Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Llotot dhe lehtësimi i akuzave për masakrën e Çoles “vulosin” vetingun e Selmanit

Prokurori Artur Selmani u përball me pyetje për varësinë e tij nga kumari, burimet e pasurisë dhe lehtësimin e akuzave për 3 të pandehur. Ai kundërshtoi gjetjet e KPK-së, akuzoi ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla për veprime të paligjshme dhe e përshkroi karrierën e tij 30-vjeçare si “prokurori që i çon hetimet deri në fund”.

Prokurori Artur Selmani në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Prokurori Artur Selmani e përshkroi sistemin ku punon prej 30 vitesh si “ambient jo-etik”, ku kryeprokurori urdhëron rrjedhje provash në media dhe ndëshkon me transferime në raste mosbindjesh, e ku hetimi i njerëzve me lidhje politike shoqërohet shpesh me kosto profesionale- gjatë përballjes së tij mesditën e së enjtes me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Vetë Selmani u ballafaqua me pikëpyetje dhe dyshime mbi burimet e pasurisë dhe integritetin e tij, së bashku me përfaqësimin e diskutueshëm të akuzës mbi një ngjarje të rëndë me tre viktima, e ndodhur në vitin 2015 në lagjen Çole të Vlorës. Lehtësimi i akuzave përballë Gjykatës së Lartë i kushtoi atij një pezullim nga detyra dhe dy procedime penale në vitin 2017, por që të dyja u pushuan pa pasoja.

Seanca dëgjimore me prokurorin që një vit më parë kandidoi për postin e Prokurorit të Përgjithshëm nisi në orën 12.00 të së enjtes, e drejtuar nga Roland Ilia, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Firdes Shuli. Selmani u paraqit i vetëm përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i mbështetur nga argumentet mbrojtëse të shpërndara në letra A4 mbi tavolinë.

Rezultatet e hetimit administrativ nënvizuan probleme në të tre kriteret e rivlerësimit. Në raportin e saj, ILDKPKI e kishte konsideruar të pasaktë deklarimin e Selmanit, ndonëse theksonte se ka burime të ligjshme për të justifikuar pasurinë, ndërsa DSIK e konsideroi të papërshtatshëm, duke iu referuar informacioneve për përfshirjen e prokurorit në llotari sportive në vitet 2006, 2007 dhe 2008.

Prokuroria e Përgjithshme i përcolli KPK-së një raport me tre vlerësime “shumë mirë” për Selmanin, por edhe të dhënat për pezullimin e tij nga detyra dhe procedimet penale për rastin e masakrës së Çoles. Të dyja procedimet, sipas relatores Etleda Çiftja ishin pushuar me argumentin se nuk kishte të dhëna që prokurori ishte ndikuar në mënyrë të paligjshme në vendimin e tij për lehtësimin e akuzave.

“Duket se prokurori, me anë të qëndrimit të tij në Gjykatën e Lartë nuk ka respektuar të drejtat e familjarëve të viktimave,” theksoi Çiftja.

Përfshirja në llotari sportive, e ndjekur nga deklarimi i 10 mijë dollarëve të fituara si burim për pasurinë dhe lehtësimi drastik i akuzave për masakrën e Çoles ishin çështjet kyçe që shoqëruan vetingun e prokurorit Selmani, pavarësisht protestës së tij se karriera e gjatë nuk mund t’i përkufizohej nga këto episode.

Me nota emocionale dhe heshtje të zgjatura, Selmani tha se nuk ndjehej krenar dhe nuk kërkonte shfajësim, ndonëse theksoi se kumari nuk ishte një aktivitet i paligjshëm. Ai kundërshtoi gjithashtu masën e pezullimit si paligjshmëri të ish-eprorit të tij, Adriatik Llalla. Lidhur me reduktimin e akuzës nga 35 vjet në 4 vjet burg për të akuzuarin kryesor të masakrës së Çoles, Selmani u zgjat në shpjegimin e bindjes së tij për të balancuar përfaqësimin e akuzës me të drejtat e të pandehurve, ndërsa shtoi se “dosja nuk kishte prova”.

Pasuria: lloto dhe dhurata

Në vlerësimin e kriterit të pasurisë, relatorja Etleda Çiftja u ndal në mospërputhjet e deklarimeve për një apartament me sipërfaqe 119 metra katrorë në Tiranë të blerë me kredi bankare prej 4 milionë lekësh në vitin 1999, te mungesa e burimeve të ligjshme dhe të dokumentuara për kursimet në depozitë dhe në cash prej rreth 3.5 milionë lekësh dhe në një transfertë prej 950 eurosh të padeklaruar përmes një agjencie.

Sipas relatores, prokurori Selmani nuk kishte arritur të provonte me dokumentacion fitimin e 10 mijë dollarëve në lloto sportive si dhe dhuratat e së motës, që kanë shërbyer më pas si burim për kursimet familjare.

Sipas analizës financiare të kryer nga KPK për 14 vitet e deklarimit, Selmani kishte mungesë burimesh të ligjshme për shumën 3.8 milionë lekësh.

Sa i përket apartamentit, Çiftja tha se kishte mospërputhje mes deklaratave për sipërfaqen si dhe nuk ishte provuar mënyra e kalimit të parave nga Banka e Kursimeve te subjekti i rivlerësimit dhe më pas te shitësi. Për të gjitha rastet e konstatuara, Çiftja nënvizoi se Selmani kishte depozituar prova dhe shpjegime për secilën prej tyre, të cilat do të shqyrtoheshin para marrjes së vendimit.

Gjatë fjalës së tij, Selmani nuk e fshehu pakënaqësinë për rezultatet e hetimit, përfshirë edhe kriterin e pasurisë.

“Kur mora relacionin, mbeta i shokuar nga përfundimet dhe nuk po arrija dot të njihja veten. Si ishte e mundur që unë për veten time dhe kolegët e mi për mua kishim bindje të kundërt nga gjetjet e KPK,” ironizoi ai.

Selmani kundërshtoi analizën financiare të kryer nga KPK, sidomos argumentin që nëse përjashtoheshin 10 mijë dollarët e llotove dhe dhurata e motrës, ai nuk mund të justifikonte pasurinë e tij. Ai kishte dorëzuar më parë si provë raportin e një eksperti, që kundërshtonte analizën negative, ndërsa pretendoi se nuk ishin llogaritur në analizë shitja e një shtëpie ku jetonte me nënën në vitin 1996 si dhe të ardhura të tjera të deklaruara.

Prokurori bëri një shpjegim të detajuar juridik për të ardhurat e mësipërme, që sipas nuk janë të paligjshme, por janë të padokumentuara dhe pëmendi nenin e Kushtetutës që ka si kufi dyfishin e pasurisë së ligjshme si shkak për penalizim.

Lidhur me apartamentin, Selmani fajësoi noteren për përpilimin e një kontrate të gabuar në vitin 1999, ndërsa mohoi kategorikisht që aid he bashkëshortja e tij të kishin kryer transferta drejt Anglisë, Gjermanisë apo Belgjikës.

“Referojuni sistemit TIMS, nuk rezulton që unë apo bashkëshortja ime të kemi qenë në këto vende. Nga regjistri rezultojnë 13 Artur Selmani dhe 9 Albana, por asnjëri prej tyre nuk ka ID tonë. Ky informacion është një keqkuptim,” tha ai.

Në fund, ai tha se pasuria e tij ishte një apartament i blerë me kredi, një makinë 1.2 milionë lekëshe dhe 3.5 milionë lekë kursime, pasuri sipas tij e justifikuar gjatë 30 viteve të punës së tij.

“Llalla më kërkoi të nxirrja prova në media”  

Përfshirja në lojërat e fatit, si aktivitet që cënon integritetin dhe akuzat për masakrën e Çoles u rikthyen në qendër të diskutimeve edhe për dy kriteret e tjera; atë të pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.

Relatorja Çiftja përmendi se llotot ishin një nga arsyet pse DSIK kishte sjellë një raport negative për Selmanin, ndërsa dy procedimet ndaj tij ishin argumenti i dytë në atë raport.

“Nga verifikimet e DSIK u raportua përfshirja e subjektit në llotari sportive, nga të cilat rezulton të ketë fituar 10 mijë USD,” lexoi raportin e DSIK Çiftja.

“Në këndvështrimin e përgjithshëm, çdo dyshim për kryerje ose moskryerje të detyrës cënon figurën e prokurorit dhe integritetin si dhe bën të mundshëm vënien e tij nën presionin e grupeve kriminale,” shtoi ajo më tej.

Selmani e kundërshtoi raportin e DSIK, duke theksuar se nuk kishte sjellë asnjë provë apo indicie për papërshtatshmëri- “mungon baza ligjore e dyshimit të arsyeshëm” shtoi ai.

Lidhur me lojërat e fatit, Selmani tha se nuk luante prej 10 vitesh dhe se ka reflektuar shumë rreth këtij fenomeni kohët e fundit, ndërsa shprehu opinionin e tij se duheshin ndalime ligjore ose në Kodin e Etikës për kolegët e tij prokurorë.

“Unë e pranoj që në atë periudhë nuk kam pasur këtë ndërgjegje që kam sot, pasi punoja në një ambient jo-etik, ku llotaria konsiderohej normale. Nuk duhet të dënohem për ç’kam bërë para 10 vitesh…Duhet ndalim në Kod Etik të sjelljes që sot më turpëron,” deklaroi ai.

Prokurori shpjegoi më tej se “mungesa e provave në dosje” e kishte shtyrë të kërkonte ulje dënimi për tre të akuzuarit e masakrës së Çoles dhe se këtë fakt ia kishte shprehur eprores së tij, Alma Muça në Prokurorinë e Përgjithshme-episod që ai e përshkroi si “refleks” të imponuar nga sistemi i vjetër hierarkik.

“U penalizova vetëm sepse kam thyer urdhrin e eprorit. Pse shkova? Sepse në prokurori vazhdojnë ende shenjat e sistemit të vjetër. Ndonëse ligji ka ndryshuar, refleksi është i njëjtë,” shtoi ai.

Prokurori këshilloi më tej që për qëndrimet kontradiktore mes tij dhe Muçës mbi rastin, duhej të merrej për bazë dëshmia që mbështetet më mirë me prova të tjera, ndërsa masën e ish-kryeprokurorit Llalla e cilësoi të paligjshme.

“Ai doli në televizor me urgjencë të paparë dhe urdhëroi Prokurorinë e Tiranës të niste hetimet ndaj meje,” tha Selmani, duke pretenduar se procedura kërkon veprime në kahun e kundërt.

Rasti i mësipërm nuk ishte i vetmi shigjetim në adresë të Llallës. Duke iu referuar penalizimeve “për shkak të qëndrimeve të tij të balancuara”, Selmani tregoi se Prokurori i Përgjithshëm i kishte kërkuar që të nxirrte në media pamjet filmike të dhunës së ushtruar në Parlament nga deputetët socialistë Pjerin Ndreu, Arben Ndoka dhe Armando Prenga, gjatë kohës që ai po hetonte çështjen e tyre.

“Unë nuk pranova, por u largova nga detyra. Çështja m’u hoq dhe u komandova në Prokurorinë e Tiranës,” tha Selmani.

Selmani përmendi një sërë çështjesh të rëndësishme të hetuara prej tij përgjatë dy dekadave, mes të cilave edhe dosjen e vitit 2009 kundër Lulzim Bashës apo hetimet për vrasjen e Azem Hajdarit, si shembull të këmbënguljes dhe integritetit të tij për t’i çuar hetimet deri në fund, edhe në kushtet e presionit politik. Ai shtoi se për shkak të punës së tij ishte penalizuar nga eprorët.

“Për komponentin profesional, ja sikur ta marrim që unë kam gabuar në një moment, por ç’u bë me çështjet e tjera të hetuara nga unë? Asnjë qytetar nuk është ankuar ndonjëherë ndaj meje. Keni marrë vetëm 1 rast të vetëm përballë shumë qëndrimeve të mia përballë Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë,” iu drejtua Selmani trupit gjykues.

Pyetjeve të prokurorit iu përgjigj relatorja Çiftja, e cila sqaroi se vlerësimi profesional nuk është bazuar vetëm në një rast, por barra e provës i ka kaluar për një rast.

“Ne nuk i heqim asnjë presje raportit të Prokurorisë së Përgjithshme për aftësitë tuaja profesionale. Megjithatë, ju vetë e pranuat që rasti i mësipërm ka shkaktuar probleme,” tha Çiftja.

Në fund të seancës dëgjimore, Selmani u përball edhe njëherë me atë që u konsiderua si varësi e 10 viteve më pas. Vëzhguesja e ONM-së, Mia Roessingh i kërkoi prokurorit të deklaronte specifikisht nëse vazhdonte apo jo të luante kumar.

“Faleminderit për këtë mundësi të dytë për një çështje që më dhemb. Jo vetëm unë vetë, që nuk dua të kem të bëj fare me këtë gjë, por nuk dua të kenë të bëjnë as kolegët e mi. Unë nuk kam më lidhje dhe nuk do të kem të bëj asnjëherë,” u përgjigj Selmani.

Në fund të seancës dëgjimore, Selmani kërkoi të merreshin parasysh provat dhe shpjegimet e tij, duke kërkuar konfirmimin në detyrë, pa të cilën tha me emocionalitet se nuk mund të jetonte.

Në tërheqje për të marrë vendimin, kryesuesi i trupit gjykues tha se shpallja do të bëhej më 26 nëntor, në orën 11.00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *