Ndihmësi ligjor, Ervin Aliu gjatë seancës së dytë dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Ndihmësi ligjor, Ervin Aliu jep shpjegime për adresat e banimit

Ndihmësi ligjor pranë Gjykatës së Apelit Administrativ, Ervin Aliu u përball të martën më 21 maj gjatë një seance të dytë dëgjimore, me gjetjet e reja të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, të konstatuara pas riçeljes së hetimit administrativ. Relatorja e çështjes, Alma Faskaj vërejti në fillim të seancës se rihaja e hetimit ishte vendosur me qëllim hetimin e adrasave të banimit të deklaruara nga subjekti dhe bashkëshortja e tij.

Gjatë seancës së parë dëgjimore më 27 mars, Aliu dha shpjgime të përmbledhura për gjetjet në kriterin e pasurisë dhe të profesionalizmit. Ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Sipas Faskajt, lidhur me një adresë banimi në “Yzberisht” në Tiranë, referuar deklarimeve të bashkëshortes në vitet 2012-2015 si adresë banimi, ka rezultuar se apartamenti është blerë në vitin 2012. Sipas dokumenteve të dorëzuara nga Aliu dhe shpjegimeve që ai ka dhënë, apartamenti është blerë nga nëna e bashkëshortes dhe konsumi i energjisë dhe ujit ka filluar në vitin 2012.

Një tjetër adresë banimi në lagjen “Kodra e Diellit” në Tiranë, ka rezultuar se subjekti nuk e ka deklaruar në pyetësorin e parë. Kur është pyetur, ai ka sqaruar se ky apartament ka qenë në pronësi të prindërve të tij dhe se qëndrimi aty ka qenë sporadic, me ditë të caktuara. Ai ka shpjeguar se ka qëndruar për pjesën më të madhe të kohës tek banesa e prindërve në Durrës.

Nisur nga verifikimi i konsumit të energjisë elektrike dhe ujit, ka rezultuar se ky apartamen ka qenë I përdorur, por jo në mënyrë të vazhdueshme. Por, nisur nga deklarimi i vitit 2015 për përdorimin e kësaj banese, KPK vëren se kjo gjë nuk ëhstë deklaruar gjatë procesit të vetingut.

Aliu deklaroi se ka lidhur martesë me bashkëshorten në vitin 2013, kohë kur ajo punonte si gjyqtare në Përmet, ndërsa ai vetë ishte i punësuar në Ministrinë e Brendshme. Ai tha se në atë kohë vendosën të jetonin tek prindërit e tij në Durrës, pasi dhe shtëpia atje ishte e madhe. Sipas subjektit, një vit më vonë kishte ardhur në jetë fëmija e parë dhe duke qenë se të dy ishin në punë larg dhe prindërit e tij mund të kujdeseshin për foshnjën, kishin banuar në Durrës deri në 2019-ën.

Në vijim, Aliu shpjegoi se ishin transferuar në Tiranë me qira, pasi prindërit e kishin shitur banesën në Durrës në vitin 2019.

Lidhur me gjetjen për përdorimin e apartamentit në Tiranë, subjekti tha se në atë banesë kishin qëndruar me raste sporadike, gjatë fundjavave. Ai nënvizoi se këtë gjë e kishte sqaruar bashkëshortja në deklarimet e dhëna gjatë procesit të saj të rivlerësimit kalimtar, ashtu dhe ai vetë.

Subjekti argumentoi se do të kishte qenë e pamundur që të jetonin të gjithë së bashku tek apartamenti në Tiranë, pasi kishte sipërfaqe të vogël. Aliu shtoi se ai apartament ishte përdorur në mënyrë sporadike dhe nga prindërit, vëllai dhe nga nipi kur ishte me studime.

Ai solli në vëmendje të Komisionit përcaktimet ligjore për vendbanimin dhe vendqëndrimin, duke vërejtur se apartamenti i prindërve në Tiranë nuk mund të konsiderohej në asnjë nga këto dy raste, pasi ishte përdorur vetëm në mënyrë sporadike, me ditë të ckatuara.

Në përfundim, ndihmësi ligjor, Ervin Aliu kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. Komisioni njoftoi se vendimi do të shpallet më 22 maj, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *