Prokurori Alket Mersini i Prokurorisë së Rrethit Tiranë do të përballet të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Prokurori Alket Mersini do të përballet të hënën më 14 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për të përbëhet nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Pamela Qirko.
Alket Mersini e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë dy dekadave ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Durrësit dhe atë të Tiranës.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Alket Mersini nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2003, prokurori Mersini deklaronte pasuri familjare me vlerë 3.3 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare është rritur me 7 herë dhe kap vlerën e 23.3 milionë lekëve.
Në fund të vitit 2017, prokurori Mersini zotëron familjarisht pasuri të patundshme prej 8.1 milionë lekësh dhe likujditete bankare prej 8 milionë lekësh. Ai deklaron gjithashtu kursime të akumuluara në cash prej 5.1 milionë lekësh, automjet me vlerë rreth 549 mijë lekë si dhe 1.3 milionë lekë të dhëna hua.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 42.3 milionë lekë, nga të cilat 37% burojnë nga paga për shkak të funksionit si prokuror dhe 39% nga paga e bashkëshortes. Rreth 21% e të ardhurave kanë si burim shitjen e pasurive të patundshme.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit rezultoi pa probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” transaksionet me shitjen e një shtëpie si dhe kursimet jashtë sistemit bankar.
Në vitin 2004, subjekti deklaron si shtesë pasurie një apartament banimi me vlerë 3.3 milionë lekë. Në vitin 2011, ky apartament shitet për 12.5 milionë lekë dhe shërben si burim për blerjen e një apartamenti te Kodra e Diellit si dhe për investim në bono thesari me vlerë 4.7 milionë lekë.
Burimi i krijimit të apartamentit të mësipërm rrjedh nga bashkëpronësia me prindërit dhe nga heqja dorë e vëllait nga pronësia në këmbim të 20 mijë dollarëve.
Në fund të vitit 2017, gjendja e akumuluar e kursimeve në cash kap vlerën e 5.1 milionë lekëve, ndërkohë që shuma e lejuar ligjore e parave jashtë sistemit bankar është 1.5 milionë lekë.
Deklarata e pasurisë së vitit 2003
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al