Prokurori Arben Nika jep shpjegime për barrën e provës për pasurinë dhe profesionalizmin

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstaton pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti në Tiranë nga prokurori i Kurbinit, Arben Nika dhe vlerëson se një kredi e butë që ka shërbyer si burim për këtë pasuri është përfituar në kundërshtim me ligjin.

Prokurori Arben Nika në KPK | Foto: Edmond Hoxhaj

Prokurori i Kurbinit, Arben Nika u përball të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për barrën e provës dhe konstatimet për pasurinë dhe profesionalizmin. Nika u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Procesi i rivlerësimit për prokurorin Nika po kryhet nga trupi gjykues i KPK i kryesuar nga xhensila Pine, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Në seancë u evidentua pamundësi financiare për shlyerjen e një pjese të kësteve të një apartamenti me sipërfaqe 122 m2 në zonën e quajtur “Fresku” në Tiranë gjatë vitit 2011, kur dhe ka lidhur kontratën e premtim-shitjes për çmimin 51 mijë euro.

Si burime të krijimit të kësaj pasurie, prokurori Nika ka deklaruar një kredi me kushte lehtësuese në vlerën 2.5 milionë lekë dhe kursimet ndër vite.

Komici evidentoi se subjekti ka ndryshuar deklarimet lidhur me burimet që kanë shërbyer për pagesat e kësteve. Nika ka shpjeguar gjatë hetimit se për pagesën e dy kësteve kanë shërbyer dy hua të marra prej vjehrrës dhe motrës së tij.

Nga hetimi ka rezultuar se prindërit e bashkëshortes së prokurorit Nika, po në vitin 2011 kanë blerë një apartament në të njëjtin pallat dhe kat ku gjendet banesa e subjektit të rivlerësimit. Sipas KPK, nuk është arritur të provohet mundësia e prindërve të bashkëshortes për dhënien e huasë dhe kryerjen e investimit nga ana e tyre.  E njëjta situatë është konstatuar edhe për huanë e marrë nga motra e subjektit.

Nga analiza financiare për periudhën 2001 kur ka filluar punë subjekti, deri në 2011-ën kur është blerë apartamenti, KPK ka konstatuar pamundësi financiare në shumën 1.7 milionë lekë të burimeve të ligjshme që kanë shërbyer për pagesën e gjithë çimit të apartamentit në vlerën 51 mijë euro.

Prokurori Nika e kundërshtoi analizën financiare të Komisionit. Ai theksoi se huatë nuk ishin deklaruar pasi ishin marrë për një kohë të shkurtër, me qëllim që të mos dëmtonte interesin e depozitës që zotëronte.

“Duke qenë se janë shlyer brenda vitit, nuk i kam deklaruar. Ishin për disa muaj dhe nuk egzistonin më”, tha subjekti dhe këmbënguli se ato nuk kanë shërbyer si burim për blerjen e shtëpisë, por janë përdorur vetëm për të mos humbur interesat e depozitës deri në maturimin e saj.

Nika u shpreh se nuk i konsideronte persona të lidhur vjehrrën dhe motrën, megjithatë deklaroi se kanë punuar për dekada me radhë dhe kanë pasur të ardhura të mjaftueshme.

Gjithashtu, ai këmbënguli se kishte pasur burime të ligjshme për krijimin e kursimeve. Nika sqaroi se kishte nisur bashkëjetesën me bashkëshorten që prej vitit 2006 dhe se në 2007-ën kishin lidhur martesë. Ai kërkoi që në analizën financiare për bashkëshorten në këtë periudhë të përllogariteshin dhe të ardhurat e tij.

Komisioni ka analizuar edhe mënyrën e përfitimit të kredisë me kushte lehtësuese. Nga verifikimi ka rezultuar se ka qenë babai i prokurorit Nika i cili ka aplikuar për kredinë e butë pranë Bashkisë Dibër. Sipas Komicit, është gjetur pasaktësi në kryerjen e aplikimit, pasi në dosje janë konstatuar dokumente me datë të mëvonshme nga vendimi i Këshillit të Bashkisë.

“Duket se kredia e butë nuk është përfituar sipas legjislacionin përkatës dhe se babai ka ndryshuar gjendjen civile për të përfituar kredinë”, tha Komici dhe theksoi se kredia ishte përdorur për të blerë një apartament në Tiranë dhe jo në Dibër ku ishte përfituar.

Nika sqaroi se kishte jetuar e punuar për 10 vite në Peshkopi dhe këmbënguli se në ligj nuk ka pasur ndonjë ndalim që kredia e butë të mund të përdorej për blerjen e një apartamenti në një qytet tjetër.

“Po të kishte patur ndalime nuk do të kisha aplikuar”, tha Nika dhe shtoi se bashkisë i ishte vendosur në dispozicion edhe kontrata e premtim shitjes për apartamentin në Tiranë dhe se nuk kishte pasur asnjë fshehje.

Lidhur me një konstatim të Komisionit se kishte raportuar si adresë një shtëpi tjetër, subjekti sqaroi se tek ajo banesë jetojnë motrat. Sipas tij, bëhej fjalë për një objekt që ishte përshtatur për banim nga motrat dhe familje te tjera. Nika deklaroi se babai kishte jetuar disa vite me mortën e vogël pasi ishte së murë dhe ajo i shërbente.

“Për vendbanimet e deklaruara u jam referuar gjithmonë gjendjes civile, aty ku ka qenë e regjistruar familja ime”, pohoi.

Pasaktësi është konstatuar edhe në deklarimin e dy garazheve në vitin 2013. Lidhur me garazhet, subjekti shpjegoi se kishte një problem pronësie për shkak të pretendimeve të pronarëve të tokës ku ishte ndërtuar pallati dhe se kjo kishte qenë arsyeja përse nuk kishte shlyer vlerën.

Komici evidentoi një llogari dyemërore në shumën 1.5 milion lekë në emër të bashkëshortes dhe shtetasit E.K., për të cilën theksoi se nuk është provuar burimi, si dhe qëllimi i hapjes së kësaj llogarie dyemërore.

Lidhur me këtë llogari dyemërore, subjekti sqaroi se E.K. është kushëri i gradës së parë i bashkëshortes kishte aplikuar për studime jashtë shtetit pasi i duhej garanci.

Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi financiare për blerjen e një automjeti tip Fiat Bravo në shumën 500 mijë lekë, pasi ka rezulytuar balancë negative në shumën 1.6 milion lekë.

Subjekti tha se sipas analizës së tij financiare kanë pasur burime të mjuaftueshme për blerjen e kësaj pasurie.

Nga hetimi administrativ janë gjetur disa transaksione të bashkëshkëshortes së subjektit me një kolege dhe kunatin. Nika deklaroi se subjekti ka shpjeguar se kunati ka depozituar në llogarinë e bashkëshortes të ardhura të përfituara nga shërbimi në Afganistan.

Gjatë seancës dëgjimore, Nika shpjegoi se kunati kishte pasur në plan të largohej për një tjetër shërbim, prandaj kishte depozituar shumat në llogarinë e bashkëshortes. Sipas subjektit, kur kunati ishte kthyer kishte hapur llogari në emër të tij, me të njëjtën vlerë që është tërhequr nga llgaria e bashkëshortes.

Në seancë u relatua edhe mosdeklarimi nga ana e bashkëshortes të bashkëpronësisë në një apartament në Peshkopi si dhe të shumës së përfituar nga shitja në vitin 2013. Lidhur me këtë gjetje, Nika shpjegoi se apartamenti ishte përfituar nga privatizimi dhe se nuk kishin pasur dijeni për pjesën takuese. Ai shtoi se pasi bashkëshortes i është kaluar në llogari pjesa e saj takuese, ajo e ka transferuar shumën në llogaritë e prindërve duke kryer veprime konkrete për heqjen dorë

Nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën 2003-2016 ka rezultuar balancë negative në vlerën totale 3.3 milionë lekë.

Prokurori Nika deklaroi se sipas analizës së tij financiare ka pasur burime për kryerjen e shpenzimeve dhe krijimin e pasurive gjatë çdo viti. Subjekti e konsideroi të gabuar metodologjinë e Komisionit për analizën financiare dhe ritheksoi se balanca negative kishte ardhur pasi nuk ishin konsideruar të ardhurat e tij gjatë viteve që ka nisur bashkëjetesën me bashkëshorten, si dhe për faktin se vlerat e kredituara në llogarinë e saj janë konsideruar vetëm si shpenzim dhe jo si të ardhura. “Përfshirja e shpenzimeve të tilla është jo logjike”, deklaroi Nika dhe shprehu shpresë se faktet e dorëzuara prej tij do të merren në konsideratë.

Në seancë u evidentua një urdhër i Prokurorit të Përgjithshëm i vitit 2015, për uljen në detyrë të prokurorit Nika, si oficer i policisë gjyqësore për periudhën 2015-2016. Shkak i uljes së përkohshme në detyrë kanë qenë rezultatet e një kontrolli të ushtruar nga  Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme kur janë evidentuar 37 dosje për të cilat prokurori Nika nuk është shprehur për mosfillim ose nisje të procedimit penal.

Komisioni e ka zgjeruar hetimin administrativ duke konstatuar edhe raste të tjera të zvarritjeve të vazhdueshme të hetimeve duke mos u dhënë zgjidhje çështjeve.

Nika shpjegoi se kishte qenë një rrethanë personale që kishte ndikuar në përkeqësimin e ushtrimit të detyrës nga ana e tij. Ai shpjegoi se transferimi nga Dibra në Kurbin kishte qenë i papritur dhe se ngarkesa në punë dhe trysnia për strehimin kishte krijuar një gjendje emocionale që kishte ndikuar atë situatë për të cilën është ndëshkuar.

Në një prej çështjeve të zgjehdura me short, është konstatuar se prokurori Nika ka vendosur mosfillimin e procedimit penal për një kallëzim ndaj një nëpuneseje të denoncuar për “shpërdorim detyre”. Sipas relatorit, subjekti ka argumentuar se nuk ka pasur vepër penale, pasi çështja ishte administrative.

Nika sqaroi se e kallëzuara kishte lëshuar 17 vërtetime që kishin vlerë nga 200 lekë secila, pa arritur t’i arkëtonte në kohë. Ai sqaroi se kallëzimi penal ishte kryer për vjedhje duke shpërdoruar detyrën për mosarkëtimin e një vlerë totale 3400 lekë. “Vërtetimet e lëshuara për 17 personat u evidentuan në regjistra dhe nuk ka pasur dyshime për vjedhje”, pohoi ai.

Katër kallëzime penale të depozituara në Prokurorinë e Lezhës ndaj prokurorit Arben Nika si dhe 12 denoncime nga publiku, shtatë nga të cilat janë kryer nga i njëjti person, kanë rezultuar pa probleme për Komisionin.

Në fund të seancës dëgjimore prokurori Nika deklaroi se ishte munduar gjithmonë që të ishte i drejtë dhe se kishte shpresë se vendimarrja do të kryhej bazuar në prova dhe do të jetë objektive.

Ai kërkoi konfirmimin në detyrë, ndërkohë që trupi gjykues shtyu seancën për shpalljen e vendimit më datë 16 shtator, ora 09:50.