Skeda e pasurisë së deklaruar-Arben Pasho-drejtues i Prokurorisë së Gjirokastrës
Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar-Arben Pasho-drejtues i Prokurorisë së Gjirokastrës

Kreu i Prokurorisë së Gjirokastrës, Arben Pasho do të përballet të hënën me vetingun. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Drejtuesi i Prokurorisë së Gjirokastrës, Arben Pasho do të përballet të hënën më 13 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjyqësore që po kryen hetimin administrativ për Pashon përbëhet nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Olsi Komici.

Arben Pasho e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si prokuror në Sarandë. Në vitin 2004 ai është emëruar në Prokurorinë e Tepelenës, ndërsa në vitin 2007 është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Ai e drejton Prokurorinë e Gjirokastrës prej vitit 2011.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Arben Pasho nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë së kreut të Prokurorisë së Gjirokastrës, Arben Pasho për vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Arben Pasho zotëronte pasuri me vlerë 4 milionë lekë në vitin 2003, i cili është edhe viti i parë i deklarimit të pasurisë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI.

Në fund të vitit 2017, pasuria e tij familjare llogaritet në vlerën e 6.5 milionë lekëve, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 287 mijë lekësh. Pasuria e deklaruar prej tij ndahet në 4 milionë lekë pasuri të patundshme, 1 milion lekë kursime në cash, automjete me vlerë 1.1 milion lekë si dhe likujditete në bankë prej 440 mijë lekësh.

Përveç pasurisë së mësipërme, Pasho deklaron se ka përfituar përmes testamentit një shtëpi në lagjen muzeale të Gjirokastrës si dhe një zyrë, ndërsa djali i tij është pronar i një apartamenti në Tiranë të përfituar githashtu nga trashëgimia; prona për të cilat nuk deklarohet një vlerë financiare.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 27.8 milionë lekë. Pjesa kryesore e të ardhurave buron nga funksioni i subjektit në masën 63% , ndërsa të ardhurat e bashkëshortes përbëjnë 34%. Një vlerë më e vogël është përfituar nga dhënia me qera e apartamentit në pronësi të djalit, e cila ka kontribuar në buxhetin e familjes në masën 2.33%.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 14 deklaratat që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, asnjëra prej tyre nuk rezulton me diferenca negative mes të ardhurave dhe aseteve.

BIRN ka identifikuar megjithatë disa “flamuj të kuq” në analizën e pasurisë së kreut të Prokurorisë së Gjirokastrës, të cilat lidhen kryesisht me pronat e përfituara nga trashëgimia apo me huamarrjen.

Pjesa më e madhe e pasurisë së Z.Pasho buron kryesisht nga trashëgimia dhe nuk është e vlerësuar në mjete monetare. Më konkretisht, ai ka përfituar një shtëpi dhe truall në lagjen muzeale të Gjirokastrës si dhe një dyqan përmes testamentit në vitin 2015. Gjithashtu edhe djali i tij ka përfituar përmes testamentit nga gjyshja një apartament 123 m2 në Yzberisht të Tiranës.

Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar në këtë analizë lidhet me marrjen e huave për të mbuluar shpenzimet familjare. Drejtuesi i Prokurorisë së Gjirokastrës deklaron një hua 7 mijë euro në vitin 2011, e cila rezulton të jetë shlyer. Ai deklaron të ketë marrë një hua të dytë prej 14 mijë eurosh në vitin 2016, për të mbuluar pagesën për studimet Master të djalit në Holandë. Huaja e vitit 2016 rezulton të jetë shlyer brenda vitit përmes një kredie bankare prej 1 milion lekësh si dhe kursimet e vitit të siguruara nga të ardhurat familjare.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurise se vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurise se vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë për vitin 2009

Deklarata e pasurisë për vitin 2010

Deklarata e pasurisë për vitin 2011

Deklarata e pasurisë për vitin 2012

Deklarata e pasurisë për vitin 2013

Deklarata e pasurisë për vitin 2014

Deklarata e pasurisë për vitin 2015

Deklarata e pasurisë për vitin 2016

Deklarata e pasurisë për vitin 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *