Ankimi ndaj konfirmimit të prokurorit Petrit Çano, KPA njihet me parashtrimet e palëve

Lajme
Pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të shqyrtojë gjatë vendimit përfundimtar një kërkesë paraprake të prokurorit Petrit Çano për mospranimin e ankimit për shkak të tejkalimit të afatit,  Komisioneri Publik evidentoi mangësi të hetimit të kryer nga KPK dhe kërkoi verifikimin e të tri kritereve të rivlerësimit. Prokurori Çano depozitoi prova për të vërtetuar të kundërtën e shkaqeve të ankimit dhe kërkoi çeljen e hetimit gjyqësor.

Petrit Çano duke dalë nga KPA | Foto: Edmodn. Hoxhaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të martën me parashtrimet e Komisionerit Publik, Florian Ballhysa për ankimin e ushtruar ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, Petrit Çano, duke kërkuar që verifikimi të kryhet në të tre kriteret e rivlerësimit. Edhe Çano paraqiti parashtrimet e tij dhe dorëzoi prova në funksion të mbrojtjes kundër shkaqeve të ankimit të ngritura nga Ballhysa për kriterin e pasurisë.

Prokurori Petrit Çano, paraqiti në fillim të seancës nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor, avokatit Julian Mërtiri, një kërkesë paraprake për papranueshmërinë e ankimit të Komisionerit, me argumentin se ishte ushtruar jashtë afatit ligjor 15 ditor.

Sipas avokatit Mërtiri, Komisioneri e ka kryer ankimin një ditë pasi kishte kaluar afati ditor prej njoftimit të vendimit nga ana e Komisionit.

Komisioneri Ballhysa solli në vëmendje jurisupudencën e KPA në rastet e kërkimit të mospranimit të ankimit dhe theksoi se sipas Kodit të Procedrës Civile, dita e njoftimit nuk llogaritet në afate.

Pasi u tërhoq, trupi gjykues i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Albana Shtyllën, Ardian Hajdarin e Sokol Çomon vendosi që kërkesën për mospranimin e ankimit ta shqyrtojë gjatë vendimarrjes përfundimtare.

Komisioneri Publik tha se kishte konstatuar mangësi të hetimit administrativ në vendimin e Komisionerit Publik lidhur me kriterin e pasurisë dhe pastërtisë së figurës. Ai shtoi se, nisur nga vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, për shkarkimin e prokurorit të Krujës Bujar Memia, kërkoi verifikimin e qëndrimit të Çanos në cilësinë e drejtuesit të prokurorisë.

Sipas Ballhysës, procedura e verifikimit të figurës ishte e paplotë, pasi në raportin që Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK kishte dorëzuar në Komision nuk përmbante informacione të Shërbimit Informativ Shtetëror. Ai kërkoi që mangësitë në hetimin për kriterin e figurës të riparohen gjatë gjykimit të këtij ankimi në Kolegj.

Përfaqësuesi i prokurorit Çano, avokati Julian Mërtiri theksoi në fillim të seancës se shkaqet e ankimit kishin të bënin vetëm me kriterin e pasurisë, ndërsa shtoi se në parashtrime po kërkohej vrifikimi i të tre kritereve. Ai u ndal në çdo kërkesë të Komisionerit.

Mërtiri solli në vëmendje se prokurori Çano ishte pajisur në vitin 2020 nga DSIK me certifikatë sigurie për çështje tepër sekrete.

Lidhur me kriterin e pasurisë, Ballhysa kërkoi rihetimin e dy pasurive të paluajtshme në Tiranë, një apartamenti të blerë nga subjekti në vitin 2011 kundrejt çmimit 7.5 milionë lekë dhe një apartamenti 63 m2 të blerë në emër të vajzës në vitin 2014 në shumën 53 mijë euro.

Komisioneri pretendoi se çmimi i blerjes së dy apartamenteve ishte më i vogël nga ai i rerencës dhe i kërkoi Kolegjit që të hetonte në drejtim të konfliktit të mundshëm të interesit në kryerjen e këtyre transaksioneve, duke verifikuar nëse prokurori Çano kishte hetuar ndonjë çështje në ngarkim të shitësve të këtyre pasurive. Gjithashtu, ai pretendoi se mund të ketë pasur veprime fiktive me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.

Lidhur me pretendimin për konfliktin e interesit në dukje në blerjen e dy apartamenteve në Tiranë, avokati Mërtiri shpjegoi se subjekti kishtë marrë vërtetime nga prokuroritë e Beratit, Vlorës, Lushnjës dhe Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK. Mërtiri shpjegoi se këtyre prokurorive u ishte kërkuar që të informonin nëse ndaj shitësve të këtyre dokumenteve kishte pasur ndonjë kallëzim penal apo procedim, apo nëse ata kishin kryer ndonjë kallëzim.

Sipas Mërtirit, të gjithë prokuroritë kanë kthyer përgjigje se asnjë prej këtyre personave nuk ka pasur çështje gjatë periudhës që Çano ka punuar ose i ka drejtuar këto institucione. Ai theksoi se bazuar në këto prova vërtetohej se mungonte konflikti i interesit.

Mërtiri vijoi se ishte i pabazuar edhe pretendimi për kryerjen e veprimeve fiktive. Ai deklaroi se çmimi i apartamentit të blerë nga subjekti në vitin 2011 në shumën 7.5 milionë lekë ishte dakordësuar që prej vitit 2006 dhe se pjesa më e madhe e vlerës ishte shlyer para nënshkrimit të kontratës së shit-blerjes. Sipas Mërtirit, kjo ishte arsyeja përse apartamenti ishte blerë në shumën 7.5 milionë lekë.

Për çmimin e apartamentit të vajzës së subjektit, Mërtiri vuri në dukje faktin se kjo pasuri gjendjen në një pallat të ndërtuar dekada më parë dhe se amortizimi sillte uljen e vlerës. Ai shpjegoi se i ishin drejtuar një eksperti ligjor për kryerjen e një analize lidhur me vlerën reale të këtij apartamenti.

“Kur është blerë apartamenti kishin kaluar 52 vite nga ndërtimi i pallatit. Amortizimi përllogaritet 1.3% në vit dhe në total arrin në 67%”, sqaroi Mërtiri lidhur me konkluzionin e arritur nga ekspertët. Sipas tij, ekspertët kishin kryer edhe sondazh prej nga kishin konkluduar se vlera e shitjes në vitin 2016 për një apartament me të dhëna të ngjashme me atë të vajzës së subjektit ishte rreth 56 mijë euro. “Ekspertët kanë konkluduar se vlera e amortizimit zbritet nga shuma 56 mijë euro dhe mbetet 2.5 milionë lekë”, sqaroi Mërtiri dhe tha se veç aktit të ekspertimit, do të dorëzonin si prova edhe 3 kontrata shit-blerje të ngjashme me atë të vajzës së subjektit. “Vlera 53 mijë euro është në përputhje me çmimin e tregut”, pohoi ai.

Komisioneri Ballhysa kërkoi hetim më të thelluar edhe për të ardhurat e bashkëshortes të përfituara nga administrimi i një kopshti për fëmijë, konkretisht të vlerës 1.4 milionë të përfituara nga shitja e pajisjeve dhe mobiljeve pas mbylljes së aktivitetit.

Sipas Ballhysës, kontrata e shitjes së mobiljeve dhe pajisjeve ishte kryer nga bashkëshortja e subjektit dhe jo në emër të shoqërisë së zotëruar prej saj. “Duket se është kryer në tejkalim të ligjit pasi nuk mund të shiste pajisjet e personit juridik”, tha Ballhysa.

Ai pretendoi se nuk ishin shlyer të gjitha detyrimet tatimore nga bashkëshortja e subjektit.

Mërtiri e kundërshtoi pretendimin për mosshlyerjen e gjithë detyrimeve nga ana e bashkëshortes dhe argumentoi se mospasja e detyrimeve tatimore konfirmohej edhe nga çregjistrimi i aktivitetit.

Ai theksoi se mobiljet ishin shitur pasi ishte mbyllur aktiviteti dhe në këto kushte nuk kishte qenë e mundur që ky transaksion të ishte kryer në emër të shoqërisë që ajo kishte zotëruar. “Këto asete kur të mbyllej aktiviteti do t’i dorëzoheshin ortakut të vetëm që ishte bashkëshortja e subjektit. Aktivet e mbetura u shpërndahen pronarëve”, shpjegoi ai dhe këmbënguli se bashkëshortja e Çanos nuk kishte pasur asnjë detyrim të pashlyer.

Mërtiri pohoi se prokurori Çano rezultonte çdo vit me burime të mjaftueshme financiare dhe kërkoi që të konsiderohej si e ardhur bonusi i karburantit në shumën 35 mijë lekë në muaj i përfituar gjatë një priudhe kur ishte drejtues prokuorie në Lushnjë.

Lidhur me aspektin profesional, Ballhysa solli në vëmendje vendimin e KLP-së për shkarkimin e prokurorit të Krujës Bujar Memia, ku konkludohej se ky i fundit kishte kryer shkelje të përsëritura duke mos ushtruar ankim ndaj vendimeve të lirimeve të parakohshme të të dënuarve për krime të rënda.

Ballhysa tha se para hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore në vitin 2017, subjekti i rivlerësimit, në cilësinë e drejtuesit të prokurorisë mund të korrigjonte vendimin dhe qëndrimin e prokurorit vartës. Ndërsa shtoi se pas ndryshimeve ligjore drejtuesi i prokurorisë ka kompetencë të nxjerrë udhëzime.

Ai kërkoi që të kryhej hetim nga Kolegji lidhur me vendimet për qëndrim në shtëpi, lirime me kusht apo njohje amnistie të dhëna nga Gjykata e Krujës, në të cilat prokuroria është përfaqësuar nga Memia. Gjithashtu, Komisioneri kërkoi që të verifikoheshin udhëzimet e nxjerra në lidhje me qëndrimet pasive të Memisë ndaj vendimeve të gjykatës për lirimin e personave të dënuar, që sollën si pasojë mosverifikimin e tyre nga gjykata eprore.

Avokati Mërtiri theksoi se pretendimet e Komisionerit kanë të bëjnë me një person tjetër, për të cilin autoritetet përkatëse kanë marrë vendim dhe kanë kryer hetim mbi gjithë çështjet e përfaqësuara prej tij. Sipas Mërtirit, në asnjë rast nuk janë evidentuar probleme për subjektin e rivlerësimit.

“Përmendet edhe në vendimin e KLP se ai ka vepruar në kundërshtim me udhëzimin e drejtuesit të prokurorisë”, pohoi prokurori Çano lidhur me qëndrimin që kishte mbajtur për veprimet e prokurorit Memia.

Mërtiri deklaroi se kërkimi i Komisionerit Publik ishte jashtë kompetencës së tij. “Pretendimet e reja nuk mund të shqyrtohen as nga Kolegji. Komisioneri Publik nuk i ka ngritur në ankim por thotë se ka një vendim të KLP-së”, pohoi Mërtiri dhe kërkoi të depozitonte si provë të gjitha vërtetimet e marra nga prokuroritë e Beratit, Vlorës, Lushnjës, SPAK-ut, si dhe ekspertimin për apartamentin e vajzës.

Kolegji pyeti palët lidhur me dy denoncime të kryera nga publiku ndaj prokurorit Çano. Komisioneri Ballhysa tha se nuk kishte gjetur ndonjë indicie në këto denoncime. Ndërsa prokurori Çano i konsideroi si të pabazuara.

Të dyja palët kërkuan çeljen e hetimit gjyqësor, ndërsa prokurori Çano kërkoi edhe pranimin e provave të dorëzuara prej tij në seancën e të martës.

Pasi trupi gjykues i KPA u tërhoq, vendosi të shtyjë seancën më datë 14 maj të orës 10:30, për tu shprehur lidhur me provat dhe çeljen e hetimit gjyqësor.