Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Durrës, Arben Vrioni, duke hyrë në një seancë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto : LSA
KPA Veting

Provat e Arben Vrionit në KPA u vlerësuan të pamjaftueshme

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka vlerësuar të bazuara një pjesë të shkaqeve të ankimit të ish-gjyqtarit të Apelit Durrës Arben Vrioni, por ato u vlerësuan të pamjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Komisionit për shkarkimin e tij, për shkak të mungesës së burimeve financiare për një apartament në Elbasan dhe balancat negative në dy vite.

Me vendimin e 12 nëntorit 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK e shkarkoi nga detyra gjyqtarin Vrioni pasi u konkludua se kishte mungesë të burimeve për krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve; u ngritën dyshime për mosdekdeklarim të vlerës reale të blerjes së automjetit në pronësi të tij, duke u konsideruar si një mënyrë indirekte fshehje pasurie; si dhe u ngritën dyshime se subjekti ka deklaruar një marrëdhënie fiktive huaje, me qëllim mbulimin e të ardhurave të pajustifikuara që kanë shërbyer për shkollimin e vajzës së tij.

Gjyqtari Arben Vrioni e quajti të padrejtë dhe të pabazuar vendimin e KPK dhe ngriti një sërë shkaqesh me natyrë procedurale dhe ndaj konkluzioneve për pasurinë duke kërkuar në përfundim konfirmimin e tij në detyrë.

Cënimi procesit të rregullt ligjor

Trupi gjykues i KPA i kryesuar Rezarta Schuetz, me relator Ardian Hajdarin dhe anëtarë Ina Rama, Albana Shtylla dhe Sokol Çomo, e ka gjetur të drejtë shkaku e ngritur në ankim për cënim të procesit të rregullt ligjor në drejtim të mosgarantimit të zbatimit të dispozitave procedurale.

Kolegji vëren se dispozitivi i vendimit të KPK ishte nënshkruar nga të tre anëtarët e trupës, kryesuesja Firdes Shuli, relatorja Pamela Qirko dhe anëtarja Alma Faskaj, ndërsa vendimi i plotë nuk është nënshkruar nga kjo e fundit. Sipas KPA, mungesa e nënshkrimit të Faskajt në vendimin e plotë afektonte vetëm pjesën arsyetuese të tij.

Me vendim të ndërmjetëm, KPA ka kthyer çështjen për rishqyrtim me qëllim korrigjimin e gabimit procedural nga ana e Komisionit, si dhe e ka kaluar për shqyrtim në seancë publike duke lejuar marrjen e provave të subjektit lidhur me pretendimet e ngritura prej tij.

“Në këtë mënyrë, trupi gjykues zgjidhi pretendimin e subjektit të rivlerësimit lidhur me shkeljen procedurale nga ana e Komisionit në kuadër të procesit të rregullt ligjor, edhe pse vlerësohet se mungesa e nënshkrimit në vendim të njërit prej anëtarëve të Komisionit, nuk afektonte të gjithë vendimin objekt shqyrtimi”, vlerëson Kolegji.

Shkaqet procedurale

KPA ka rrëzuar pretendimin e subjektit se përfundimi i hetimit administrativ vetëm për kriterin e pasurisë është në shkelje të ligjit. “Komisioni dhe Kolegji kanë të drejtë për të konkluduar me vendim, qoftë edhe vetëm për njërin nga kriteret[…]”, vëren Kolegji.

Janë çmuar si të pabazuara edhe pretendimet se nuk është gjykuar nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme pasi ka kërkuar përjashtimin e trupës gjykuese, si dhe nuk i janë garantuar të drejtat për t’u mbrojtur. Sipas KPA, nga verifikimi dosjes rezulton se Vrionit i janë dhënë gjithë mundësitë dhe garancitë për t’u mbrojtur, ndërkohë që kërkesa e tij për përjashtim të trupës për shkak të përfundimit të hetimit vetëm për pasurinë, është gjetur e pambështetur në ligj.

Po ashtu është gjetur i pabështetur në ligj e prova dhe shkaku i ankimit se vendimi shkarkimit të tij është marrë nga një trupë ku anëtarët nuk plotësojnë kriterin kushtetues për të qenë gjyqtar. Sipas trupit gjykues, pretendimi i ngritur lidhur me mospërmbushjen e kritereve ligjore për zgjedhshmërinë në detyrë të komisionerëve, tejkalon kompetencat juridiksionale të Kolegjit.

Në vijim KPA ka rrëzuar pretendimin e Vrionit se vendimi i KPK ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën kur i ka kaluar barrën e provës duke e detyruar të provojë të kundërtën e dyshimeve dhe konstatimeve me prova që i përkasin një periudhe të gjatë kohe, që para fillimit të detyrës.

“I takonte plotësisht subjektit të rivlerësimit të përgatiste më mirë mbrojtjen dhe të siguronte çdo dokument në mbështetje të mbrojtjes së tij. Ishte detyrë e subjektit të rivlerësimit të tregonte se kishte ndërmarrë të gjithë hapat për të siguruar prova në mbështetje të pretendimeve të tij, në përfundim të të cilave Komisioni do të përcaktonte nëse mosmarrja e ndonjë dokumenti mbështetës ishte justifikuar për shkaqe të arsyeshme”, argumenton KPA.

Vrioni është rrëzuar edhe në pretendimin se Komisioni ka tejkaluar kompetencat e tij, duke marrë edhe atributet e mjekut kardiolog dhe të përcaktimit të gjendjes së tij shendetësore, pasi ka konkluduar se gjendja shëndetësore nuk do të merret në konsideratë në shqyrtimin e një kërkese për tu mbrojtur me avokat, për shkak se problemet shëndetësore kishin ndodhur pesë muaj më parë. Ai e cilëson të padrejtë dhe në cënim të të drejtave themelore e lirive të njeriut rrëzimin e kërkesës për avokat mbrojtës.

KPA vëren se subjekti ka paraqitur tre kërkesa në seancën e 20 nëntorit 2019, kur fillimisht ka kërkuar rihapjen e hetimit administrativ edhe për dy kriteret e tjera, të kontrollit të figurës dhe atë të vlerësimit profesional. Pas refuzimit të kësaj kërkese nga Komisioni ai ka kërkuar menjëherë përjashtimin e trupit gjykues dhe në vijim ka kërkuar të mbrohet me avokat për shkak të kushteve shëndetësore të cilat ka rezultuar se i dinte prej pesë muajsh.

Ashtu si KPK, edhe Kolegji vlerëson se kjo sjellje e subjektit krijon bindjen se ai me çdo kusht tentonte të zvarriste procesin. Ky konstatim ka rrëzuar edhe pretendimin tjetër ndaj konstatimit të KPK, se subjekti nuk ka qenë bashkëpunues. “[…]Është evidentuar tendenca e subjektit të rivlerësimit për zvarritjen e procesit të rivlerësimit të tij, dhe me të drejtë Komisioni nuk e ka vlerësuar bashkëpunues[…], citohet në vendim.

Vlerësimi për pasurinë

Kolegji e ka gjetur të drejtë konkluzionin e KPK për pamundësinë e gjyqtarit Vrioni për blerjen me burime të ligjshme të apartamentit me sipërfaqe 157 m2 në Elbasan. Megjithëse subjekti ka pretenduar se konkluzioni i KPK nuk është në përputhje me provat e administruara, Kolegji vëren të kundërtën.

“Ajo që nuk përputhet me provat e administruara gjatë procesit administrativ, është deklarimi i subjektit të rivlerësimit në pyetësorin nr. 2 në lidhje me regjistrimin e kësaj prone nga ana e shoqërisë në vitin 2015, ndërkohë që administratori i shoqërisë, sipas konfirmimit të ZVRPP-së Elbasan, e ka regjistruar apartamentin që në vitin 2004, shënuar në kartelën e pasurisë”, konstaton KPA.

Trupi gjykues vëren se balanca negative në shumën 4.5 milionë lekë e konstatuar nga Komisioni, ka rezultuar e njëjtë edhe në KPA.

Po ashtu, Kolegji ka konsideruar të pabazuar pretendimin e subjektit lidhur me balancat negative në vitet 2005 dhe 2009. Sipas KPA, subjekti nuk ka pasqyruar në deklaratat periodike për këto vite gjendje cash dhe për rrjedhojë rrezulton me pamundësi financiare për mbulimin e shpenzimeve.

Ndërkohë, Kolegji vlerëson të pabazuar konkluzionin e KPK se subjekti i rivlerësimit është përpjekur të fshehë çmimin real të blerjes së një automjeti tip Benz Mercedes në tetor të vitit 2016 për vlerën 12 mijë USD, që është konsideruar si një prej shkaqeve të shkarkimit në shkallën e parë.

Në analizën e Kolegjit evidentohen të gjitha transaksionet e kryera me këtë mjet, derisa është blerë prej Vrionit. Makina është blerë fillimisht në maj të 2016-ës nga shtetasi A.D. në Gjermani, për shumën 16 mijë e 500 euro, si dhe është kryer zhdoganimi për shumën 460 mijë lekë. Pak ditë më vonë, A.D. rezulton t’ia ketë shitur makinën një shoqërie për vlerën 900 mijë lekë dhe në kontratë është shënuar se mjeti nuk është në gjendje pune. Pas pesë muajve, subjekti e ka blerë Benz-in prej shoqërisë, në shumën 12 mijë USD.

“Në lidhje me shitblerjen e kësaj pasurie, rezulton i paqartë me variacion të dukshëm çmimi i saj nga kontrata në kontratë. Nga ana tjetër, nga verifikimi i llogarisë bankare të subjektit të rivlerësimit, rezultoi se kishte disponibilitet financiar për të blerë automjetin, i cili vërtetohet me tërheqjen prej 20.000 USD nga llogaria e tij bankare, si rrjedhojë kjo e bën të besueshëm faktin që subjekti i rivlerësimit e ka blerë automjetin me çmimin e referuar në kontratën e shitblerjes”, vlerëson KPA dhe çmon se subjekti nuk gjendet në kushtet e fshehjes e për rrjedhojë nuk mund të ketë penalizim për këtë situtatë.

Po ashtu, është gjetur i padrejtë dhe konkluzioni tjetër i Komisionit, për deklarimin e një marrëdhënie fiktive huaje, me qëllim mbulimin e të ardhurave të pajustifikuara që kanë shërbyer për shkollimin e vajzës së tij.

Kolegji vëren se huadhënësi ka pasur mundësi për dhënien e vlerës së deklaruar, ndërsa  transaksionet mbi të cilat janë bazuar dyshimet e KPK, janë vlerësuar se nuk mund të ngrihen në nivelin e një shkaku shkarkimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *