Prokurori Arian Ndoja pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA
KPA Lajme

KPA ndëpret vetingun për Arian Ndojën pas kandidimit për deputet

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të martën ndërprerjen e procesit të vetingut për ish-prokurorin e Durrësit, Arian Ndoja, si dhe caktoi ndalimin e emërimit të tij në funksione në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relator Sokol Çomon dhe anëtare, Albana Shtylla, Ina Rama e Mimoza Tasi, pas gjykimit në dhomë këshillimi të çështjes që ka të bëjë me ankimin e Ndojës, kundër vendimarrjes së Komisionit të Pvarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e tij.

Vendimarrja e Kolegjit vjen pas vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për përfundimin e statusit të magjistratit të prokurorit Arian Ndoja, bazuar në kërkesën e tij për dorëheqje nga detyra. Më 24 shkurt, Ndoja paraqiti në KLP kërkesë për heqje dorë nga detyra, me argumentin se do të angazhohej në një aktivitet tjetër të papajtueshëm me funksionin e magjistratit. Ndoja garon si kandidat për deputet i Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja u shkarkua nga detyra më 6 maj 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konstatoi një sërë problemesh gjatë hetimit në kriterin e figurës dhe profesionalizmit, që u konsideruan se kishin cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Ndoja përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe punoi fillimisht si prokuror në Prokurorinë e Durrësit. Në vitin 2004, ai u shkarkua nga detyra dhe punoi si avokat deri në vitin 2008, kur u rikthye në sistem pas një vendimi të Gjykatës së Lartë.

Ndoja u sulmua në një atentat në nëntor të vitit 2019, kur ai dhe një person me precedentë penalë i identifikuar si Aleksandër Laho u plagosën, ndërsa shoferi Andi Maloku mbeti i vrarë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *