Prokurori i Gjirokastrës, Emror Kasaj pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.
KPA Lajme

KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurorit Emror Kasaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të mërkurën më 23 prill lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të prokurorit të Gjirokastrës, Emror Kasaj. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Ina Rama, Natasha Mulaj e Sokol Çomo, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të subjektit ndaj vendimarrjes së Komisionit për shkarkimin e tij.

Prokurori Emror Kasaj u shkarkua nga detyra më 9 maj 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konkludoi se ai kishte kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë, ndërsa në vlerësimin tërësor u çmua se kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Emror Kasaj e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000, si oficer i Policisë Gjyqësore. Prej vitit 2015 dhe deri në shkarkimin nga detyra, ai e ushtroi funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *