Gjyqtarja Marjola Beluli e Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës do të përballet të enjten më 21 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Olsi Komici dhe Suela Zhegu.
Marjola Beluli përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2020 dhe punoi si gjyqtare pranë Gjykatës së Përmetit deri në vitin 2023. Beluli u transferua më pas në Gjykatën e Gjirokastrës, ku e ushtroi funksionin edhe si zv.kryetare. Prej shtatorit të këtij viti, Beluli punon si gjyqtare pranë Gjykatës së Durrësit.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga gjyqtarja Marjola Beluli gjatë vitit 2020.

Në deklarimin para fillimit të detyrës, gjyqtarja Marjola Beluli zotëronte rreth 20 mijë lekë, ndërsa në fund të vitit 2020, pasuria e saj është në vlerën e 472 mijë lekëve.
Ajo zotëron 400 mijë lekë si kursime në cash dhe 72 mijë lekë si likujditete bankare.
Të ardhurat për periudhën deklaruese janë 240 mijë lekë me burim 100% nga paga e saj si gjyqtare.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për dy deklarata të pasurisë, asnjëra prej tyre nuk rezultoi me probleme.




