Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK shtyn me 1 javë vendimin për gjyqtaren Altina Xhoxhaj

Trupa gjyqësore e KPK kishte paralajmëruar daljen me vendim, por mori një javë kohë shtesë për të shqyrtuar dokumentet e paraqitura nga gjyqtarja e Kushtetueses, Altina Xhoxhaj dhe llogaritjen e likuiditeteve të saj.

Trupa gjyqësore e KPK-së që po shqyrton rivlerësimin për gjyqtaren Altyina Xhoxhaj.

Ndonëse kishte paralajmëruar dhënien e vendimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i dha vetes edhe një javë kohë të mërkurën për të shqyrtuar dokumentet e reja të paraqitura nga anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj.

Në seancën e shkurtër të së mërkurës, kryesuesja e trupit gjykues, Etleda Çiftja njoftoi shtyrjen e vendimit për gjyqtaren Xhoxhaj më datën 3 maj.

“Për shkak të materialeve të reja të dorëzuara nga subjekti i rivlerësimit, nevojitet më shumë kohë për llogaritjen e likujditeteve,” tha Çiftja.

Altina Xhoxhaj është anëtarja e katërt e Gjykatës Kushtetuese që po ballafaqohet me procesin e vetingut dhe në seancën dëgjimore të 23 prillit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e akuzoi atë për mospërputhje deklarimesh, mosjustifikim dhe mungesë të ardhurash  për kursimet e saj familjare në cash.

Sipas relatores së trupës gjykuese, Brunilda Bekteshi, hetimi administrativ kishte konstatuar mospërputhje mes deklaratave periodike dhe deklaratës së kryer për efektin e vetingut sa i përket apartamentit 101 m2 në Tiranë dhe mosjustifikim të kësaj pasurie në vlerën e 4.8 milionë lekëve. Për një apartament të dytë në Gjirin e Lalzit, KPK ka konstatuar mungesë të ardhurash në vlerën e 450 mijë lekëve si dhe përfitimin e 100 metrave truall më shumë sesa sipërfaqja që i takon.

Bekteshi deklaroi në seancën dëgjimore se gjyqtarja Xhoxhaj kishte deklaruar kursime në vlerën e 6.3 milionë lekëve dhe bashkëjetuesi i saj në vlerën e 61 mijë dollarëve dhe 15 mijë eurove. Sipas Komisionit, subjekti “nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet dhe ka mbajtur vlera monetare në cash përtej limitit ligjor të lejuar”.

Gjyqtarja Xhoxhaj i hodhi poshtë llogaritjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përmes përfaqësueses së saj ligjore dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Sipas saj, apartamenti 101 metra katrorë në rrugën “Reshit Petrela” ishte blerë nga bashkëjetuesi i saj në vitin 2005 dhe sipas saj, të ardhurat e tij e mbulojnë këtë investim.

“Apartamenti në Ishëm është blerë me kontribut të përbashkët dhe është investimi i vetëm që gjyqtarja Xhoxhaj ka bërë në jetën e saj,” tha përfaqësuesja ligjore. Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese kontestoi edhe llogaritë e Komisionit sa i përket kursimeve cash, që sipas vendimit të së mërkurës për shtyrjen e seancës do t’i nënshtrohen llogaritjeve të reja.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *