Prokurori Edmond Koloshi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.
KPK Lajme

Prokurori Edmond Koloshi përballet me vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të hënën seancën dëgjimore për prokurorin e Durrësit, Edmond Koloshi. Trupa e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Valbona Sanxhaktari bëri me dije se Koloshi ishte hetuar në të tre kriteret.

Shuli vuri në dukje në relatim se Koloshit i ishin kërkuar sqarime në lidhje me transaksionet e kryera mbi dy apartamente të blera nga prindërit para fillimit të detyrës dhe po ashtu atij i kalua barrë prove mbi hetimet në një çështje.

Koloshi tha si binte dakord me pjesën më të madhe të gjetjeve të Komisionit, ai dha shpjegime me detaje mbi çështjet për të cilat KPK kishte kërkuar sqarime dhe kërkoi konfirmim në detyrë.

Edmond Koloshi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 dhe ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Lezhës deri në vitin 2007. Prej asaj kohe, ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Durrës.

Mbi pasurinë

Hetimet e KPK-së kanë gjetur disa probleme në deklarimet e Koloshit në vite. Shuli vuri në dukje se në vitin 2005 Koloshi kishte deklaruar 500 mijë lekë cash, por nuk kishte deklaruar një depozitë bankare thuajse në të njëjtën shumë.

Prokurori këmbënguli se bëhej fjalë për një pasaktësi dhe se bëhej fjalë për të njëjtën shumë. Ai tha se në deklarim nuk ishte shprehur se shuma ishte cash, por se ishin para. Ai tha se deklarimi i tij sqarohej nga deklaratat pas ardhëse.

Koloshit po ashtu iu kërkuan sqarime në lidhje me ndërtimin e një shtese në shtëpinë e prindërve. Sipas KPK-së shtesa ishte ndërtuar para se ai të fillonte detyrë, por emri i Koloshit rezultonte në aplikimin për legalizim në vitin 2006.

Prokurori këmbënguli se nuk kishte kontribuar në këtë ndërtim. Ai vuri në dukje se aplikimi për legalizim ishte bërë në kohën kur ai ende jetonte me prindërit. Ai tha se kishte sjellë foto të apartamentit dhe bëri me dije se më pas emri i tij ishte hequr nga aplikimi.

Prokurorit po ashtu iu kërkuan sqarime mbi një apartament që siç rezultoi ishte blerë nga babai i tij, ishte regjistruar në emër të prokurorit dhe më pas i ishte kaluam motrës së tij. Shuli tha se Koloshi nuk kishte deklaruar këtë apartament në deklaratën para fillimit të detyrës dhe as kishte deklaruar përfitimin sipas kontratës së një shumë prej 2 milion lekësh nga shitja e këtij apartamenti.

Prokurori sqaroi se apartamenti ishte belrë nga babai para se ai të fillonte detyrë. Po ashtu ai këmbënguli se nuk kishte pasur asnjë marrëdhënie me këtë pasuri, ndërsa pretendoi se në kohën e deklarimit ai nuk ishte më as formalisht pronar i kësaj njësie.

Koloshi tha se nuk kishte përfituar nga kjo pasuri pasi transaksionet ishin kryer mes babait dhe motrës dhe se për këtë arsye nuk kishte deklarua përfitime prej saj. Prokurori po ashtu dha përgjigje sa i përket mosdeklaimit të një llogarie në emër të bashkëshortes, gjendja e të cilës ishte vetëm 32 lekë.

Ai dha shpjegime edhe sa i përket makinave që kishte blerë dhe përdorur në vite duke iu përgjigjur për këtë edhe pyetjeve nga vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs.

Pyetjet mbi profesionalizmin

KPK vuri në dukje se nuk kishte gjetur probleme sa i përket figurës së prokurorit, megjithatë siç doli në seancë pas hetimit të disa denoncimeve dhe ankimeve ndaj tij prokurorit i ishte kaluar barrë prove dhe i ishin kërkuar sqarime në lidhje me disa çështje.

Kryesisht pyetjet e KPK-së kishin të bënin me vendime për nisje të hetimeve apo vendimet e mos fillimit apo për zvarritje të çështjeve. KPK vuri në dukje se në një rast kishte gjetur se prokurori në fakt kishte munguar pa arsye në tre seanca gjyqësore.

Koloshi i mohoi problemet e gjetura nga KPK dhe sqaroi sipas tij për vendimmarrjen në këto çështje. Ai vuri në dukje se në një rast se pala denoncuese po përdorte prokurorinë për të shtyrë apo bllokuar çështje civile.

Prokurori sqaroi edhe qëndrimin e tij në lidhje me akuzat e ngritura pas tërmetit të nëntorit 2019. Ai shpjegoi se akuzat për vrasje me dashje indirekte ndaj një zyrtari, që ishte dënuar vetëm për shpërdorim detyre, ishin arsyetuar në fillim me faktin se godina ishte shpallur e pabanueshme më herët. Në fund të seancës Koloshi kërkoi konfirmin në detyrë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *