Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

Ankimi ndaj Alma Bratit: Kolegji i jep kohë Komisionerit të njihet me provat

Apelimi ndaj vendimit të KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Alma Brati, KPA i jep kohë Komisionerit Publik të njihet me provat e reja të administruara nga subjekti

Gjyqtarja Alma Brati, gjatë seancës dëgjimore në Kolegjin e Apelimit | Foto nga : LSA

Trupi gjykues i Komisionit të Posaçëm të Apelimit i kryesuar nga gjyqtarja Natasha Mulaj dhe anëtarë Albana Shtylla, Ina Rama, Luan Daci dhe Razarta Schuetz – kjo e fundit në cilësinë e relatores, shqyrtoi të enjten ankimin e paraqitur nga Komisioneri Publik ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Alma Brati.

Në fund të seancës dëgjimore ditën e enjte, Kolegji mori vendim të ndërmjetëm me anë të të cilit i kërkoi Komisionerit që pasi të analizojë provat e paraqitura nga subjekti rivlerësimit, të dali me kërkesa për prova të specifike.

Alma Brati është emëruar gjyqtare në vitin 2007. Më parë, ajo ka punuar si juriste në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Durrës dhe inspektore në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Gjyqtarja Brati arriti të kalojë procesin e rivlerësimit kalimtar, por vendimi i arsyetuar i Komisionit vërejti pasaktësi në deklarimin e pasurisë dhe të të ardhurave të saj si dhe probleme të karakterit formal në shqyrtimin e aftësive të saj profesionale.

Komisioneri Publik, në kërkesën për rishikim të vendimit të KPK-së drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) të bërë publike të martën, shprehet po ashtu se pasaktësitë e gjetura edhe nga shkalla e parë e vetingut duheshin interpretuar si deklarim i rremë, ndërsa i kërkon KPA-së të bëjë një hetim të plotë të çështjes së Bratit mbi kriterin e pasurisë.

Pretendimet e Komisionerit

Gjatë seancës Komisioneri Publik Darjel Sina renditi arsyet e apelimit të vendimit të KPK-së për subjektin, duke argumentuar se gjatë hetimeve mbi pasuritë e gjyqtares Brati, nuk është verifikuar si duhet nëse nëna e saj kishte burime të ligjshme pasurie për dhurimin e 1.8 milionë lekëve, dhe ish-bashkëshorti  dhe pagesën e pensionit ushqimor për fëmijët. Sipas Komisionerit, mangësitë e konstatuara në vendimin e KPK, e justifikojnë verifikimin e tij.

Sina u shpreh gjatë parashtrimeve se KPK, gjithashtu nuk ka hetuar për burimin e pasurisë së një të afërmeje(tezes) të gjyqtares Brati, e cila i ka dhënë asaj një hua 25.000 euro për blerjen e një apartamenti 101 m2 në vitin 2015. Ndërkohë, ai shtoi se kjo shumë është shlyer ‘cash’ një vit më vonë  nga Brati, pasi e ëma i dhuroi 1.8 milionë lekë. Komisioneri shtoi se nëna dhe tezja e gjyqtares Brati duhet të ishin cilësuar si persona të tjerë të lidhur dhe të ishin subjekt i verifikimit të burimeve financiare, pasi duhet të pasqyrohej mundësia e huadhënies dhe e dhurimit.

Sina u ndal edhe tek pretendimi i tij se KPK nuk ka arsyetuar siç duhet lidhur me mospërputhjet e të dhënave për një banesë të blerë nga gjyqtarja dhe të afërmit e saj në Durrës në fillim të vitit 2000. Sipas Komisionerit në kontratën noteriale trualli rezulton me sipërfaqe 158 m2, ndërsa në certifikatën e pronësisë blerësit figurojnë pronarë të sipërfaqes 179.84 m2 truall. Në vitin 2004, kur kjo pronë ishte regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, gjyqtarja Alma Brati punonte në këtë institucion.

Tjetër problematikë që ngriti Komisioneri ishte edhe fakti se KPK nuk kishte verifikuar mospërputhjet e deklarimeve për pensionin ushqimor për fëmijët të përfituara nga ish-bashkëshorti i Bratit – të deklaruara në deklaratën veting në vlerën e 3.1 milion lekë, ndërsa në deklaratat periodike shuma rezulton 2.9 milion lekë. Sipas Komisionerit, KPK nuk e ka cilësuar ish-bashkëshortin e Bratit si person të lidhur dhe nuk ka kryer verifikimin e ligjshmërisë së burimit të të ardhurave me të cilat është paguar pensioni ushqimor. Gjithashtu, Komisioneri theksoi se gjyqtarja Brati ka deklaruar si kursime një pjesë të parave të pensionit ushqimor.

Në fund të fjalës së tij, Komisioneri Sina pohoi se provat janë të paplota dhe se provat e administruara nuk janë të mjaftueshme për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, gjyqtares Alma Brati. “Kërkojmë ndryshimin ose konfirmimin e vendimit të KPK”, deklaroi Komisioneri Sina. Ai i kërkoi trupës gjykuese të vendosi për fillimin ose jo të hetimit për verifikimin e vendimit të KPK-së.

Pretendimet e gjyqtares

Pas parashtrimeve të Komisionerit Publik, kryesuesja e trupës gjykuese të KPA, Natasha Mulaj i dha fjalën gjyqtares Alma Brati, e cila deklaroi se nuk ishte dakord me pretendimin e Komisionerit se vendimi i KPK-së nuk ishte i besueshëm. Lidhur me blerjen e apartamentit në vitin 2015, ajo shpjegoi se ka deklaruar kontratën e kredisë 50 mijë euro, një kursim ndër vite 5 mijë euru dhe një hua në vlerën e 25 mijë eurove të marrë nga tezja e saj – për të cilën pohoi se kishte depozituar transaksionet dhe se nuk kishte kryer akte formale për shkak të lidhjes së posaçme që kishte me të.

Ajo u shpreh se lidhur me ligjshmërinë e depozitave të tezes së saj është detyrë e bankave që të hetojnë për klientët e tyre në bazë të legjislacionit përkatës. Më tej, gjyqtarja Brati shtoi se është interesuar pranë familjarëve të saj dhe llogaria është në emër të tezes dhe vajzës së saj që jeton prej rreth 20 vitesh në Itali. Ajo pohoi se kushërira i ka vënë në dispozicion dokumentacionin përkatës me vula apostile të shtetit fqinj, lidhur me të ardhurat e saj dhe të bashkëshortit për vitet 2012-2017. Me këto dokumente që ajo pohoi se i ka vënë në dispozicion të Kolegjit dhe Komisionerit, vërteton ligjshmërinë e burimit të huadhënies nga ana e tezes së saj.

Lidhur me shumën prej 1.8 milionë lekësh të marrw dhuratë nga e wma, gjyqtarja Brati u shpreh se prindërit e saj kanë punuar një jetë të tërë – të dy së bashku kanë punuar në shtet për rreth 70 vjet. Lidhur me pamundësinë e dokumentacionit që vërtetonte ushtrimin e profesionit të prokurorit dhe të avokatit nga babai i saj, gjyqtarja Brati tha se ka qenë e pamundur të administrohen pasi institucionet shtetërore nuk i disponojnë. Ajo pohoi se nëna dhe babai i saj kanë punuar deri në vitin 1997, por dokumentet janë zhdukur gjatë anarkisw qw pwrfshiu vendin pas rwnies sw firmave piramidale- kur në Shkodër janë djegur arkivat e gjykatës dhe tw institucioneve. Brati deklaroi se nga Prokuroria e Përgjithshme ka arritur të sigurojë një vërtetim lidhur me dosjen personale të të atit, që sipas saj ka shërbyer si prokuror që prej vitit 1967 deri në vitin 1993. Lidhur me faktin se në depozitën në emër të nënës së saj nuk ka pasur gjendje që prej vitit 2006 e në vazhdim, Brati pohoi se nëna kishte kryer veprime financiare dhe se i janë shlyer këto para gjatë viteve 2012-2013. Edhe për këtë kam depozituar dokumentet, u shpreh ajo, duke e konsideruar dhuratën e nënës së saj me burim të ligjshëm.

“Kam gjetur një kontratë të vitit 96 që provon se im atë ka qenë i regjistruar me liçencë në atë vit”, pohoi ajo duke qarë për të atin që ka ndërruar jetë. “Në një shtet që nuk ka pasur mundësi të ruajë dokumentet si mund të kërkohet një gjë e tillë. I kam kërkuar të dhëna Gjykatës së Shkodrës, por nuk ka se është djegur dy herë. Janë gjetur vetëm indekset e vitit 1998 dhe një vendim i vitit 1997. Si mund të punonte pa licencë. Babi im ka qenë ndër avokatët më të njohur të çështjeve penale”, u shpreh Brati. “Gjithashtu, kam gjetur edhe një kopje të librezës së punës së nënës, ajo ka punuar 37 vjet,” shtoi ajo.

Për sa i përket ligjshmërisë së burimit të pensionit ushqimor, gjyqtarja Brati shpjegoi se ish-bashkëshorti i saj punon si avokat. Ndërsa lidhur me deklarimin e kursimeve nga pensioni ushqimor, ajo deklaroi se ish-bashkëshorti nuk i kishte shlyer për periudhën gjatë viteve 2007-2010, por ja kishte dhënë të gjitha së bashku pas tre vitesh. Më tej ajo shtoi se kishte marrëveshje me ish-bashkëshortin se gjatë viteve do të kishte rritje të pensionit nga 20 mijë në 50 mijë lekë, pasi fëmijët po rriteshin dhe kishin më shumë kërkesa.

“Më thonë se me kursimet nga pensioni ushqimor s’duhej të blija makinë… Po të mi kishte dhënë çdo muaj, nuk do kisha arritur të kurseja ndër vite unë?”, pyeti gjyqtarja.

Lidhur me bashkëpronësinë e një shtëpie në Durrës, ku është konstatuar parregullsi dhe mospërputhje për sipërfaqen e truallit, Brati pohoi se në vitin 2005 kishte nisur azhornimi dhe se nga matjet kishte rezultuar se nuk ishin 158m2 por 179 m2. Ajo shpjegoi se shtëpia në fjalë, ku ajo gëzon një pjesë, është e rrethuar nga objekte të tjera dhe ka qenë e pamundur të ndryshohej sipërfaqja. Ndërkohë, sqaroi se kompania që kreu azhornimin, la afat nëse do të kishte ankime nga qytetarët, por askush nuk u ankua dhe gabimi i mëparshëm u korrigjua nga vetë kompania në fjalë.

Konsideroj se të gjitha burimet e pasurive dhe të ardhurave të mija janë të ligjshme theksoi ajo.

Anëtari I trupës gjykuese të KPA, Luan Daci, e pyeti gjyqtaren Brati, nëse rimatjet dhe korrigjimi ishin bërë të dyja nga kompania, apo nëse korrigjimi ishte kryer nga Zyra Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ajo iu përgjigj se gjithçka ishte bërë nga kompania, përfshi edhe korrigjimi dhe më pas dokumentacioni kalonte në ZVRPP.

I pyetur nga trupa gjykuese, Komisioneri u shpreh se nuk ishte njohur ende me provat e reja të paraqitura nga gjyqtarja Brati, pasi i kishte marrë ato gjysmë ore para çeljes së seancës.

Rreth orës 11:00, trupa gjykuese e KPA u tërhoq për vendim të ndërmjetëm dhe në mesditë, kryesuesja Natasha Mulaj deklaroi se pasi u njohën me kërkesat dhe i shqyrtuan, si edhe faktit se Komisioneri nuk është njohur me provat, vendosi që ti japë kohë këtij të fundit për ti analizuar dhe për të dalë me një kërkesë me prova të specifikuara.

Seanca e radhës u vendos më datë 18 dhjetor 2018, ora 14.00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *