Ndihmësi ligjor, Ervin Aliu dhe përfaqësuesi i tij, Julian Mërtiri pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

KPA pushon çështjen e ndihmësit ligjor, Ervin Aliu

Kolegji Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të premten më 27 shkurt vendimin për pushimin e çështjes së vetingut të ndihmësit ligjor të Gjykatës së Apelit Administrativ, Ervin Aliu, pas heqjes dorë prej ankimit nga ana e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho. Për rrjedhojë, mbetet në fuqi vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të këtij subjekti rivlerësimi.

Ervin Aliu u konfirmua në detyrë më 22 mars të vitit 2024, pas një seance dëgjimore kur dha shpjegime për gjetjet në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit, si dhe për adresat e banimit. Për figurën Aliu u vlerësua pozitivisht.

Konfirmimi i Aliut u ankimua nga Komisionerja Publike, Irena Nino e cila kërkoi  shkarkimin e tij, me pretendimin se kishte kryer deklarime të pasakta në kriterin e pasurisë dhe se nuk kishte arritur të provonte të kundërtën e barrës së provës.

Gjatë seancës të premten, prokurori Adnan Xholi i cili përfaqësoi drejtuesin e SPAK në këtë proces, parashtroi qëndrimet lidhur me shkaqet e ankimit. Lidhur me pasaktësinë e ngritur nga Komisionerja Nino për mosdeklarimin në deklaratën veting si adresë banimi të një apartamenti në pronësi të nënës, Xholi vërejti se nga të dhënat në dosje, rezulton se subjekti ka filluar punën si ndihmës ligjor në vitin 2015, ndërkohë që në 2014-ën kur ka marrë një kredi, ka deklaruar apartamentin në fjalë. Sipas Xholit, duket se subjekti e ka përdorur këtë apartament para fillimit të detyrës. Kjo pasi në vitet e mëvonshme është konstatuar se ka pasur konsum minimal të energjisë, nga për rrjedhoje duket se nuk është përdorur nga familja e Aliut. “Edhe nëse do jetë përdorur për kohë te caktuara, në kohën e plotësimit të deklaratës veting duket se nuk është përdorur, gjë që vërtetohet nga konsumimi minimal i energjisë”, konstatoi Xholi.

Nisur dhe nga fakti se kjo pasuri rezulton të ketë qenë në pronësi të nënës së subjektit, pasaktësia e mosdeklarimit si adresë banimi konsiderohet nga drejtuesi i SPAK, e pamjaftueshme për të sjellë penalizim.

Edhe mosregjistrimi i një automjeti, u konsiderua e pamjaftueshme për të sjellë penalizim. Po ashtu, nuk janë gjetur provleme në pasaktësitë në deklarimin e burimit të automjetit, për arsye se nuk kanë qenë të shoqëruara me pamundësi financiare.

Edhe pasaktësië në deklarimin e shlyerjes së një huaje u vlerësuan nga drejtuesi i SPAK pa probleme, pasi nuk kanë qenë të shoqëruara me pamjaftueshmëri financiare. Në përfundim drejtuesi Xholi deklaroi se drejtuesi i SPAK, ka vlerësuar të heqi dorë nga ankimi.

Përfaqësuesi ligjor i Aliut, avokati Julian Mërtiri deklaroi se në kushtet kur ankuesi hoqi dorë nga ankimi, ata kërkojë të pranohet kjo kërkesë e drejtuesit të SPAK dhe të vendoset pushimi i çështjes.

Kolegji u tërhoq dhe shpalli vendimin për pushimin e shqyrtimit gjyqësor për vetingun e ndihmësit ligjoreErvin Aliu, me argumentin se pas hejqes dorë nga ankimi, kishte humbur objekti i çëshjtes. Për rrjedhojë, vendimi i Komisionit për konfirmimin e Aliut mori formë të prerë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *