Skeda e pasurisë së deklaruar –Evjeni Sinojmeri –Gjykata e Apelit Tiranë

Skeda
Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Evjeni Sinojmeri do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Evjeni Sinojmeri do të përballet të mërkurën më 28 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e saj të vetingut përbëhet nga Genta Tafa Bungo, Brunilda Bekteshi dhe Suela Zhegu.

Evjeni Sinojmeri ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, ku ka mbajtur pozicionin e anëtares se Gjykatës së Lartë nga viti 2001 deri në vitin 2010. Në vitet 2011-2013, zonja Sinojmeri ka punuar si këshilltare e ministrit të Drejtësisë dhe prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Në shkurt të vitit 2018, Sinojmeri u shkëput nga ushtrimi i funksionit pasi mori një leje 2-vjeçare nga KLD për shkëputje të përkohëshme nga detyra. Në mars 2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor rrëzoi një kërkesë të subjektit për zgjatjen e lejes së papaguar.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarja Evjeni Sinojmeri nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Evjeni Sinojmeri.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, gjyqtarja Evjeni Sinojmeri zotëronte pasuri prej 3.7 milionë lekësh, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e saj familjare ka shënuar një rritje me 13 herë, duke kapur vlerën e 49.4 milionë lekëve.

Subjekti zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme prej 23.2 milionë lekësh, likujditete bankare prej 20.9 milionë lekësh, automjete me vlerë 2.5 milionë lekë dhe kursime të akumuluara në cash prej 2.7 milionë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 82.8 milionë lekë, nga të cilat paga për shkak të funksionit zë gati 24%, ndërsa pagat e familjarëve 60% të të ardhurave totale. Subjekti deklaron gjithashtu të ardhura nga shitja e pasurive të patundshme në masën 4.7% dhe dhurata në cash nga të afërmit në masën 2.1%.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, njëra prej deklaratave rezultoi me probleme.

Subjekti Evjeni Sinojmeri, me të dhënat e deklaruara në vitin 2011 rezulton me burime të pamjaftueshme financiare lidhur me shtesën e aseteve në shumën 1,706,889 lekë.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” transaksionet me pasuritë e patundshme si dhe huatë dhe dhuratat nga familjarët.

Më konkretisht në vitin 2005, subjekti deklaron se ka shitur një truall me sip. 165 m2 dhe punime te kryera mbi të në lagjen “18 Shtatori”, Gjirokastër në shumën 3,900,000 lekë – por nuk ka të dhëna sa është çmimi i krijimit të kësaj pasurie apo investimi i kryer.

Në vitin 2006 deklarohet blerje e dy apartamenteve me burim pakësimin e likuiditeteve cash deklaruar më parë dhe huamarrje nga babai në shumën 6,000 euro.

Në vitin 2008 deklarohet shtim pasurie në shumën 3,500,000 lekë me burim dhurimin nga vjehrri prej shumës së përfituar prej tij nga kompensimi si ish-pronar.

Në vitin 2014, djali i subjektit deklaron dhurata nga gjyshërit në shumën 15,000 USD me rastin e largimit të tij në SHBA.

Nga viti 2014 e në vazhdim, djali i subjektit me bashkëshorten e tij deklarojnë si persona të lidhur të ardhurat dhe ndryshimin  e pasurisë së krijuar nga puna në SHBA, duke rritur ndjeshëm të ardhurat totale familjare. Por në mungesë të shpenzimeve të jetesës është e pamundur të arrihet në konkluzione të sakta lidhur me sa është deklaruar.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata Para Fillimit të Detyrës 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012  

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al