Gjyqtari Seladin Pysqyli pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Gjyqtari Seladin Pysqyli jep shpjegime për bilancet negative të pasurisë

Gjyqtari i Gjykatës së Korçës, Seladin Pysqyli u përball të martën më 23 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për bilancet negative në krijimin e pasurisë, që i kundrshtoi duke pretenduar se nuk ishin konsideruar të ardhurat. Pysqyli mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, si dhe nuk u evidentuan probleme domethënëse për profesionalizmin.

Procesi i vetingut për Pysqylin po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.

Seladin Pysqyli e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 si ndihmësgjyqtar dhe në ’95-ën u emërua si gjyqtar. Prej më shumë se dy dekadash ai e ushtron funksionin në Gjykatën e Korçës.

Komisioni konstaton pamundësi të Pysqylit në masën 1.5 milion lekë për blerjen e një trualli dhe ndërtimin e një shtëpie në vitin 1997. Si burime krijimi të kësaj pasurie, ai ka deklaruar të ardhurat nga shitja e bagëtive, si dhe të ardhurat e tjera të tij nga puna e të familjarëve. Megjithëse këtë pasuri, subjekti e ka fituar me trashëgimi nga e ëma, ka rezultuar se në periudhën e ndërtimit ka jetuar së bashku me prindërit dhe se ka kontribuar edhe ai. Për rrjedhojë, KPK ka kryer hetim të plotë të pasurisë, prej nga është konstatuar dhe bilanci negativ.

Pamundësi është konstatuar dhe për blerjen e një automjeti, me burim pagat dhe të ardhurat nga toka bujqësore.

Pysqyli ka deklaruar të ardhura nga toka bujqësore në shumën 1.3 milionë lekë për periudhën 1993-2016. Ai ka sqaruar se nuk ka arritur të sigurojë dokumentacion të plotë për këto të ardhura, për arsye të informalitetit. Pine pohoi se subjekti ka deklaruar se veprimet për shitjen e prodhimeve dhe bagëtive janë kryer me lekë në dorë.

Nga hetimi për këto të ardhura, ka rezultuar se pagesa e taksës së tokës është shlyer e gjitha pas vitit 2017. Pine tha se duket se pagesa e këtyre detyrimeve është kryer për efekt të vetingut të subjektit. Për rrjedhojë, ato të ardhura nuk janë konsideruar në analizën financiare, prej nga është konstatuar pamundësi në shtatë vite për mbulimin e shpenzimeve, në masën rreth 2.8 milionë lekë.

Hetimi i KPK është shtrirë dhe mbi pasuritë dhe të ardhurat e bashkëshortes së subjektit dhe familjarëve të saj, lidhur me krijimin e një depozite 1.2 milion lekë me të ardhura nga toka bujqësore. Sipas Komisionit, rezulton bilanc negativ në shumën 906 mijë lekë për krijimin e kësaj depozite.

Pamundësia financiare më e madhe e subjektit është konstatuar në blerjen e një apartamenti me sipërfaqe rreth 134 m2 në Tiranë, nga djali në vitin 2015, për çmimin 5.6 milionë lekë. Djali subjekti ka deklaruar si burim të krijimit të ksaj pasurie vlerën 5.2 milionë lekë dhënë nga prindërit dhe 400 mijë lekë të fituara në lojërat e fatit dhe ndihmë po nga prindërit.

KPK konstaton, se ky apartament është blerë dy herë më parë nga dy persona të tjerë për vlerën 73 mijë euro, ndërkohë që djali i gjyqtarit Pysqyli e ka blerë për një çmim më të ulët. Në ditën që është blerë apartamenti nga djali subjektit, administatori shoqërisë ka marrë një hua po në shumën 73 mijë euro.

Bazuar në këto të dhëna, KPK ka konsideruar në analizën financiare si shpenzim për blerjen e këtij apartamenti shumën 73 mijë euro.

Komisioni e ka ndarë analizën financiare të përgjithshme në dy periudha. Për vitet 1993-2002 është konstatuar pamundësi në shumën 1.3 milion lekë, ndërsa për vitet në vijim, deri në 2016-ën, bilanci negativ sipas KPK, është në vlerën rreth 8.6 milionë lekë.

Gjyqtari Seladin Pysqyli e kundërshtoi analizën financiare të KPK, duke kontestuar të ardhurat e konsideruara nga puna, prodhimet e tokës bujqësore e shitja e bagëtive, si dhe shpenzimet e përcaktuara për krijimin e pasurive dhe udhëtimet.

Ai solli në vëmendje të Komisionit se në vitin 1995 është emëruar si gjyqtar, ndërkohë që prej vitit 1993-deri në ’98-ën, përllogaritja e të ardhurave nga paga e tij është konsideruar si ndihmës gjyqtar. Po ashtu, vërejti se nuk është përllogaritur pagë për një periudhë kohe, ndërkohë që nuk ka pasur asnjëherë shkëputje nga puna. Pysqyli theksoi se nuk ka pasur asnjë masë disiplinore, e jo më që të ketë qenë i pezulluar apo i liruar nga detyra dhe kërkoi që t’i konsiderohen në analizë të gjitha të ardhurat nga puna e tij.

Subjekti deklaroi se kishin përfituar tokë bujqësore, bagëti, por dhe objekte në vitin 1991. Sipas tij, materialet e objekteve të përfituara nga shteti, ishin përdorur për ndërtimin e shtëpisë në fshat. Pysqyli pretendoi se kishte shpenzuar 200 mijë lekë për truallin dhe 500 mijë lekë për shtëpinë njëkatëshe në fshat, që sipas tij është ndërtuar me punë krahu në vitin 1997 dhe nuk është cilësore, pasi dhe aktualisht ka lagështirë.

Ai kërkoi që të konsiderohen të ardhurat e bashkëshortes nga shfrytëzimi tokës, duke argumentuar se ajo ka qenë e siguruar si e vetëpunësuar në bujqësi. Pysqyli kundërshtoi konstatimin se pagesat e taksës së tokës ishin paguar pas vitit 2017. Sipas tij, nuk mund të realizohej pagimi i sigurimeve si e vetëpunësuar në bujqësi, nëse nuk ishin shlyer me parë taksat e tokës bujqësore. Subjekti vërejti se taksat ishin një vlerë e papërfillshme dhe se nuk kishin pasur asnjë arsye të mos i paguanin. Ai e cilësoi si gabim të njësisë vendore, shënimin e kryer në informacionin e dhënë Komisionit se ai i kishte shlyer detyrimet për tokën pas vitit 2017.

Po ashtu, Pysqyli kërkoi uljen e shpenzimeve jetike. Ai argumentoi se familja bujqësore e prindërve të bashkëshortes nuk mund të konsiderohej me të ardhura zero lekë, pasi ata me ato të ardhura kishin jetuar. Po ashtu, pretendoi dhe për të ardhurat e bashkëshortes nga bujqësia.

Sipas tij, moskonsiderimi të ardhurave nga toka bujqësore çon në pamundësinë financiare fillestare të viteve ’93-2002, e më pas në një zinxhir pamundësish dhe në vitet e mëpasshme për kryerjen e investimeve dhe krijimin e kursimeve që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit të djalit në Tiranë. “Të quhen zero lekë të ardhurat e bashkëshortes nga toka bujqësore për 30 vjet, kur toka është punuar?”, ngriti Pysqyli pikëpyetje mbi analizën e KPK, duke sjellë në vëmendje se për subjekte rivlerësimi të tjerë janë konsideruar këto të ardhura.

Ai i cilësoi si fiktive kontratat e mëparshme të shitblerjes nga dy persona të tjerë, të apartamentit që ka blerë i biri në 2015-ën. Sipas subjektit, ata që kanë kryer veprimet për këtë apartament duket se kanë qenë punëtorët që kryenin punime me klering. Pysqyli tha se kjo përforcohet dhe nga huaja mes tyre, po në vlerën 73 mijë euro.

Në vijim, subjekti pohoi se asnjë prej blerësve të mëparshëm nuk e kishte regjistruar këtë pasuri si pronë, ç’ka përfoconte sipas tij, fiktivitetin e atyre kontratatave. Po ashtu, Pysqyli tregoi në seancë foto të pallatit ku gjendet apartamenti të birit, duke vërejtur se gjendet në një zonë periferike dhe në situatë të mjeruar, pasi objekti është i pamirëmbajtur.

Pysqyli kundërshtoi dhe analizën financiare për mjetin, duke pretenduar se rezultonte me bilanc pozitiv. Ai kërkoi uljen e shpenzimve të udhëtimeve e akomodimeve jashtë shtetit, me argumentet se ishin mbuluar nga gjykata apo të afërmit.

Në vijim subjekti paraqiti analizën e tij financiare, duke pretenduar se rezultonte me bilanc pozitiv në shumën 4 milionë lekë për periudhën 1993-2002. Për periudhën 2003-2016, Pysqyli tha se vetëm të ardhurat e tij të dokumentuara janë në masën 18.3 milionë lekë dhe së bashku me familjen, mbi 24 milionë lekë.

Lidhur me konstatimin e KPK, se kishte udhëtuar me një avokat jashtë shtetit, Pysqyli tha se kishte qenë diçka e rastësishme e se nuk kishte asnjë lidhje me punën. Ai kundërshtoi si të pabazuara dhe pretendimet e dy denocuesve.

Në përfundim, gjyqtari Seladin Pysqyli kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 25 korrik, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *