Ish-kryeministri Sali Berisha pas njoftimit të akuzës nga SPAK. Foto | LSA
Lajme

SPAK merr të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri Sali Berisha është thirrur në SPAK të mërkurën, ku i është njoftuar akuza e korrupsionit pasiv, marrja si i pandehur dhe mbyllja e hetimeve ndaj tij dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.

Paraqitja e Berishës në SPAK u bë në praninë e dhjetra mbështetësve që protestuan para dyerve të Prokurorisë së Posaçme. Berisha i cili është hetuar në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, qëndroi për rreth 30 minuta në zyrat e prokurorisë.

Në një deklaratë për mediat dhe mbështetësit e tij të mbledhur në rrugën para godinës së Prokurorisë së Posaçme, Berisha sulmoi prokurorinë se kishte ngritur çështje politike të bazuar sipas tij në mashtrime.

“I pandehur, atë akuzë që kam patur (korrupsion pasiv). Asgjë tjetër përveçse 500 faqe mashtrime, mashtrime. Më ka korruptuar dhëndri im”, tha ai.

Ish-kryeministri sulmoi SPAK dhe listoi një mori çështjes që përshijnë qeveritarët aktualë, që ai aludoi se nuk po hetoheshin.

Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës.

Berisha, 79 vjeç, është zyrtari më i lartë i opozitës në tre dekada që përballet me një situatë të tillë ligjore. Hera e fundit që një ish-kryeministër është përballur me heqje imuniteti, arrestim  dhe proces gjyqësorë ka qenë në vitin 1993, kur mazhoranca e asaj kohe e Partisë Demokratike autorizoi arrestimin dhe përndjekjen e ish-kryeministrit socialist, Fatos Nato.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *