Gjyqtari Ardit Mustafaj pas vendimit të KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPA Lajme Veting

Argumentet e KPA për rikthimin në detyrë të gjyqtarit Ardit Mustafaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi me shumicë votash më 21 shtator 2022 të prishë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme, Ardit Mustafaj, duke e rikthyer atë në detyrë.

Mustafaj u shkarkua nga detyra më 5 mars 2020 për “mungesë burimesh të ligjshme” për të justifikuar pasurinë. Vendimi i arsyetuar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit tregon se gjyqtari Mustafaj nuk arriti të bindte trupën gjykuese për disa hua dhe një pjesë të të ardhurave të deklaruara, të cilat shërbyen si burim për krijimin e pasurive të patundshme në një hark të shkurtër kohor. Mustafaj u vlerësua pozitivisht për figurën dhe profesionalizmin.

Pas ankimit të subjektit, shumica e KPA e përbërë nga kryesuesja Albana Shtylla, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Natasha Mulajn dhe Sokol Çomon gjetën shkelje procedurale dhe konkluzione të pabazuara për pasurinë. Ndërsa gjyqtarja Rezarta Schuetz doli në pakicë duke çmuar se Mustafaj është i papërshtatshëm në kriterin e pasurisë dhe se duhej të ishte lënë në fuqi shkarkimi nga detyra.

Shkeljet procedurale

Gjatë shqyrtimit të ankimit të Mustafajt në dhomë këshillimi, Kolegji konstatoi shkelje procedurale të Komisionit si dhe mungesë të akteve të administruara gjatë hetimit administrativ në shkallën e parë të vetingut. Për rrjedhojë, u vendos që KPK-së t’i kërkoheshin aktet që figuronin në inventar, por që mungonin në dosjen e përcjellë në Kolegj, si dhe që çështja të shqyrtohej në seancë publike.

Në vendimin e arsyetuar të Kolegjit sqarohet se ky vendim është marrë pasi është konstatuar se subjekti i rivlerësimit nuk ishte njohur me aktet e hetimit administrativ para seancës dëgjimore; se ai rezultonte të kishte qenë me raport mjekësor pasi i janë komunikuar rezultatet e hetimit paraprak në Komision; për shkak se subjekti ka provuar nëpërmjet ankimit se kishte dorëzuar prova që KPK nuk i kishte vendosur në dosje; si dhe në vendimin e shkallës së parë ishte konkluduar balancë negative financiare më e madhe nga sa i ishte kaluar subjektit si barrë prove.

Kolegji ka pranuar si prova aktet e dorëzuara nga subjekti, të cilat plotësonin kriteret e dispozitave ligjore, pasi janë vlerësuar se kontribuonin për konstatimin e saktë dhe të plotë të situatës faktike.

Anëtarja në pakicë, Rezarta Schuetz shprehet kundër shqyrtimit në seancë publike, me argumentin se subjekti ankohej për mungesë njohjeje të akteve në fashikull, që kishte ardhur si rrjedhojë e zgjedhjes së tij personale për të mos u konsultuar me aktet, pavarësisht se ky hap procedural i ishte ofruar dhe mundësuar nga Komisioni.

“…Duke kaluar në seancë gjyqësore publike dhe duke pranuar akte të reja në cilësinë e provës, shumica i ka lejuar subjektit të rivlerësimit mundësi shtesë, përtej atyre që parashikon dhe kufizon në mënyrë të shprehur ligji,” shprehet ndër të tjera Schuetz.

Vlerësimi për pasurinë  

Lidhur me një objekt 1+1 kate në Sarandë, me sipërfaqe trualli 304 m2, të shitur nga subjekti në vitin 2004, Komisioni ka konkluduar nuk u provua me dokumentacion deklarimi i tij se investimi për ndërtimin e kësaj pasurie ka kushtuar 1.8 milionë lekë dhe e ka kryer përllogaritjen e shpenzimeve sipas kritereve të Entit Kombëtar të Banesave. KPK nuk ka pranuar as pretendimin tjetër të Mustafajt, se objekti është shitur karabina, duke iu referuar regjistrimit hipotekor dhe kontratës së shitjes ku pasqyrohet ndërtimi 1+1 dhe jo karabina.

Bazuar në këtë arsyetim, Komisioni ka konstatuar balancë negative në vlerën 6.6 milionë lekë për kryerjen e investimeve dhe përballimin e shpenzimeve nga subjekti gjatë periudhës 1996-2003.

Subjekti pretendoi në Kolegj se konkluzionet e Komisionit lidhur me shpenzimet e ndërtimit në vitin 2003, të cilat janë më të larta se shuma e deklaruar prej tij në deklaratën fillestare të pasurisë në vitin 2003, janë kryer mbi përllogaritje jo të drejta. Sipas tij, kjo mënyrë përllogaritje ka ndikuar negativisht në analizën financiare të këtij viti. Gjithashtu konsideron të padrejtë edhe mospërfshirjen në analizën financiare të vitit 2004, të vlerës së përfituar nga shitja e këtij objekti.

KPA i ka dhënë të drejtë subjektit lidhur me gjendjen e objektit në momentin e shitjes. “…Përsa i përket faktit se ky objekt nuk është përfunduar së ndërtuari prej tij, por është shitur në gjendje karabina në nivelin 1+1 kate ndërtim, ai ka paraqitur në proces prova të natyrës së fotove digjitale për të provuar këtë pretendim të tij. Këto fotografi janë nxjerrë prej platformave digjitale të aksesueshme lirisht në internet, si nga ato shtetërore, si ASIG, por edhe nga ato të krijuara prej enteve private, të cilat janë disponuar prej subjektit nëpërmjet të dhënave të gjendura në burime të hapura”, konstaton Kolegji dhe vëren se nga pamjet satelitore të viteve 2006 dhe 2007, pas shitjes së objektit nga subjekti, rezulton se është ende në gjendje karabina.

Një akt kolaudimi i vitit 2003 i përcjellë në Komision nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Sarandë ku objekti në fjalë referohet si i përfunduar, çmohet i pavërtetë nga Kolegji.

Bazuar në këto konstatime, Kolegji e cilëson të pabazuar konkluzionin e KPK-së se ndërtimi ka qenë i përfunduar, pasi kështu përshkruhet në kontratën e shitjes. Në përfundim të shqyrtimit të këtij shkaku ankimi, Kolegji ka krijuar bindjen se ky objekt ka qenë në gjendje karabina në momentin që është shitur nga subjekti.

Lidhur me kostot e ndërtimit, KPA vlerëson se në këtë rast nuk mund të përllogariten sipas çmimeve të përcaktuara nga EKB për objektet e përfunduara.

Kolegji vlerëson si të besueshëm informacionin e dhënë prej subjektit në mënyrë përshkruese e të detajuar në deklaratat periodike dhe në kontratën e shitblerjes së këtij objekti të kryer në vitin 2004. Në mungesë të ndonjë indicia apo të dhëne që tregonte të kundërtën, shumica shprehet se ka krijuar bindjen se Mustafaj e ka shitur këtë pasuri me të njëjtën vlerë që ka shpenzuar për ndërtimin, në shumën 1.8 milionë lekë.

Schuetz në pakicë e ka gjetur të saktë konkluzionin e KPK-së për balancën negative të përllogaritur sipas çmimeve të EKB-së. “Subjekti i rivlerësimit nuk provoi me asnjë dokument që vlera e shpenzuar prej tij për ndërtesën ishte 1,8 milionë lekë”, thekson ajo.

Në vijim, KPA ka shqyrtuar pretendimet e subjektit i cili ka kundërshtuar konkluzionet e KPK lidhur me burimin e huave që nga marrë prej kunatit në vitet 2003-2004 në shumën 2 milionë lekë, të përdorura pjesërisht për ndërtimin e objektit dhe për blerjen e një apartamenti në Tiranë.

KPK ka konkluduar se kunati i subjektit nuk ka pasur mundësi për dhënien e huave në vitet 2003 dhe 2004.

KPA vëren se aktet e depozituara nga subjekti për të vërtetuar mundësinë financiare të huadhënësit kanë të bëjnë me të ardhurat e kunatit nga punësimi në vitet 1996-1997, 1998-2001 dhe 2001-2004.

Kolegji i vlerëson të sakta dhe koherente deklarimet e subjektit për të ardhurat e kunatit. Megjithëse nuk është arritur të vërtetohen të gjitha të ardhurat nga punësimi i tij, KPA ka krijuar bindjen për marrëdhëniet e punësimit të pretenduara dhe për krijimin e të ardhurave nga kunati. Nisur nga koha e largët të marrëdhënieve të punësimit të kunatit, Kolegji e ka gjetur të drejtë pretendimin e subjektit për të përfshirë në analizën financiare ato të ardhura për të cilat është faktuar nga hetimi administrativ në KPK shlyerja e detyrimeve tatimore.

“…Kolegji, në ndryshim nga Komisioni, njohu dhe llogariti si burime për krijimin e shumës së dhënë hua, të ardhurat e krijuara prej tij e që përmbushin kriteret e parashikuara nga neni D, pikat 1 e 3 të Aneksit të Kushtetutës, nga neni 3, pika 19 e ligjit nr. 84/2016, duke përcaktuar shumën e cila do të përfshihet si e ardhur e ligjshme në analizën financiare”, citohet në vendim.

Subjekti ka kundërshtuar edhe konkluzionin e Komisionit për moskonsiderimin e një huaje tjetër të marrë nga shtetasi GJ.D. në vitet 2002-2003 në shumën 1.7 milion lekë që është përdorur pjesërisht si burim për ndërtimin e objektit. Subjekti ka pretenduar se huadhënësi ka pasur mundësi financiare nga aktiviteti i tij tregtar dhe puna që ka kryer.

Kolegji vëren se huaja nga shtetasi Gj.D. është marrë para dhe sapo ka hyrë në fuqi ligji për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, e për rrjedhojë nuk ka pse subjekti duhej të kishte vëmendje të shtuar në verifikimin e ligjshmërisë së të ardhurave të huadhënësit. Sipas KPA, konstatimi i një aktiviteti tregtar që ushtrohej nga huadhënësi prej vitesh, ishte i mjaftueshëm si kriter për të krijuar besim rreth ligjshmërisë së të ardhurave të tij.

Kolegji ka analizuar fitimin e mundshëm të shoqërisë së zotëruar nga huadhënësi për periudhën 1996-2003, prej nga ka rezultuar se fitimi potencial ishte në vlerën 1 milion e 970 mijë lekë. Po ashtu, ka rezultuar se nga punësimi, huadhënësi dhe bashkëshortja e tij kanë pasur të ardhura në masën 1 milion e 143 mijë lekë gjatë periudhës 1994-2003.

Duke konsideruar se shpenzimet jetike të familjes së huadhënësit për periudhën e analizuar kanë qenë në vlerën 1 milion e 775 mijë lekë, ka rezultuar se kanë pasur mundësi të kursenin shumën 1 milion e 339 mijë lekë.

Bazuar në këto konstatime, shumica e Kolegjit vlerëson se huaja 1.7 milionë lekë ka plotësuar kushtet për t’u njohur si e ardhur e ligjshme.

Ndërsa Schuetz në pakicë vlerëson se nuk mund të konsiderohet kjo vlerë në analizën financiare. “Shumica vendosi të pranojë pretendimet e subjektit të rivlerësimit për pamundësi objektive për të paraqitur dokumentacionin provues të të ardhurave e, për pasojë, kreu një vlerësim hipotetik të aktivitetit privat të huadhënësit”, vëren Schutez dhe e cilëson të pabazuar përllogaritjen hipotetike të fitimit të akumuluar nga biznesi në pronësi të këtij huadhënësi, që sipas saj krijon arbitraritet.

Schuetz konstaton se huadhënësi ka marrë tre kredi në vitet 2001-2004 dhe se faktet e administruara tregojnë përtej çdo dyshimi që bizneset e e tij ishin në vështirësi financiare dhe nuk kanë deklaruar të ardhura për efekt të detyrimeve tatimore, sikurse edhe pagesa sigurimesh shoqërore.

“Subjektet deklaruese mbajnë përgjegjësi për deklarimet e tyre, por deklarata periodike vjetore në vetvete është – siç sugjeron titulli – deklarative. Ky element merr rëndësi vendimtare nëse sillet në vëmendje fakti që asnjë nga veprimet e analizuara dhe problematikat e pasurisë së subjektit të rivlerësimit nuk shoqërohen me transferta bankare të të ardhurave apo gjurmë të tjera dokumentare të ndonjërit prej transaksioneve që, në vlerësimin tim, paraqesin probleme”, çmon Schutez.

Mustafaj ka pretenduar se është tërësisht i pabazuar edhe konkluzioni tjetër i Komisionit se nuk është arritur të provohet bindshëm dhe me dokumentacion burimi i ligjshëm i të ardhurave në shumën 850 mijë lekë nga mësimdhënia e kurseve jashtëshkollore të bashkëshortes së tij deri në fund të vitit 2004.

Kolegji vlerëson se subjekti ka deklarime të plota rreth të ardhurave të krijuara nga kurset e mësimdhënies, duke lënë gjurmë për ekzistencën e tyre.

Nga analiza e kryer, Kolegji konstaton se bashkëshortja e subjektit ka pasur lëvizje bankare në periudhën para martesës. Sipas të dhënave të marra gjatë hetimit administrativ nga Tirana Bank, ka rezultuar se bashkëshortja e subjektit ka depozituar deri më 30 nëntor të vitit 2001 shumën 829 mijë lekë. KPA vlerëson se nga kjo vlerë e depozituar, shuma 200 mijë lekë është krijuar nga paga si arsimtare e bashkëshortes së Mustafajt, ndërsa pjesa tjetër nga kurset jashtëshkollore private.

Kolegji konstaton të provuar me dokumentacion të kohës ekzistencën e të ardhurave të krijuara para martese nga mësimdhënia jashtëshkollore e bashkëshortes së subjektit. Ndërkohë, ka rezultuar se detyrimet tatimore janë paguar pas plotësimit të deklaratës “veting“ në gusht të vitit 2018.

Kolegji rendit argumentet e tij përse kjo shumë duhet përfshirë në analizën financiare. Sipas KPA, është e nevojshme të provohet bindshëm ekzistenca e të ardhurave, pasi pagimi detyrimeve tatimore nuk mund të vërtetojë të ardhurat pa pasur dokumente e mjete të tjera.

“…Duke konsideruar së pari faktin se ekzistenca e kësaj shume provohet me dokumente bankare të kohës, si dhe së dyti, këto të ardhura janë krijuar nga personi i lidhur para martese, por edhe para hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9049/2003, mbi të cilin gjyqtarët, si subjekte deklaruese, duhet të deklaronin pasuritë e tyre dhe të bashkëshortëve. Në këto kushte, pagesa me vonesë e tatimit për këto të ardhura të bashkëshortes, të krijuara në kushtet e përshkruara më sipër, u vlerësua nga Kolegji si një vlerë e cila duhet të përfshihet në analizën ekonomike, pasi u konsiderua se nuk mund të penalizohet në mënyrë joproporcionale subjekti i rivlerësimit në kushtet e mësipërme, nëpërmjet mosnjohjes së saj, si një e ardhur e ligjshme”, arsyeton KPA.

Nisur nga fakti se është vërtetuar me dokumentacion bankar egzistenca e një pjese të vlerës të deklaruar se i është dhuruar bashkëshortes nga familjarët, Kolegji ka vendosur ta përfshijë atë në analizën financiare.

Mbështetur në këto konkluzione, Kolegji çmon se subjekti gjendet me bilanc pozitiv për vitet 1996-2003. Për vitin 2004 ka rezultuar një balancë negative në shumën 635, që në zbatim të parimeve të objektivitetit e proporcionalitetit; bazuar në faktin se rezulton si pasojë e mosnjohjes në mënyrë të plotë të shumës së dhënë hua prej kunatit; në faktin se deklarimet e Mustafajt janë gjetur të vërteta; si dhe për shkak se kjo ka gjenë e vetmja balancë negative, është çmuar pa pasoja. Në përfundim, shumica ka vendosur të rrëzojë vendimin e Komisionit dhe të konfirmojë në detyrë gjyqtarin Ardit Mustafaj.

Ndërsa Schutez e çmon të saktë analizën financiare të Komisionit dhe balancat negative të konstatuara.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *