prokurorin Shehu po kryhet nga trupa e KPK-së, e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Alma Faskaj dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Afrim Shehu ka punuar si oficer i Policisë Gjyqësore dhe si avokat përpara se të emërohej prokuror i Republikës së Shqipërisë në vitin 2009. Për gati një dekadë ai punoi si prokuror pranë Prokurorisë së Durrësit, ndërsa në qershor të vitit 2023 u transferua në Prokurorinë e Tiranës përmes procedurës së lëvizjes paralele.

Problemet për pasurinë

Për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 72.2 m2 në Tiranë në vitin 2010, pasuri e porositur në vitin 2003 për 4 milionë lekë, subjekti ka deklaruar si burime pagat si oficer i policisë gjyqësore dhe si avokat si dhe 10 mijë euro dhuratë nga vëllai që jeton në Mbretërinë e Bashkuar.

Lidhur me mosdeklarimin e kontratës së sipërmarrjes së kësaj pasurie në vitin 2004, rezulton se ai ka shpjeguar pranë ILDKPKI-së se nuk e ka pasqyruar këtë transaksion, pasi banesa nuk ishte regjistruar ende në emër të tij.

KPK ka analizuar burimet e deklaruara nga subjekti dhe për të ardhurat nga pagat si oficer i policisë gjyqësore nuk janë gjetur probleme. Ndërkohë, nga të ardhurat si avokat është vërtetuar me dokumentacion se ai ka qenë i punësuar në zyrën e avokatisë së vëllait të tij me pagë fikse dhe shpërblim 20% të fitimit për secilin prej klientëve të tij. Duke përllogaritur të ardhurat e zyrës së vëllait të subjektit, KPK konstaton se nuk ka qenë e mundur që pjesa e shpërblimit të ishte në masën 1.4 milionë lekë sa pretendohet.

Megjithëse subjekti ka pretenduar se është paguar dhe për shërbimet në zyrën e noterisë së bashkëshortes së vëllait, KPK konstaton se kjo nuk është provuar dhe për rrjedhojë, nuk është konsideruar në analizën financiare shuma 1.4 milionë lekë.

Po ashtu, në analizë nuk është përfshirë dhe një hua 4000 USD e deklaruar gjatë procesit të vetingut. Megjithëse bashkëshortja ka deklaruar marrjen e një huaje në vlerën reth 23 mijë USD, KPK vëren se duket se kjo vlerë është përdorur për blerjen e një tjetër apartamenti.

Nga hetimi i kryer për dhurimin nga vëllai, Komisioni konstaton se subjekti e ka tërhequr shumën në fjalë nga një depozitë dhe jo nga dhurimi i deklaruar.

Nga analiza financiare e burimeve të kësaj pasurie, ka rezultuar bilanc negativ.

Prokurori Shehu pretendoi se me shpjegimet dhe provat e tij ka përmbysur bilancet negative. Lidhur me pamundësinë e konstatuar për apartamentin me 72.2 m2, ai kërkoi që të konsiderohen të ardhurat nga avokatia të deklaruara prej tij, duke argumentuar se ishte provuar se ai kishte qenë i punësuar në zyrën e të vëllait si avokat. Po ashtu, deklaroi se kishte paaqitur të dokumentuara të ardhurat dhe qarkullimin e bashkëshortes së vëllait si notere, në vlera të mëdha dhe me detyrime të paguara.

Ai tha se KPA në praktikën e saj ka përcaktuar se tatimi në burim i të ardhurave të punëmarrësit duhet të kryhet nga punëdhënësi. Sipas subjektit, provat shkresore kundërshtohen vetëm kur ato janë të falsifikuara dhe kërkoi që të merren në konsideratë prej KPK-së aktet e dorëzuara prej tij.

Lidhur me dhuratën nga vëllai, Shehu këmbënguli se është akt i pakundërshtueshëm se ai ka transferuar rreth 12 mijë euro në vitin 2004 dhe 2500 paund të vitin 2008, kur ka kryer dhe dhurimet në favor të tij. Ai theksoi se shumat janë transferuar në sistemin bankar dhe se i plotësojnë gjithë kërkesat për t’u konsideruar si burime të ligjshme.

Ai kërkoi që të zbatohet jurispudenca e KPA, sipas së cilës, pasaktësitë e pashoqëruara me balanca negative, nuk mund të sjellin penalizim.

Lidhur me huanë 4000 USD, subjekti shpjegoi se deklarimi i kësaj shume është kryer edhe nga bashkëshortja në vitin 2009 dhe jo vetëm gjatë hetimit administrativ. I pyetur dhe nga Ciardi lidhur me këtë transaksion, se përse deklarohej se huaja ishte marrë nga një tjetër person dhe  kontrata e huasë ishte nënshkruar nga një tjetër, subjekti shpjegoi se bëhej fjalë për rrethana familjare. Sipas tij, huaja ishte marrë nga bashkëshorti i mbesës, ndërsa kontrata ishte nënshkruar nga kunati. Ai sqaroi se kunati dhe familja e mbesës së tij jetonin bashkë në Londër, e për rrjedhojë e konsideronin veten si një familje. Nisur nga fakti se kunati ishte në pozicionin e kryefamiljarit, e kishte nënshkruar ai kontratën e huasë.

Shehu deklaroi në vijim se kishte punuar si emigrant në Greqi së bashku me vëllanë që aktualisht jeton në Londër. Ai petendoi se kishte siguruar të ardhura në shumën 2 milionë lekë nga puna si emigrant dhe se një gjë e tillë pretendohej dhe nga depozitimi që kishte kryer në një prej shoqërive piramidale në atë kohë, si dhe nga tërheqja e interesave në masën 870 mijë lekë, shumë që kërkoi të konsiderohet në analizën financiare.

Lidhur me vlerën që kishin pasur në depozitë në kohën kur kishin marrë huanë në vitin 2004, subjekti sqaroi se atë shumë ia kishte dhënë vëllait avokat, pasi i ishte dashur të kryente rikonstruksion të zyrave. Sipas tij, ajo shumë i ishte kthyer nga vëllai në 2005-ën.

Shehu pretendoi se kishte vërtetuar se kishte pasur burime për blerjen e kësaj pasurie, veç një balance negative të vogël në vitin 2003, që sipas tij, bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, nuk mund të sillte penalizim.

KPK ka vlerësuar gjithashtu se subjekti është gjetur në pamundësi për pagesën e dy garazheve në vitin 2009 për vlerën 14 mijë euro, me burim nga pagat. Sipas Faskajt, është konstatuar se kontrata e sipërmarrjes për këto dy pasuri është revokuar dhe shoqëria ndërtuese i ka kthyer Shehut vlerën e paguar.

Për blerjen e një apartamenti tjetër me sipërfaqe 96.5 m2 në Tiranë në vitin 2015, subjekti ka deklarur si burim të ardhurat nga puna dhe kursimet nga shitja e një apartamenti tjetër.

Apartamenti i shitur është porositur në vitin 2008 me burim një dhurim nga babai i bashkëshortes në vlerën e 40 mijë eurove dhe një hua nga vëllai i saj.

Megjithëse babai ka rezultuar me mundësi financiare, lidhur me huanë është konstatuar se është marrë në vitin 2005, ndërkohë që apartamenti është porositur në 2008-ën. Sipas Faskajt, mbeten të paqarta rrethanat e marrjes së huasë në vitin 2005, ndërkohë që ka rezultur të kenë pasur një vlerë të përafërt të depozituar në bankë, që i është dhënë vëllait të subjektit.

Po ashtu, shuma e deklaruar se është marrë hua, është dhënë nga një tjetër person dhe jo nga huadhënësi. Sipas Faskajt, si pasojë e nuk është vërtetuar kalimi i shumës në fjalë nga huadhënësi i pretenduar, tek personi që ka nënshkruar kontratën e për rrjedhojë kjo vlerë nuk është konsideruar në analizën financiare.

Nga analiza financiare paraprake është konstatuar pamundësi dhe për apartamentin 96.5 m2. Po ashtu, është gjetur bilanc negativ dhe në blerjen e një automjeti.

Nga analiza financiare e përgjithshme paraprake ka rezultuar bilanc negativ në vlerën 12.8 milionë lekë për periudhën para fillimit të detyrës dhe 3.1 milionë lekë për vitet gjatë ushtrimit të funksionit të prokurorit.

Shehu i kundërshtoi edhe balancat e tjera negative të konstatuara nga KPK. Sipas tij, vërtetohej mundësia për blerjen e apartamentit në vitin 2008 me anë të dhurimit nga vjehrri, kursimet dhe huaja.

Ai tha se pamundësia e vetme konstatohet në masën 600 mijë lekë para fillimit të detyrës për shkak të mosvërtetimit me dokumentacion të të ardhurave nga emigracioni, por që nuk mund të sillte shkarkim.

Gjetjet për profesionalizmin

Prokurori Shehu u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës. Në aspektin profesional janë kontatuar gjetje në një pjesë të 53 denoncimeve të depozituara nga publiku.

Nga verifikimi një denoncimi është konstatuar se subjekti nuk ka kryer asnjë veprim hetimor për 8 muaj; një tjetër denoncues pretendon zvarritje të hetimit deri në transferimin e çështjes në një prokurori tjetër.

Shehu është denoncuar nga publiku për hetime të paplota e të njëanshme, për mbështetje të një pale kallëzuese dhe se ka qenë pjesë e një çështje ndaj kunatës së tij.

Prokurori Shehu pranoi se kishte pasur një periudhë 8-mujore që nuk ishin kryer hetime për një çështje, por e justifikoi me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19 në fillimet e saj. Ai tha se kishte hequr dorë nga çështja ku kunata ishte pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni, si dhe kundërshtoi gjetjet e tjera.

Në vijim u ndal në çështjen për të cilën gjykata i kishte kthyer aktet tre herë radhazi. Sipas subjektit, objekti i kallëzimit duhej të trajtohej administrativisht. Ai vërejti se në përfundim, gjykata kishte pranuar kërkesën e tij për pushimin e çështjes, me të njëjtat argumente që kishte paraqitur edhe në vendimin e mosfillimit të hetimeve.

Në përfundim, prokurori Afrim Shehu kërkoi konfirmimin në detyrë, duke pretenduar se kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe figurën dhe nivel të mirë në aspektin profesional. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 15 maj, në orën 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *