Shkarkohet nga KPK prokurori Ardian Ylli, drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës
Lajme

Shkarkohet nga KPK prokurori Ardian Ylli, drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi shkarkimin nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës Ardian Ylli, pas problemeve që iu gjetën në kriterin e pasurisë.

Senca dëgjimore në KPK ndaj kreu të Prokurorisë së Vlorës, Ardian Ylli, datë 15.07.2019 | Foto : Vladimir Karaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të enjten shkarkimin nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës Ardian Ylli, pas problemeve që iu gjetën në kriterin e pasurisë.

KPK vuri në dukje gjatë seancës dëgjimore se Ylli rezultonte me bilanc negativ pas Analizës Financiare dhe me shpenzime të pambuluara me të ardhura të ligjshme. Anëtarja e Komisionit Valbona Sanxhaktari, e cila i drejtoi pyetje prokurorit në lidhje me dokumentimin e kursimeve të trashëguara nga babai, tha se bëhej fjalë për “një shumë të konsiderueshme” që mbetej e pambuluar.

Ylli vetë pretendoi përmes një analize financiare paralele nga ekspert kontabël se KPK duhej të merrte në konsideratë kursimet që atij ia kishte lënë babai me vlerë 2.2 milion lekë. Ai kërkoi të uleshin shpenzimet për disa zëra përfshi udhëtimet jashtë vendit.

Trupa gjykuese që shqyrtoi çështjen u kryesua nga Roland Ilia, relator i çështjes ishte Olsi Komici dhe anëtare e treshes Valbona Sanxhaktari.

Ylli e ka filluar karrierën në vitin 1994 në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërkohë në vitin 1998 ai është emëruar Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës. Në vitin 2013 Ylli është transferuar si prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier dhe në vitin 2015 është promovuar si drejtues. Në vitin 2017-të Ylli është komanduar si drejtues i Prokurorisë Vlorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *