Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Pikëpyetjet e panumërta mbi pronat rrezikojnë pozitën e gjyqtarit Artur Malaj

Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit, i cili ka punuar më parë si kryetar i Gjykatës së Vlorës u përball me një pafundësi pyetjesh mbi pronat e tij dhe të personave të lidhur me të si dhe raportet e shumta të dyshimeve për korrupsion, ndërsa e deklaroi veten të pastër dhe kërkoi rikonfirmimin në detyrë.

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Administrativ Tiranë, Artur Malaj | Foto : LSA

Artur Malaj, gjyqtar me karrierë të gjatë si kryetar i Gjykatës së Vlorës dhe aktualisht në Gjykatën e Apelit Administrativ në Tiranë, u bombardua me pyetje nga komisionerët e vetingut dhe përfaqësuesja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit mbi mospërputhje në deklaratat e tij pasurore, dyshimet se zotëron një vilë trekatëshe në Vlorë, dyshimet mbi pronat e mëdha të kunatit dhe raportet e panumërta të agjencive ligjzbatuese për dyshimet për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar në njërën prej seancave më e gjata dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit,  të zhvilluar të martën më 31 korrik 2018.

Malaj, 49 vjeç, iu përgjigj në detaje pikëpyetjeve të ngritura duke hedhur poshtë dyshimet e shumta dhe duke kërkuar rikonfirmim në detyrë.

Malaj iu nënshtrua procesit të vetingut me përparësi për shkak të kandidimit të tij për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, institucionit të ardhshëm që do të zëvendësojë inspektoratin aktual të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe që do të ketë për detyrë të hetojë shkeljet e mundshme të gjyqtarëve në të ardhmen.

Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve përbëhej nga Genta Tafa (Bungo) kryetare, Pamela Qirko, relatore dhe Suela Zhegu, anëtare.

Relatorja raportoi se Malaj ka marrë vlerësim pozitiv nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit për pasurinë e tij familjare prej rreth 35.5 milionë lekësh, por Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e kishte vlerësuar atë “të papërshtatshëm” për shkak të një numri të lartë dyshimesh për korrupsion pasiv si dhe për “kontakte të papërshtatshme” me elementë të krimit të organizuar. Qirko shpjegoi në detaje se si komisioni kishte pyetur disa herë, duke kërkuar marrjen në posedim të dokumenteve të klasifikuara “sekret” nga DSIK për të krijuar “bindjen e brendshme” dhe në fund, kishte vendosur rrëzimin e raportit si të pambështetur në prova të besueshme.

Por pavarësisht se raporti i DSIK u rrëzua, problemet e Malajt nuk u duk se u pakësuan. Pasuria e tij familjare është siguruar më së shumti nga puna e bashkëshortes së gjyqtarit si notere fillimisht në Vlorë dhe më pas në Tiranë dhe ajo u vlerësua si e saktë dhe e justifikuar me burime të ligjshme. Por Malajt iu desh të jepte llogari për një apartament të blerë në Tiranë si dhe për raporte nga “agjenci ligjzbatuese”, të cilat flisnin për posedimin nga ai të një vile trekatëshe në Vlorë.

Gjithsesi, pikëpyetjet më të mëdha u ngritën mbi pasuri të shumta që gjenden nën emrat e personave të lidhur, konkretisht kunatit të gjyqtarit. Këto prona përbëhen nga disa apartamente në Vlorë dhe tetë parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej 51 mijë metrash katrorë.

Relatorja shpjegoi se “kishte indicie të shumta” se një vilë trekatëshe pranë shkollës “Halim Xhelo” në Vlorë i përkiste gjyqtarit. Indiciet përfshijnë raportet e “agjencive ligjzbatuese”, të cilat nuk u thanë se cilat ishin, fakti që gjyqtari e ka shënuar këtë shtëpi si adresën e vet zyrtare në deklaratat vjetore të pasurisë për shumë vite si dhe raportime të shumta qytetarësh. Gjatë seancës dëgjimore, komisioni vuri në pah edhe faktin që Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë kishte bërë rezistencë ndaj kërkesave të përsëritura të KPK për informacion mbi këtë pronë dhe mbi pronarët e saj, ndërsa një nga bashkëpronaret e intervistuara nga komisioni kishte dhënë “deklarata kontradiktore” dhe kishte lënë të kuptohej se nuk ishte e lidhur fizikisht me këtë pronë dhe nuk banonte aty.

Shtëpia gjendet e regjistruar nën emrat e pasardhësve të një personi të përshkruar nga Malaj si ish-kryetar i Gjykatës së Vlorës para vitit 1991 dhe avokat në Vlorë deri në ndarjen e tij nga jeta në vitin 2007, me inicialet A.S. Komisioni ngriti pikëpyetje se si ishte përfituar kjo pronë përmes një vendimi gjykate nga A.S.

Malaj iu përgjigj këtyre dyshimeve duke i marrë indiciet një nga një. Ai deklaroi se nuk kishte banuar kurrë në atë pronë dhe se ai e kishte deklaruar si adresë zyrtare për shkak se besonte se ILKPDKI kërkonte adresën ku gjendej Gjendja e tij Civile.

Ai shpjegoi më tutje se gjendja civile familjare e tij gjendet në adresën e vilës në mënyrë rastësore, pasi në atë shtëpi ka banuar me qira për një periudhë kohe vëllai dhe nëna e tij. Ai shpjegoi se në periudhën në fjalë ka jetuar me tezen e tij të paralizuar në një adresë tjetër, duke u kujdesur bashkë me bashkëshorten për tezen, ndërsa mes viteve 2008 dhe 2011 ka jetuar në një nga shtëpitë e të vëllait. Ai shtoi se si kryetar i Gjykatës së Vlorës, nuk kishte pasur rol në një vendim gjyqësor që i dha këtë pronë avokatit të ndarë nga jeta, vendim gjyqësor që kishte pikëpyetje mbi ligjshmërinë, ndërsa argumentoi se avokati që ishte pronar i saj kishte karrierë të gjatë pune dhe rrjedhimisht, burime ekonomike për të pasur një pronë të tillë (krahas dy pronave të tjera).

Vëzhguesja e ONM-së pyeti se si shpjegohej që, përveçse Malaj kishte shënuar këtë vilë si adresë zyrtare për disa vite me radhë megjithëse nuk banonte aty, ai kishte shënuar gjithashtu një numër telefoni fiks, i cili është i identifikuar nga hetimi administrativ me adresë pikërisht në të njëjtën vilë. Malaj vijoi të këmbëngulë se vila nuk i përkiste atij dhe se nuk kishte banuar në të.

Kredi e butë për apartament në Tiranë

Në deklaratat e tij të pasurisë, Malaj rezulton se disponon një apartament me sipërfaqe 106 metra katrorë si dhe dy sipërfaqe toke bujqësore në fshatin Llakatund të Vlorës të marra me ligjin 7501. Por apartamenti në Tiranë ngriti pikëpyetje të mëdha. Malaj e pati deklaruar fillimisht apartamentin si të “porositur” në vitin 2004 dhe të deklaruar në deklaratën vjetore 2005, me vlerë të përafërt 55 mijë euro nga të cilat janë paguar 5 milionë lekë nga një kredi bankare. Në vitin 2005, Malaj ishte kryetar i Gjykatës së Vlorës por deklaroi para komisionit se vendosi ta blejë shtëpinë në Tiranë me një kredi të butë, në të cilën interesat subvencionohen nga taksapaguesit, sepse ai shpresonte që të transferohej në Tiranë bashkë me bashkëshorten.

KPK e hetoi në thellësi këtë marrëdhënie kontraktuale dhe nxori nga dosja e kredisë bankare kontratën e porosisë, në të cilën shkruhej se Malaj kishte paguar “këstin e parë” në masën 20 mijë euro ndërsa vlera e apartamentit ishte 61 mijë euro. KPK konkludoi se Malaj në atë kohë nuk i kishte 20 mijë euro të ligjshme për të paguar këstin e parë. Gjyqtari iu përgjigj duke deklaruar se kontrata e porositjes prej tij e majit të vitit 2004 ishte anuluar dy muaj më vonë për shkak se ai nuk kishte pasur paratë për të paguar këstin e parë. Ai dorëzoi edhe dokumentin e revokimit. Përfaqësuesja e OMN ngriti disa dhjetëra pyetje mbi këtë problem, përfshirë pyetjen se, për shkak se në kontratën e porositjes shkruhej fjalë për fjalë: “kësti i parë është paguar”, si shpjegohej që Malaj, si gjyqtar, kishte pranuar të nënshkruante një dokument noterial që mbarte të dhëna të pavërteta. Malaj pranoi se fakti i paraqitur në kontratë nuk është i saktë. Malaj u pyet gjithashtu se si shpjegohej që një kontratë e anuluar u paraqit prej tij disa muaj më vonë në bankë për të përfituar një kredi të butë si gjyqtar i pastrehë, pavarësisht se ajo ishte e anuluar. Gjyqtari tha se kjo ishte një çështje e parëndësishme, sepse ai do ta merrte kredinë edhe po të mos kishte dërguar asnjë kontratë.

Pyetja e radhës kishte të bënte me faktin se kreditë e buta u jepen gjyqtarëve që nuk kanë banesë në vendin e punës dhe rrjedhimisht ai duhej ta blinte atë në Vlorë. Kjo ishte një çështje që solli shkarkimin javën e kaluar të gjyqtarit Ervin Metalla, i cili u akuzua se kishte përfituar kredi të butë padrejtësisht.

Malaj tha se blerja e shtëpisë në Tiranë lidhej me dëshirën dhe pritshmërinë e tij dhe të bashkëshortes për të jetuar në kryeqytet, dëshirë që iu plotësua në vitin 2013 me emërimin e tij si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit. Ai u pyet gjithashtu se si shpjegohej që, ndonëse kredinë e kishte marrë në vitin 2005, ai e kishte paguar atë për shtatë vite para se të fillonte ta përdorte pronën pas vitit 2011. Malaj tha se firma e ndërtimit ia kishte lënë punimet pas dore dhe se ai nuk kishte qenë në gjendje ta ndiqte në vijimësi për shkak të distancës nga Vlora në Tiranë.

KPK shprehu dyshime për vlerë fiktive të deklaruar për këtë pronë në masën 5 milionë lekë për sipërfaqe ndërtimi afro 117 metra katrorë dhe sipërfaqe të brendshme 107 metra katrorë, shoqëruar me një parking të cilin gjyqtari e ka deklaruar të blerë për 500 mijë lekë. Në këtë zonë, (rruga Irfan Tomini), është e vështirë të blesh një apartament me çmim rreth 300 euro për metër katror. Malaj tha se apartamenti i blerë prej tij ishte në gjendje të papërfunduar, pa pllaka si dhe tregoi një kontratë blerjeje nga fqinji i tij me çmim të përafërt.

Pikëpyetjet më të mëdha sidoqoftë u ngritën mbi pronat e poseduara nga persona të lidhur, konkretisht motra dhe kunati. Sipas raportit të hetimit administrativ, personat e lidhur familjarisht me gjyqtarin disponojnë katër apartamente në Vlorë dhe tetë parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej 51 mijë metrash katrorë. Malaj i përshkroi pronat si “pyje dhe kullota” të cilat mundet ose jo të kenë shansin të zhvillohen, ndërsa mohoi të kishte kontribuar në blerjen e këtyre pronave dhe deklaroi se kunati i tij i disponon ato familjarisht bashkë me vëllezërit e prindërit e vet. Malaj i përshkroi familjarët e kunatit si njerëz punëtorë në Shqipëri dhe në emigrim. Ai arsyetoi se familja e kunatit i kishte burimet ekonomike për të blerë pronat në fjalë, ndërsa theksoi se pronat i përkisnin të gjithë familjes pavarësisht se gjendeshin vetëm në emër të kunatit. Por përfaqësuesja e OMN ngriti pikëpyetjen tjetër se si shpjegohet që të gjitha këto prona janë blerë nga i njëjti person, një person i prezantuar në seancë me inicialet A.S.

Malaj tha se nuk mund të jepte llogari se nga kush i kishte blerë pronat familja e kunatit, ndërsa tha se kishte paraqitur si provë dëshminë e pastër të penalitetit të subjektit A.S. Përfaqësuesja e OMN ngriti pikëpyetjen se si shpjegohet që gjyqtari Malaj kishte qenë në gjendje të merrte dëshminë e penalitetit të një personi tjetër si dhe shpjegoi se A.S “për shkak se jeton në SHBA, e kryen biznesin e tij në Vlorë përmes një përfaqësuesi me inicialet P.P. i cili është dënuar për falsifikim dokumentesh”.

Malaj këmbënguli se ai është i pastër, pa pasuri të paligjshme dhe kërkoi rikonfirmimin në detyrë. Vendimi për të pritet të jepet më 3 gusht 2018.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *