Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho u tërhoq të hënën më 2 shkurt nga shkaqet e ankimit ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të ndihmësit ligjor të Gjykatës së Lartë, Periand Teta.
Ndihmësi ligjor, Periand Teta u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 1 tetor të vitit 2024, pas një procesi që fillimisht e konsideroi atë të dorëhequr. Komisioneri Florian Ballhysa e ankimoi vendimarrjen e KPK, me arsyetimin se shkalla e parë e vetingut nuk kishte tagër ta emëronte Tetën si këshilltar në Gjykatën e Lartë, punë prej të cilës ai ishte larguar në vitin 2017. Ballhysa vlerësoi se Kolegji duhej të ndryshonte vendimin e KPK dhe ta caktonte Tetën si gjyqtar ose prokuror, siç përcaktohet në ndryshimet kushtetuese dhe ligji për rivlerësimin kalimtar të magjistratëve.
Fillimisht gjatë parashtrimeve të paraqitura të hënën, prokurori Adnan Xholi i cili përfaqëson drejtuesin e SPAK në këtë çështje, deklaroi se u qëndronin shkaqeve të ankimit.
Në vijim, Teta paraqiti në mënyrë të detajtuar qëndrimin e tij, duke theksuar se ankimi ishte i pabazuar në fakte dhe në ligj. Ai konstatoi se kishte qenë në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të legjislacionit të vetingut.
Po ashtu, argumentoi se Komisioneri Publik kishte shkuar përtej qëllimit të ligjit. Sipas tij, institucionet e vetingut janë verifikuese, por nuk mund të japin statusin e magjistratit, që është kompetencë e këshillave.
Teta u shpreh se ankimi është i papranueshëm, pasi kërkon të përcaktojë KPK-në, nga institucion verifkues, në përjashtuese. Po ashtu, nënvizoi se shkaqet e ankimit krijonin mungesë të sigurisë juridike.
Sipas Tetës, në ankim kërkohet që t’i hiqet statusi si ndihmës ligjor, ndërkohë që është e konfirmuar se është subjekti rivlerësimi ex-officio, pasi ka qenë në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të legjislacionit të vetingut.
Ai solli në vëmendje praktikën e KPA për raste të ngjashme dhe u shpreh se kërkimet e ankimit e vendosin në kushte të pabarabarta me subjketet e tjerë, si dhe se çojnë në cënimin e karrierës së tij.
Në përfundim, Teta, kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK.
Në vijim, prokurori Adnan Xholi vërejti se ata ishin njohur me parastrimet pasi ishin paraqitur më parë dhe kaloi në konkluzionet përfundimtare. Sipas Xholit, drejtuesi i SPAK vlerëson se vendimi i KPK duhet të lihet në fuqi. Xholi konstatoi se teta ka kaluar me sukses vetingun në të tre kriteret e rivlerësimit. Ashtu si Teta, edhe drejtuesi i SPAK e ka gjetur të pazbatueshëm kërkimin e Komisionerit Publik për prishjen e vendimit të KPK. Xhali deklaroi se në kushtet kur për subjektin nuk janë gjetur probleme gjatë proesit të rivlerësimit, heqin dorë nga ankimi.
Teta kërkoi pushimin e çështjes, ndërsa Kolegji u tërhoq për të marrë vendim që do të shpallet të martën, më 3 shkurt, në orën 09:30.
Ndihmësi ligjor, Periand Teta iu nënshtrua dy herë hetimit administrative. Fillimisht Komisioni konstatoi se ai dhënë pëlqimin në mënyrë të heshtur për ndërprerjen e kontratës së tij të punës si ndihmës ligjor, duke e ndërprerë procesin e vetingut pa vendim përfundimtar.
Komisionerja Publike, Irena Nino e ankimoi si të pabazuar vendimmarrjen e Komisionit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA, duke e konsideruar arsyetimin e fakteve dhe rrethanave ligjore jo të qartë dhe të pamjaftueshëm për shmangien e zbatimit të nenit G të aneksit të Kushtetutës, ku përcaktohet se në rastet e dorëheqjeve të subjekteve të rivlerësimit, vendoset dhe sanksioni që u ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.
Teta paraqiti apel kundërshtues në KPA, kundër ankimit të Komisioneres Publike dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimmarrjes së Komisionit, ose urdhërimin e vijimit të hetimit administrativ ndaj tij. KPA çmoi se Teta kishte dëshmuar në mënyrë të qartë vullnetin e tij për t’iu nënshtruar procesit të vetingut dhe urdhëroi Komisionin për vijimin e procesit kalimtar për këtë subjekt rivlerësimi.
Pas një seancë dëgjimore pa probleme në të tri kriteret e rivlerësimit, Teta u konfirmua në detyrë nga KPK, që më vonë u ankimua prej Komisionerit Publik, duke inicuar një process të dytë.
Periand Teta ka ushtruar funksionin e ndihmësit ligjor në Gjykatën e Lartë, prej shkurtit 2014 deri në korrik të 2017-ës, kur është liruar nga detyra me urdhër të ish-kryetarit të atëhershëm. Urdhri lirimit ka ardhur pasi Teta ka kërkuar të dijë për vijueshmërinë e punës së tij, në kushtet që gjyqtares pranë të cilës punonte si këshilltar, i kishte përfunduar mandati në qershor të vitit 2016.




