Gjyqtarja Elsa Ulliri e Gjykatës së Lezhës do të përballet të martën më 28 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Pamela Qirko, Roland Ilia dhe Etleda Çiftja.
Elsa Ulliri përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe prej asaj kohe ushtron funksionin e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga gjyqtarja Elsa Ulliri nga viti 2013 deri në fund të vitit 2016. [Kliko për skedën në PDF].
Në deklarimin për të herë të parë në vitin 2013, gjyqtarja Elsa Ulliri deklaronte pasuri me vlerë 83.4 milionë lekësh, ndërsa në fund të vitit 2016, pasuria e saj kap vlerën e 83.6 milionë lekësh.
Gjyqtarja Ulliri zotëron pasuri të paluajtshme me vlerë 83.4 milionë lekë, likujditete bankare prej 157 mijë lekësh dhe kursime në cash prej 100 mijë lekësh.
Të ardhurat për periudhën deklaruese janë 3.3 milionë lekë dhe burojnë në 100% të tyre nga paga si gjyqtare e subjektit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 4 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.
Vlen gjithashtu për t’u theksuar se gjyqtarja Elsa Ulliri e ka trashëguar pasurinë e saj nga babai, përpara se të emërohej në funksionin publik. Ajo ka trashëguar një shtëpi 3-katëshe si dhe një sipërfaqe toke të deklaruara në vlerën e 83.4 milionë lekëve.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al