Prokurorja Irena Çunoti Qeleshi pas seances degjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Prokurorja Irena Çunoti jep shpjegime për burimet e pasurisë

Prokurorja e Korçës, Irena Çunoti Qeleshi u përball të mërkurën më 17 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për bilancet negative të konstatuara në kriterin e pasurisë si dhe për gjetjet në aspektin profesional. Ajo u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe në fund të parashtrimeve të saj, kërkoi konfirmimin në detyrë.

Procesi i vetingut për prokuroren Qeleshi po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Etleda Çiftjen dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Irena Çunoti Qeleshi e ka filluar karrierën si prokurore në Korçë në vitin 1987.

Subjekti ka deklaruar një banesë dy kate + bodrum në Korçë, me vlerë totale 12.6 milionë lekë, pasuri në bashkëpronësi me nënën e saj. Ajo ka shpjeguar se punimet kanë filluar në vitin 2007 dhe se shtëpia është bërë e banueshme në vitin 2010.

Si burime krijimi të kësaj pasurie, Qeleshi ka deklaruar çeljen e trashëgimisë ligjore nga babai i ndjerë pasi ai ka ndërruar jetë, të ardhurat e saj dhe të bashkëshortit, si dhe një kredi.

KPK ka hetuar depozitën e babait të subjektit, të trashëguar nga kjo e fundit dhe e ëma, si trashëgimtare ligjore. Çiftja sqaroi se depozita është çelur në vitin 2005 më vlerën 30 mijë USD. Për këtë shumë, babai i Qeleshit ka rezultuar në pamundësi financiare në masën 2.5 milionë lekë. Ndërkohë, ka rezultuar se ai ka pasur mundësi për depozitimin e një shume 5000 USD në vitin 2007.

KPK nuk ka gjetur probleme në transaksionet e kryera për kredinë dhe ka përfshirë në analizën financiare të gjitha të ardhurat e subjektit dhe bashkëshortit të saj, që janë dokumentuar.

Si pasojë e pamundësisë së babait të subjektit për depozitën, që më vonë është deklaruar se është përdorur për investimin në këtë banesë, ka reuzultuar bilanc negativ në shumën 2.3 milionë lekë për krijimin e kësaj pasurie.

Prokurorja Qeleshi deklaroi se depozita është përfituar në cilësinë e trashëgimtares ligjore pas vdekjes së babait prej saj dhe nënës. Ajo pretendoi se babai nuk mund të cilësohet si person i lidhur, pasi nuk ka pasur detyrimin për të deklaruar burimin e pasurive të tij.

Sipas subjektit, prindërit kanë punuar gjithë jetën. Po ashtu, ajo shtoi se dhe vëllai i ndjerë që ka ndërruar jetë në vitin 1996 ka qenë mjek dhe ka kontribuar në familjen e origjinës me rrogën e tij. Qeleshi kërkoi që të konsiderohen të ardhurat e vëllait, sipas pagave të referencës.

Po ashtu, shtoi se i ati kishte pasur dy vëllezër dëshmorë dhe se për këtë arsye përfitonte 10 mijë lekë pension në muaj. Qeleshi kërkoi që të konsiderohet dhe shuma e përfituar nga shitja e një dyqani prej nënës dhe familjarëve të saj të origjinës, si dhe pjesën e tezes për të cilën shpjegoi se ua kishte dhuruar.

Qeleshi tha se me prapësimet dhe aktet e dorëzuara prej saj, arrihet të provohet me dokumentacion ligjor shuma 21 mijë e 40 USD, nga 30 mijë USd që janë investuar prej të atit në 2005-ën.

Sipas KPK, subjekti ka rezultuar në pamundësi në shumën 678 mijë lekë dhe për krijimin e një depozite 20 mijë USD, me burim të deklaruar të ardhurat në vite.

Qeleshi e kundërshtoi dhe këtë rezultat. Ajo kërkoi që të konsiderohen të ardhurat e saj e të bashkëshortit prej momentin që kanë filluar punë. Ajo shtoi se kishte arritur të gjente shënime të bashkëshortit që tregonin të dhëna për bilancet e shoqërisë, që ua bënte me dije ortakëve. Ajo vërejti se shënimet duket se janë origjinale se letra mbi të cilën është shkruar është e verdhë si pasojë e kohës së gjatë. Sipas subjektit, nëse do të konsideroheshin të ardhurat e bashkëshortit nga aktiviteti sipas shënimeve të tij, atëherë mbulohet shuma 14 mijë USD.

KPK nuk ka gjetur probleme për dy makina, për gjendjen cash si dhe për një dhurim në shumën 870 mijë lekë në favor të subjektit nga nëna e saj.

Ndërkohë, të ardhurat e pretenduara prej prokurores Qeleshi se janë siguruar nga një aktivitet i bashkëshortit, nuk janë konsideruar pasi ka rezultuar se nuk janë paguar detyrimet tatimore për fitimet e shpërndara.

Çiftja tha se nga analiza financiare e kryer në momentet e krijimit të pasurive rezulton bilanc negativ në masën prej rreth 3 milionë lekësh.

Në seancë u trajtua edhe një transfertë prej rreth 30 mijë dollarësh drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shpenzime shkolle, e kryer nga bashkëshorti subjektit në vitin 2004 në favor të shtetasit M.C..

Sipas Çiftjas, subjekti ka shpjeguar se kjo vlerë e transferuar nga bashkëshorti është e shokut të tij të ngushtë, i cili ia ka dërguar të birit.

KPK konstaton se Qeleshi ka depozituar dokumentacion që vërteton ushtrim të aktivitetit tregtar nga shoku bashkëshortit të saj, por mungojnë dokumente për të ardhurat e ligjshme. Relatorja tha se duket se mungon dokumentacioni ligjor për burimet e shumës së transferuar.

Qeleshi deklaroi se nuk kishte pasur dijeni për këtë transfertë në momentin që ishte kryer. Ajo pretendoi se me dokumentet që kishte dorëzuar, situata ishte e qartë se bashkëshorti e ka kryer transfertën për llogari të shokut të tij.

Qeleshi u pyet dhe për dhurimin e një automjeti bashkëshortit të saj në vitin 2001. Ajo deklaroi se dhuruesi ishte mik i vjetër i bashkëshortit dhe se kishte emigruar prej vitit 1991 në Gjermani. Sipas subjektit, bashkëshorti i kishte ndihmuar pa pagesë për instalimet e një banese që kishin ndërtuar dhe se shoku i tij i kishte kthyer nderin duke i dhuruar automjetin.

Figura dhe profesionalizmi

Prokurorja Qeleshi mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndërkohë që dha shpjegime për disa gjetje në kriterin profesional.

Sipas KPK, subjekti duket se ka vendosur pushim të hetimeve për një çështje me objekt këmbim valutor të paligjshëm, duke u bazuar vetëm në thëniet e të dyshuarit, duke mos kryer verifikime të tjera.

Subjekti deklaroi se ka verifikuar dhe ndaj të dyshuarit nuk kishte pasur ndonjë të dhënë apo dosje policore për këtë veprim. Ajo theksoi se nuk qëndron pretendimi i KPK-së  se ka pasur informacione që konfirmonin se i dyshuari e kishte kryer aktivitet të paligjshëm.

Lidhur me konstatimin e KPK, se subjekti nuk kishte konsideruar faktin se i dyshuari kishte qenë i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale, Qeleshi tha se nuk e kishte disponuar një provë të tillë. Ajo tha se i dyshuari kishte rezultuar i padënuar dhe se kur kishte marrë dijeni se kishte qenë i rehabilituar, çështja ishte pushuar.

KPK konstaton se Qeleshi ka marrë të pandehur një person për vjedhje të energjisë elektrike, megjithëse mungonte elementi subjektiv i veprës penale. Sipas Komisionit, në këtë rast nuk mund të ngrihej akuzë pasi nuk ekzistonte vepra penale.

Subjekti tha se kërkesa e saj ishte miratuar nga gjykata që e kishte dënuar të pandehurin dhe po ashtu Apeli e kishte konfirmuar. Sipas Qeleshit, i pandehuri jo vetëm që kishte ndërhyrë në linjën e shpërndarjes së energjisë në mënyrë të paligjshme, por as nuk e kishte paguar. Ajo solli në vëmendje se nisur nga situata se i pandehuri kishte deklaruar se e kishte kryer lidhjen pasi duhej të mësonin fëmijët, kishte kërkuar pezullimin e dënimit.

Në vijim Qeleshi dha shpjegime për një vendim mosfillimi, lidhur me një kallëzim për falsifikim dhe shpërdorim detyre. Ajo tha se vendimarrjen e kishte bazuar vetëm mbi materialin kallëzues dhe se pala kallëzuese kishte vijuar me gjykimin e mosmarrëveshjes civile, ashtu si dhe kishte arsyetuar në vendimin e mosfillimit.

Komisioni konstaton se subjekti ka pushuar një çështje duke mos hetuar për vrasje lidhur me vdekjen e një shtetasi. Sipas KPK-së, Qeleshi është bazuar në një shtesë ekspertimi, ku mjekët ligjorë shprehen se viktima ka ndërruar jetë nga përplasja në mjet të fortë e të mprehtë, ndërkohë që asfalti i rrugës ku është gjetur nuk mund të konsiderohet si mjet i mprehtë. Po ashtu, janë gjetur dy plagë. Sipas KPK, nuk janë konsideruar deklarimet e një personi se kishte parë dy persona.

Qeleshi shpjegoi se viktima i kishte pasur plagët nga e njëjta anë dhe shumë pranë. Sipas saj, nëse do të kishte në të dy anët, atëherë mund të ngriheshin dyshime se e kishin qëlluar. Subjekti deklaroi se viktima njihej si person i qetë, por dhe që konsumonte alkool dhe mezi ecte rrugës.

Prokrorja Qeleshi tha se personi që kishte deklaruar se kishte parë dy persona, në momentin e parë pasi ishte gjetur viktima nuk e kishte pohuar një gjë të tillë. Ajo theksoi se ekspertët kishin konkluduar se vdekja kishte ardhur si paosjë e rrëzimit, ku koka i kishte rënë në trotuar, ndërsa trupi në asfalt. Qeleshi shtoi se vëllezërit e viktimës nuk e kishin ankimuar vendimin e pushimit.

Lidhur me konstatimin e KPK, se duket se subjekti kishte favorizuar me dënimin e kërkuar dhunuesin e një gruaje shtatëzënë, Qeleshi deklaroi se masa e kërkuar prej saj ishte cilësuar e rëndë nga gjykata, që kishte caktuar një dënim më të lehtë.

Prokurorja Qeleshi pranoi konstatimin e KPK lidhur me moskualifikimin e drejtë të akuzës për vrasjen e një të mituri, duke mos e cilësuar si vrasje në rrethana të tjera cilësuese. Ajo tha se kjo kishte ndodhur pasi dhe autori kishte qenë i mitur. Subjekti shtoi se është duke e korrigjuar gabimin e saj, pasi Gjykata e Lartë e kishte kthyer për rigjykim.

Në përfundim, prokurorja Irena Çunoti Qeleshi kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 18 korrik, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *