Trupa gjyqësore gjatë shpalljes së një vendimit.
KPK Lajme

Prokurorja Ollga Visi u dorëhoq pasi u njoh me rezultatet e vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 30 nëntor të ndërpresë procesin e rivlerësimit për prokuroren e Korçës, Ollga Visi për shkak të dorëheqjes së saj nga statusi i magjistratit. Po ashtu, është vendosur ndalimi i rikthimit të këtij subjekti rivlerësimi në funksione në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Në vendimin e arsyetuar të Komisionit sqarohet se prokurorja Visi u shortua për t’ju nënshtruar procesit të rivlerësimit në dhjetor të vitit 2020. Në shtator të 2023-it, KPK i ka njoftuar subjektit rezultatet e hetimit administrativ dhe i dha dy javë kohë për t’u njohur me aktet. Në mbarim të këtij afati, Visi ka paraqitur në Komision një kërkesë drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP për pension të parakohsshëm dhe ndërprerje të statusit të magjistratit.

Në vijim prokurorja Visi ka riinformuar Komisionin se i është drejtuar me kërkesë KLP-së të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit, por duke hequr dorë nga kërkesa për të dalë në pension të parakohshëm. Pasi Komisioni është njohur me vendimin e KLP për mbarimin e statusit të magjistratit të prokurores Visi për shkak të dorëheqjes së saj, si dhe pasi subjekti ka informuar se nuk e ka ankuar vendimin e nuk dëshiron të marrë pjesë në seancë dëgjimore, ka vendosur të ndërpresë procesin e vetingut bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës.

Po ashtu, është vendosur ndalimi i emërimit të saj për një periudhë 15-vjeçare si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *