Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të martën më 20 janar pushimin e gjykimit të çështjes së vetingut ndaj ndihmëses ligjore pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Klerona Meçi, nga për rrjedhojë mbeti në fuqi vendimi i Komisionit për konfirmimin e saj në detyrë. Vendimarrja e Kolegjit erdhi pasi drejtuesi i SPAK u tërhoq nga shkaqet e ankimit.
Prokurori Altin Dumani deklaroi se pas shqyrtimit të akteve janë në kushtet e heqjes dorë nga ankimi, pasi nuk janë gjetur rrethana që të lidhin detyrën e subjektit me pasuritë për të cilat janë ngritur shkaqet e ankimit. Dumani vërejti se provohet ekzistenca e aktivitetit tregtar të zotëruar nga të afërmit e subjektit, si dhe gjenerimi të ardhurave që ka shërbyer për pasuritë.
Pas heqjes dorë nga ankimi, trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi dhe në vijim shpalli vendimin për pushimin e gjykimit, për arsye se kishte humbur objekti i çështjes.
Ndihmësja ligjore pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Klerona Meçi u konfirmua në detyrë më 9 prill me shumicën e votave të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, që konkludoi se ky subjekt rivlerësimi kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe figurën, si dhe kualifikues për profeisonalizmin.
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e ankimoi sit ë pabazuar vendimin e KPK, me argumentin se mospërmbushja e detyrimit ligjor për të deklaruar burimin e krijimit të pasurive sipas përcaktimeve ligjore, të personave të lidhur dhe pasurive të tyre ka çuar më së paku në pamundësi të kontrollit nga organet e rivlerësimit. Por, nga ana e drejtuesit të SPAK, u konkludua se pasuritë nuk kishin lidhje me funksionin e subjektit.




