Prokurorja Alma Bramo pas seancës dëgjimore. Foto: Vladimir Karaj.
KPK Lajme Veting

Prokurorja Alma Bramo përballet me vetingun

Komisioni i pavarur i Kualifikimit zhvilloi të martën seancë dëgjimore me prokuroren e Prokurorisë së Rrethit të Matit, Alma Bramo.

Bramo, e cila ka filluar punë në prokurori në vitin 2015, dha shpjegime kryesisht lidhur me të ardhurat e përdorura nga e ëma në blerjen e një apartamenti në Tiranë në vitin 2006.

Siç u tha në relatim, trupa e përbërë nga Olsi Komici kryesues, Valbona Sanxhaktari anëtare dhe Xhensila Pine relatore, kishte gjetur pasaktësi në deklarimet e prokurores dhe po ashtu i kishte kaluar asaj barrë prove për të dokumentuar të ardhurat e ligjshme të nënës  dhe të afërmve.

Bramo dhe avokatja e saj, Irena Reso i vunë në dukje KPK-së se apartamenti i përkiste nënës së subjektit dhe jo kësaj të fundit dhe se blerja kishte ndodhur 10 vjet para se Bramo të merrte detyrën si prokurore. Prokurorja tha se nuk kishte mundur të siguronte dokumentacion mbi të ardhurat e babait të ndjerë, ndërsa i tha Komisionit se pavarësisht se kishte punuar në të zezë, babai i saj kishte qenë në punë deri ditën e fundit të jetës.

Prej vitit 2000, Alma Bramo ka punuar si oficere e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Lushnjes dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Bramo u emërua prokurore në nëntor të vitit 2015 dhe prej asaj kohe vazhdon ta ushtrojë funksionin në Prokurorinë e Rrethit Mat.

Relatimi

Relatorja Xhensila Pine përmendi fillimisht disa llogari bankare dhe kursimet e deklaruara të subjektit, që nga sa u kuptua në relatim nuk ishin gjetur me probleme.

Më pas, Pine tha se KPK kishte hetuar në lidhje me apartamentin në pronësi të nënës, në të cilin subjekti jetonte dhe që ishte deklaruar prej saj si pasuri e personit të lidhur, duke qenë se ishin në të njëjtën certifikatë familjare.

Pine vuri në dukje në relatim se veç të ardhurave të saj dhe nënës dhe atyre të marra nga shitja e një apartamenti në Rrogozhinë, të ardhurat e tjera të pretenduara, përfshi një dhuratë nga xhaxhai për nënën e prokurores nuk dokumentoheshin.

Pine po ashtu tha se kishte një mosrakordim mes çmimit të apartamentit në kontratën e shit-blerjes dhe të atij në kontratën e porosisë. Në kontratën e shitjes apartamenti figuronte 1.9 milion lekë, ndërsa në atë të porosisë 40 mijë euro.

Fillimisht, avokatja Reso dhe më pas vetë Bramo i kundërshtuan gjetjet e KPK. Reso tha në fjalën e saj tha se hetimet e Komisionit për burimin e ligjshëm të të ardhurave të xhaxhait të prokurores dhe mundësitë e tij për t’i dhuruar nënës së saj 10 mijë euro ishin “përtej ligjit”. Ajo theksoi se KPK në këtë pikë po hetonte huadhënësin e personit të lidhur, duke e cilësuar këtë si tejkalim.

Ajo po ashtu i tha KPK-së se kishte sjellë në CD prova të punës së motrës së prokurores si gazetare, duke theksuar se derisa kishte bërë shkrime, ajo edhe ishte paguar. Reso tha se familja kishte mbledhur të gjitha të ardhurat dhe kursimet për të blerë një apartament modest në Tiranë.

Avokatja solli si shembull edhe tre vendime të Kolegjit, i cili sipas saj kishte njohur të ardhura të ligjshme edhe në rastet kur mungonte dokumentacioni.

“Nëse nuk konsiderohen ato të ardhura (të punës së babait) me të cilat janë paguar 23 vite shkollë për katër vajza, subjekti nuk do ishte para jush,” tha avokatja Reso, për të ilustruar situatën. Reso tha se pensioni i babait dhe nënës nuk do i mbulonin shpenzimet për shkollimin e katër fëmijëve dhe se nga kjo KPK duhej të kuptonte që familja kishte pasur edhe burime të tjera të ardhurash.

Ndërkohë, vetë Bramo i tha KPK-së se ajo nuk kishte pjesë në apartament dhe atë e kishte deklaruar vetëm si banesë. Prokurorja tha se të ardhurat e saj nga puna për vite me radhë i kishte dorëzuar në shtëpi dhe theksoi kohën e blerjes së apartamentit vite para se ajo të fillonte detyrën.

Ajo po ashtu vuri në dukje se vlerën e apartamentit e kishte deklaruar 40 mijë euro dhe se kontrata e shitjes ishte bërë nga e ëma pa dijeninë e saj, ndërsa shtoi se përfitues nga kontrata më e ulët ishte kompania e ndërtimit. “Nëse do ta dija, nuk do ta kisha lejuar ta bënin,” tha Bramo, që i vuri ne dukje KPK se kishte dorëzuar të gjithë dokumentet.

Anëtarja e trupës, Valbona Sanxhaktari i tha Bramos se Komisioni kishte hetuar bazuar në deklarimet e saj për procesin “veting” dhe shtroi se ajo nuk kishte deklaruar me detaje burimet e financimit të apartamentit, gjë që kishte sjellë pyetjet nga Komisioni. Megjithatë, Sanxhaktari pranoi se bëhej fjalë për një pasuri të vogël. “E kuptojmë që është një pasuri modeste dhe të ardhurat e familjes tuaj ishin modeste”, tha ajo.

Bramo përsëriti në Komision se trupa duhej të njihte punën e të atit. Ajo shpjegoi se ai punoi në të zezë, pasi merrte edhe një pension invaliditeti, por i tha KPK-së se paratë nga pensioni nuk do kishin mundur të mbulonin shpenzimet e saj dhe të motrave në shkollë.

Pas ndërhyrjes së Sanxhaktarit, vëzhguesja e ONM-së, Elka Ermenkova tha se çështja ishte e qartë dhe se nuk kishte më asgjë për të hetuar.

Bramo u gjet pa probleme në kriterin e figurës dhe po ashtu edhe në atë të profesionalizmit. Disa denoncime ndaj saj u gjetën pa bazë nga KPK. Ndërkohë nisur nga një shkrim në një faqe online, Komisioni pyeti Bramon mbi vendimin e pushimit për kallëzimin e nisur nga Kuvendi i Shqipërisë sa i përket privatizimit të OSHEE te kompania CEZ. Pine tha se vendimi i pushimit ishte rrëzuar nga gjykata që kishte caktuar detyra, por më pas çështja i ishte kaluar një prokurori tjetër.

Bramo tha se vendimi i pushimit prej saj ishte marrë bazuar në vendimin e Gjykatës së Lartë që kishte vendosur më herët pushimin e të njëjtit hetim të nisur nga Prokuroria e Përgjithshme. Ajo tha se kishte dhënë dorëheqjen nga çështja për shmangur perceptimet se mund të ishte e njëanshme.  Vendimi për çështjen u caktua në datën 2 qershor në orën 9.30.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *