Prokurori i Tiranës, Saimir Hysa pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

KPA lë në fuqi konfirmimin e prokurorit Saimir Hysa

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të mërkurën më 25 shtator vendimin për lënien në fuqi të konfirmimit të prokurorit të Tiranës, Saimir Hysa. Prokurori Hysa u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 10 gusht të vitit të kaluar. Dy çështje të verifikuara prej tij u dërguan për vlerësim pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Ndërkohë, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM rekomandoi apelimin e vendimarrjes së Komisionit, duke sugjeruar që disa prej gjetjeve në kriterin profesional dhe atë të pasurisë, të verifikoheshin nga KPA. Bazuar në këtë rekomandim, Komisioneri Ballhysa ushtroi ankim, duke kërkuar në përfundim gjatë konkluzioneve përfundimtare të hënën, konsiderimin e gjetjeve në kriterin e pasurisë dhe të profesionalizmit në vlerësimin tërësor të çështjes, si dhe shkarkimin e këtij subjekti rivlerësimi.

Prokurori Hysa i kundërshtoi si të pabazuara shkaqet e ankimit duke theksuar se pasuria e tij është e provuar, si dhe se figura e tij është e konfirmuar nga gjithë institucionet përkatëse. Ai këmbënguli se kishte kryer si duhet detyrën e tij dhe vërejti se nuk mund të cënohej vendimi i Komisionit nga disa letra të dërguara në institucionet e vetingut, si dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit.

Kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Rezarta Schuetz lexoi të mërkurën vendimin e përmbledhur për Hysën. Ajo vërejti se disa prej pretendimeve të Komisionerit në lidhje me kriterin profesional nuk qëndronin. Megjithatë, u evidentua se për një vendim mosfillimi, subjekti ka dështuar të bëjë verifikimet e duhura para se të arrinte në konkluzionin përfundimtar, pavarësisht paqartësive që mund të kishte pasur kallëzimi.

Kjo gjetje, së bashku me një bilanc negativ total në shumën rreth 780 mijë lekë të shtrirë në vite për krijimin e disa pasurive, u çmuan në parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit, si të pamjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Komisionit për prokurorin Hysa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *