Prokurorja e Apelit, Fatjona Memçaj drejt rikonfirmimit në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk konstatoi fshehje të pasurisë apo shkelje të tjera, ndërkohë që prokurorja e Apelit të Tiranës, Fatjona Memçaj e cilësoi hetimin administrativ si “të drejtë dhe të saktë” dhe kërkoi rikonfirmimin në detyrë.

Trupa gjyqësore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjatë seancës dëgjimore të prokurores së Apelit Tiranë, Fatjona Memçaj.

Trupa gjyqësore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe prokurorja e Apelit të Tiranës, Fatjona Memçaj u ndanë në paqe gjatë seancës dëgjimore të së hënës, duke dhënë sinjalet për rikonfirmimin e mundshëm të saj në detyrë.

Trupa e kryesuar nga Alma Faskaj, me relator Roland Ilian dhe anëtare Firdes Shulin deklaroi se hetimi administrativ për prokuroren Memçaj përfshiu të tre kriteret e rivlerësimit; pasurinë, integritetin e figurës dhe aftësitë profesionale. Raportet e administruara nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK evidentuan “burime të ligjshme të pasurisë” dhe përshtatshmërinë me detyrën për prokuroren Memçaj.

Por pavarësisht përgjigjeve pozitive, relatori Ilia deklaroi se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kreu një proces të thelluar dhe të pavarur hetimi mbi deklaratat e pasurisë dhe llogaritjen e të ardhurave dhe shpenzimeve si dhe mbi disa dosje penale të hetuara nga Memçaj si dhe dy denoncime të mbërritura në adresë të saj.

Fatjona Memçaj ka qenë subjekt i deklarimit të pasurisë prej vitit 2003, kur kryente detyrën e prokurores pranë Prokurorisë së rrethit Tiranë. Në vitin 2007, Memçaj ka punuar si drejtoreshë e Koordinimit Ligjor në Presidencë, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në fund të vitit 2012. Më pas, Memçaj është emëruar drejtore kabineti në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prej vitit 2013 mban pozicionin e prokurores së Apelit në Tiranë.

Sipas relatorit të çështjes, prokurorja Fatjona Memçaj zotëron një apartament banimi 96 metra katrorë në Tiranë, i blerë për 27 800 dollarë, një automjet, një motor “Vespa” dhe llogari bankare të subjektit dhe personave të lidhur me të. Sipas analizimit të deklaratave periodike të pasurisë nga BIRN, Memçaj zotëron llogari bankare në vlerën e rreth 1.2 milionë lekëve dhe kursime në cash në vlerën e 1.4 milionë lekëve.

Prokurorja Fatjona Memçaj, e cila u ballafaqua me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit pa praninë e një avokati vlerësoi procesin.

“Rezultatet e hetimit janë të sakta dhe të drejta. Nuk kam asnjë kontestim,” tha ajo gjatë seancës dëgjimore. “Kërkoj konfirmimin në detyrë,” shtoi më tej.

Fatjona Memçaj është është subjekti i gjashtë që përballet me procesin e vetingut, pas tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, Vitore Tusha dhe Altina Xhoxhaj, gjyqtarit të Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva dhe prokurores së Apelit Shkodër, Besa Nikëhasani. Nga subjektet e mësipërme, vetëm Tusha është rikonfirmuar në detyrë.

Pas seancës dëgjimore të së hënës, trupi gjykues deklaroi se vendimi për prokuroren e Apelit të Tiranës, Fatjona Memçaj do të shpallet më 3 maj.