Drejtuesja e Prokurorisë së Fierit, Violeta Shkurta pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Prokurorja Violeta Shkurta jep shpjegime në KPK për balancat negative për pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi pamundësi financiare në vlera të mëdha për krijimin e pasurive nga prokurorja e Fierit, Violeta Shkurta, si dhe e vlerësoi të padrejtë përfitimin e një kredie të butë, ndërkohë që zotëronte dy apartamente. Shkurta tha se pasurinë e kishte krijuar me burime të ligjshme dhe kërkoi çeljen e hetimit për dy kriteret e tjera.

Drejtuesja e Prokurorisë së Fierit, Violeta Shkurta pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Seanca e dytë dëgjimore e zhvilluar për drejtuesen e Prokurorisë së Fier, Violeta Shkurta zgjati rreth katër orë pasditen e të mërkurës, ku Komisioni i Pavarur i Kualifikimit relatoi pamundësi financiare në vlera të mëdha, ndërsa Shkurta tha se kishte vërtetuar ligjshmërinë e burimeve.

Kryesuesja e trupit gjykues, Fides Shuli bëri me dije në fillim të seancës se hetimi administrativ për prokuroren Shkurta ishte përmbyllur vetëm për kriterin e pasurisë. Prokurorja Shkurta kërkoi çeljen e hetimit për dy kriteret e tjera; profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës, por në seancë u bë me dije se shqyrtimi do të kryhej pas parashtrimeve përfundimtare.

Violeta Shkurta e ka nisur karrierën si oficere e policisë gjyqësore në vitin 1989 dhe punon prej gati dy dekadash si prokurore në Prokurorinë e Fierit. Prej vitit 2019, Shkurta është promovuar si drejtuese e përkohshme e Prokurorisë së Fierit.

Në trupin gjykues që po kryen procesin e vetingut për Shkurtën, veç kryesueses Firdes Shuli bëjnë pjesë edhe komisionerët Xhensila Pine dhe Olsi Komici, ky i fundit relator. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.

Mungesë burimesh për pasuritë

Komisioni konstatoi pamundësi burimesh për pagesën e çmimit të dy apartamenteve në Fier, një të përfituar nëpërmjet privatizimit me autorizim të vitit 1992 dhe tjetrin të blerë në vitin 2006.

Sipas relatorit Komici, subjekti ka shpjeguar se prej vitit 1992 deri në vitin 2002 ka jetuar së bashku me familjen në dhomën që gjendet tek ish-hotel Vjosa, që i është dhënë me autorizim si e pastrehë. Shkurta ka deklaruar se Bashkia e Fierit ia ka shitur këtë pronë në vitin 2011 për një shumë prej rreth 200 mijë lekësh.

Si burim krijimi për pagesën e kësaj pasurie, Shkurta ka deklaruar një hua në vlerën 10 mijë euro të marrë prej motrës së bashkëshortit në vitin 2011. Ajo ka shpjeguar se rreth 200 mijë lekë nga huaja kanë shërbyer për pagesën e apartamentit të privatizuar; 500 mijë lekë për mbylljen e një kredie të marrë në 2006-ën; 200 mijë lekë për kurimin e vjehrrit dhe 200 mijë lekë për mobilim.

Komici pohoi se nga analiza financiare ka rezultuar se huadhënësja nuk ka pasur mundësi për kursimin e vlerës 10 mijë euro.

Prokurorja Shkurta sqaroi në seancë se nuk bëhej fjalë për apartament, por për një dhomë. Ajo këmbënguli se huadhënësja kishte pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për kursimin e shumës 10 mijë euro, pasi kishte qenë anëtare e këshillit mbikëqyrës në një shoqëri për disa vjet dhe se ishte paguar me honorare 30 mijë lekë në muaj bruto. Shkurta shtoi se kunata ishte martuar në vitin 2008 me një person që zotëron një shoqëri automjetesh që prej vitit 1996 dhe se ka pasur të ardhura të konsiderueshme. Ajo pretendoi se nga analiza financiare e kryer prej një eksperti kontabël të pajtuar prej saj, huadhënësja rezultonte me balancë pozitive.

Për apartamentin tjetër me sipërfaqe 180.3 m2 të blerë në vitin 2006 kundrejt çmimit 8 milionë lekë, në seancë u renditën një sërë problemesh. Komici shpjegoi se apartamenti ishte vendosur si garanci për një kredi në shumën 4.5 milionë lekë të marrë po atë vit, që është deklaruar prej subjektit si një prej burimeve të krijimit.

Komisioni konstaton pamundësi të subjektit për pagesën e këstit të parë në shumën 2.5 milionë lekë në vitin 2005, ku si burim janë deklaruar të ardhurat e bashkëshortit nga puna në emigracion, vlera e shitjes së aktivitetit të një bingoje nga bashkëshorti në shumën 1.9 milionë lekë si dhe të ardhura nga aktiviteti i tij privat.

Komici pohoi se nuk ka qenë e mundur të provohen të ardhurat e përfituara nga emigracioni. Ndërkohë, ai e cilësoi të paqartë nëse bashkëshorti i subjektit kishte shitur aktivitetin e bingos apo kishte shitur pajisjet dhe i kërkoi shpjegime Shkurtës në fund të seancës.

Prokurorja Shkurta shpjegoi se bashkëshorti kishte blerë pajisjet, të cilat ia kishte dhënë fillimisht me qira një shoqërie tjetër, e cila kishte hapur degën e saj në Fier. Ajo deklaroi se kishte siguruar informacion nga Ministria e Financave për hapjen e degës së kësaj shoqërie në Fier që quhej AS, si dhe për punësimin e një personi që e administronte. Shkurta shtoi se kishte dorëzuar kontratën noteriale të shitjes së pajisjeve.

Lidhur me të ardhurat e bashkëshortit në emigracion, Shkurta deklaroi se ishte fakt i njohur që në atë periudhë në shtetin grek punohej në kushtet e informalitetit. Ajo kërkoi që të konsideroheshin si burime të ligjshme shuma 1.9 milionë lekë të përfituara nga shitja e pajisjeve të bingos si dhe të ardhurat nga puna e bashkëshortit. Subjekti kërkoi që të vlerësohej edhe parimi i proporcionalitetit, duke sjellë në vëmendje faktin se vetëm për një pjesë të vogël të çmimit të apartamentit ishin deklaruar burime për të ardhurat nga puna në emigracion dhe para vitit 2000.

Sipas Shkurtës, konsiderimi i vlerës së deklaruar si të përfituar nga qiradhënia e pajisjeve të bingos si shpenzim dhe investim njëkohësisht, ishte pasaktësi në analizën financiare të KPK.

“Të rishikohet analiza financiare e periudhës 1992-2002 bazuar edhe në dokumentet e reja që do të dorëzoj në këtë séance,” kërkoi Shkurta, duke pretenduar se e kishte përmbysur këtë barrë prove.

Ajo e cilësoi të gabuar edhe konstatimin e KPK-së për balancën negative në shumën 2.7 milionë lekë për pagimin e këstit të dytë në vlerën 800 mijë lekë.

Nga hetimi ka rezultuar se kredia që është deklaruar se ka shërbyer për pagesën e këstit të tretë, është disbursuar pas lidhjes së kontratës së porosisë në vitin 2005 të cilën është përcaktuar se çmimi është likujduar jashtë zyrës noteriale. Sipas KPK-së, ishte i paqartë destinacioni përfundimtar i kredisë dhe për këto arsye nuk e ka konsideruar në analizën financiare.

Prokurorja Shkurta deklaroi se kontrata ishte nënshkruar në mirëbesim pasi apartamenti nevojitej të vendosej si kolateral për kredinë. Ajo theksoi se kishte provuar me anë të mandat pagesave se vlera e marrë kredi ishte paguar për llogari të palës shitëse.

KPK ka konstatuar të dyshimtë deklarimin e subjektit se për mobilimin e apartamentit me sipërfaqe 180.3 m2 janë shpenzuar vetëm 300 mijë lekë. Shkurta deklaroi në seancë se për mobilimin ishin përdorur edhe mobiliet e mëparshme që familja e saj kishte disponuar, si dhe kishin ndihmuar të afërm me profesion marangoz.

Komisioni ngriti gjithashtu dyshime lidhur me burimet e një shume 6 milionë lekë të depozituar nga një 20-vjeçar në llogarinë e bashkëshortit të subjektit në vitin 2001.

Megjithëse subjekti ka deklaruar se kanë qenë të ardhura nga aktiviteti i bashkëshortit dhe kursime, KPK konstaton se vlera 6 milionë lekë kishte qenë fillimisht e depozituar në llogarinë e 20-vjeçarit dhe më pas ishte kaluar në llogarinë e bashkëshortit të prokurores. Komici sqaroi se subjekti ka deklaruar gjatë hetimit se i riu ishte djali i shokut të bashkëshortit dhe se ky i fundit i’a kishte dhënë për t’i depozituar në bankë.

“Si mund t’i jepet një djali një shumë aq e madhe?” pyeti Komici.

Shkurta sqaroi në seancë se në dijeninë e saj, 20-vjeçari e kishte depozituar shumën direkt në llogarinë e bashkëshortit të saj. “Nuk e di pse ia ka dhënë. Pyetja ime është se përse nuk u ble në atë kohë një apartament me atë shumë, pasi kishim nevojë për strehim,” pohoi Shkurta.

Pas insistimit të kryesueses Shuli, Shkurta tha se bashkëshorti i kishte shpjeguar se e njihte punonjësen e bankës pasi kryente shpesh transaksione dhe se i kishte thënë se do të dërgonte një djalë për të depozituar shumën 6 milionë lekë.

Nga analiza përfundimtare financiare për periudhën 1992-2002, KPK ka konstatuar balanca negative në vlerën totale 13.9 milionë lekë, ndërsa për periudhën e rivlerësimit 2003-2019 shumën 10 milionë lekë.

Shkurta pranoi se kishte kryer pasaktësi në deklarime, por fajësoi ILDKPKI-në që nuk kishte kryer saktësimet në kohën e duhur. Ajo kërkoi që të konsiderohen provat dhe shpjegimet e saj duke pretenduar se balancat negative përmbyseshin.

Kredia e butë

Një tjetër gjetje e Komisionit lidhej me një kredi të butë të përfituar nga Bashkia e Fierit në vitin 2011, e cila shërbeu si burim për shlyerjen e kredisë së marrë për blerjen e apartamentit në vitin 2006.

Komici tha se nga verifikimi i situatës faktike të subjektit, duket se ajo nuk plotësonte kushtet për të përfituar kredi të butë si e pastrehë në 2011-ën, pasi zotëronte dy apartamente, një të marrë në përdorim që prej vitit 1992 dhe të privatizuar disa muaj para se të shpallej fituese dhe tjetrin të blerë në vitin 2006.

Sipas KPK-së, subjekti ka ndryshuar destinacionin e kredisë, pasi nuk e ka përdorur për strehim, por për shlyerjen e një kredie tjetër. Komici tha se subjekti është pyetur nëse ka kryer hetime ndaj zyrtarëve të Bashkisë Fier apo kryetarit të atëhershëm, Baftjar Zeqaj.

Shkurta tha se kishte provuar dhe shpjeguar se nuk kishte zhvilluar asnjëherë hetime ndaj zyrtarëve apo ish-kryetarit të Bashkisë Fier. Ajo këmbënguli se kredinë e kishte përdorur për strehim dhe se kishte fituar statusin si e pastrehë në përputhje me ligjin.

Subjekti shpjegoi se kishte jetuar në një dhomë 36 m2 prej vitit 1992 deri në 2002-shin së bashku me bashkëshotin dhe dy fëmijët. Ajo deklaroi se në momentin kur kishte kryer aplikimin për kredinë e butë, kishte zgjidhur martesë me bashkëshortin dhe në ato kushte i nevojitej një apartament i saj. Shkurta u mbrojt duke pretenduar se nuk kishte pasur si qëllim të shlyente kredinë, por këtë gjë ia kishin sugjeruar punonjësit e bankës, që sipas saj ishte e njëjta ku kishte marrë kredinë në vitin 2006.

Sipas Shkurtës, vendimi i Këshillit të Bashkisë Fier ishte dhënë para se të përmbyllej privatizimi për dhomën në ish-hotel Vjosa. Ajo shtoi se në aplikimin që kishte kryer, kishte dorëzuar dokumentacion edhe për apartamentin e blerë në 2006-ën, që e kishte vendosur si koletaral. “Nuk kam bërë asgjë të jashtëligjshme. Edhe unë si gjithë shtetasit e tjerë kam të drejtë të përfitoj kredi të butë,” theksoi Shkurta.

Në fund të seancës, prokurorja Shkurta deklaroi se e konsideronte shumë të rëndësishme që të rivlerësohej edhe për profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës me qëllim që të konkludohej nëse kishte arritur nivele të besueshme dhe në këto kritere dhe kërkoi riçeljen e hetimit.

KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më 26 nëntor, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *