Ilustrim nga Pixabay
Lajme

“Tele-marketingu i egër”, inteligjenca artificiale përdoret në mashtrimet me ‘call center’

Prokuroria e Milanos në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë zbuluar një skemë të mashtrimit të mijëra qytetarëve italianë nëpërmjet ‘call center’-ave, duke përdorur dhe inteligjencën artificiale për të arritur qëllimin e tyre kriminal.

Në njoftimin e SPAK të shpërndarë të martën më 25 qershor, thuhet se mashtrimet janë kryer nga një organizatë kriminale, duke nisur nga telefonatat e panumërta drejt qytetarëve të ndryshëm të cilëve, pasi i kanë bindur se po flisnin me punonjës të Autoritetit Rregullator për Rrjetet e Energjisë dhe Mjedisit në Itali ose me kompanitë e energjisë me të cilat kishin lidhur kontrata të rregullta furnizimi të energjisë dhe gazit, u janë mbledhur të dhënat.

Informacionet janë mbledhur duke përdorur justifikime nga më të ndryshmet. “Ai i përdorur më shpesh i referohej punimeve fantazmë rrugore që ishin ndërprerë kabllot elektrike ose tubacionet e gazit dhe për shkak të të cilave ishte e nevojshme të aktivizohej përkohësisht një kontratë e re me një operator ‘dakordësuar’”, sqaron prokuroria dhe shton se kur nuk arrinin ta bindnin viktimën me arsyetime të tilla, të akuzuarit përdornin të dhënat e marra gjatë telefonatave për të aktivizuar sërish kontratën, duke vendosur nënshkrime false në fund të dokumentit.

Në raste të tjera, kur procedura e aktivizimit kërkonte regjistrimin zanor, atëherë futej në lojë inteligjenca artificiale, duke kopjuar zërin e qytetarevë me qëllim konfirmimin e lidhjes së kontratave.

“[…]Atëherë përpunohej regjistrimi zanor i zërit të viktimës, i regjistruar gjatë telefonatës, me mjaft mjeshtëri me redaktues audio ose me aplikacione të inteligjencës artificiale në mënyrë që të dëgjohej shqiptimi nga përdoruesi i pavetëdijshëm, i të dhënave të nevojshme personale dhe ‘po’-të e ndryshme që duhet të jepte për përgjigjet e pyetjeve të operatorit përgjegjës për marrjen e pëlqimit”, thuhet në njoftim.

Viktimat e këtyre mashtrimeve haseshin me probleme pasi kalonin disa muaj. Megjithëse nuk kishin nënshkruar një kontratë me një kompani të re energjetike, në adresat e tyre mbërrinin kërkesa pagese për faturat e papaguara. Në këtë moment fillonte kalvari i telefonatave të panumërta, me tone gjithnjë e më agresive dhe frikësuese, me të cilat personat përgjegjës për mbledhjen e borxheve kërkonin pagesën e shumës së papaguar.

Prokuroria sqaron se hetimet janë mundësuar falë analizimit të një sasie të konsiderueshme të të dhënave elektronike dhe bankare, përveçse kryerjes së shërbimeve policore në territor në Itali dhe Shqipëri. Grupi hetimor ka arritur të identifikojë rreth 1000 viktima të tjera që nuk e kishin kuptuar ende se kishin rënë në grackën e organizatës kriminale.

Në selinë e një ‘call center; të përfshirë në këtë skemë mashtrimi, janë gjetur kopje të kontratave të rreme që ishin objekt i ankesës dhe të regjistrimeve zanore përkatëse. Po ashtu, janë gjetur lista shumë të përditësuara me miliona të dhëna të përdoruesve rezidencialë, të cilët do të kontaktoheshin për lidhjen e kontratave të energjisë elektrike dhe gazit.

Prokuroria e cilëson skemën e mashtrimit të ngritur nga kjo organizatë kriminale si pjesë e fenomenit të ‘tele-marketingut të egër’ që mundon miliona qytetarë çdo ditë, në mënyrë tërthore dhe në kundërshtim të rregullave që synojnë mbrojtjen e konsumatorëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *