Prokurori Madrit Kullolli pas seancës në KPK. Foto:BIRN
KPK Lajme Veting

Prokurori Madrid Kullolli jep shpjegime për bilancin negativ

Prokurori i Durrësit Madrid Kullolli u përball të premten në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me barrën e provës për një bilanc negative me rreth 3.7 milion lekë, ndërsa nuk iu vunë në dukje probleme në kriterin e profesionalizmit dhe as atë të figurës.

Kullolli, i pranishëm në seancë u mbrojt duke i arsyetuar problemet kryesisht me gabime në mënyrën e deklarimit të gjendjes cash dhe fajësoi kontabilistët e biznesit të bashkëshortes për gabime që sipas tij sillnin pjesën më të madhe të bilancit negativ.

Procesi i tij i vetingut të Kullollit po kryhet nga trupa e përbërë nga Brunilda Bekteshi kryesuese, Lulzim Hamitaj anëtar dhe Etleda Çiftja relatore.

Madrid Kullolli e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 dhe ka punuar për gati dy dekada si prokuror pranë Prokurorisë së Durrësit. Për një periudhë të shkurtër në vitet 2013- 2015, Kullolli e ushtroi detyrën pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Problemet me pasurinë

Relatorja Etleda Çiftja vuri në dukje gjatë fjalës së saj se problemet me pasurinë e Kullollit fillonin në vitin 2003, me blerjen e një apartamenti dhe më pas edhe të një zyre. Çiftja tha se burimet e deklaruar nga Kullolli nuk kishin qenë të mjaftueshme, ndërsa bëri me dije se KPK nuk kishte njohur si burim një shumë prej 3 mijë euro të dhënë nga vëllai emigrant në Itali.

KPK vuri në dukje se pas analizës për këtë periudhë Kullolli rezultonte me një bilanc negativ prej 1.4 milion lekësh.

Ndërkohë mungesë burimesh të ligjshme në një shumë prej 2.3 milion lekësh u gjet edhe në blerjen e një apartamenti në Durrës. Çiftja tha gjatë relatimit se një pjesë e problemeve e Kullollit rridhnin nga mënyra e deklarimit të parave cash dhe kursimeve. Sipas saj bazuar në jurisprudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPK nuk do të konsideronte pakësime në kursime nëse ky pakësim nuk ishte deklaruar si i tillë specifikisht.

Në fjalën e tij Kullolli u fokusua gjatë në shpjegimin e të ardhurave të bashkëshortes. Siç u kuptua nga qëndrimi i tij, një pjesë e mirë e bilancit negativ vinte nga llogaritja e ndryshme e të ardhurave nga biznesi i bashkëshortes.

Kullolli pretendoi se ky problem vinte si pasojë e zyrës së kontabilitetit. Ai tha se bashkëshortja kishte paguar më shumë taksa duke deklaruar ndarje dividenti, ndërkohë që arsyetoi se ata kishin përdorur të gjithë fitimin e biznesit pa ndarë divident. Ai tha se konfuzioni i krijuar e penalizonte, ndërsa shtoi se edhe specialistët e fushës ishin të ndarë në mendime.

Prokuori po ashtu mbrojti edhe mënyrën se si kishte deklaruar kursimet. Ai vuri në dukje se KPK duhej të merrte parasysh korrigjimet që ishin bërë me kërkesë të ILDKPKI dhe t’i konsideronte ato si prova.

Siç doli nga relatimi prokurorit iu kërkuan shpjegime edhe në lidhje me një situatë jo të qartë, për një apartament të blerë së bashku me prindërit e bashkëshortes. Gjithashtu atij iu kërkuan shpjegime edhe për çmime favorizuese.

Kullolli pretendoi se këto ishin pjesë e kontratave të lidhura, ndërsa tha se në një rast ai kishte paguar më shtrejtë se sa mesatarja që mbante si referencë KPK-ja.

Figura dhe profesionalizmi

Komisioni nuk vuri në dukje probleme sa i përket figurës së Kullollit. Sipas Çiftjas relacioni për këtë kriter kishte ardhur pozitiv dhe hetimet e Komisionit nuk kishin gjetur probleme.

Megjithatë Çiftja tha se Kullollit i ishin kërkuar shpjegime për një ndryshim të dytë emri që ishte verifikuar në gjendjen civile të komunës ku ishte bërë.

Sa i përket profesionalizmit megjithëse ndaj prokurorit kishte një masë të madhe denoncimesh, KPK vuri në dukje se ato i përkisnin kryesisht themelit të çështjes dhe nuk mund të shqyrtoheshin nga Komisioni.

Vetë Kullolli nuk u ndal gjatë në këtë pjesë. Ai dha shpjegime vetëm sa i përket një denoncim për çështje të mos filluara dhe tha se veprimet e prokurorit kontrolloheshin nga gjykata.

Pasi iu përgjigj disa pyetjeve të anëtarit Lulzim Hamitaj, kryesisht mbi mënyrën e përllogaritjes së të ardhurave nga biznesi i bashkëshortes, prokurori Kullolli i tha KPK që ai kishte përmbushur të tre kriteret e rivlerësimit dhe kërkoi konfirmim në detyrë.

KPK u tërhoq për vendim, i cili do të shpallet në datën 8 mars.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *