Gjyqtari Arben Kostandini pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Gjyqtari Arben Kostandini përballet me balancë negative për pasurinë

Gjyqtari Arben Kostandini i Gjykatës së Tiranës u përball të enjten më 9 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për ndërtimin dhe burimet e një shtese në banesën e përfituar nëpërmjet privatizimit; për një apartament të blerë thuajse në gjysmën e çmimit si dhe për konstatimet në kriterin profesional. Kostandini e kundërshtoi barrën e provës dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Kostandini po kryhet nga trupa e e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Firdes Shulin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Arben Kostandini e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993. Ai punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Ai u praqit në seancë së bashku me përfaqësuesen e tij ligjore, avokaten Antoneta Sevdari.

Barrat e provës për pasurinë

Në deklaratën veting, subjekti ka pasqyruar një apartament me sipërfaqe 75.2 m2 në pallatin e njohur si “Shallvaret” në Tiranë, të privatizuar në vitin 1994 dhe një shtesë anësore me sipërfaqe 40 m2 në proces legalizimi. Relatori Olsi Komici shpjegoi se subjekti ka përfituar pjesët takuese të prindërve nëpërmjet trashëgimisë, ndërsa vëllai i ka dhuruar pjesën e tij.

Subjekti ka deklaruar se shtesa është ndërtuar në vitet 1996-1997 për shumën rreth 400 mijë lekë, ndërsa vetëklarimin pranë ALUIZNI-it për legalizimin e ndërtimit pa leje e ka dorëzuar në vitin 2006.

Komici pohoi se Kostandini nuk ka dorëzuar dokumentacion provues lidhur me kohën reale të ndërtimit të shtesës dhe për këtë arsye është kosideruar se ajo është ndërtuar në vitin 2006, kur dhe është dorëzuar formulari i vetëdeklarimit për legalizimin. Sipas përllogaritjeve të ndërtimeve në vitin 2006, është konstatuar se vlera duhet të ketë qenë në shumën rreth 1 milionë lekë.

Bazuar në këtë vlerësim është hartuar analiza financiare prej nga ka rezultuar balancë negative në shumën 931 mijë lekë.

Avokatja Sevdari deklaroi se ishte e provuar me anë të ortofotove se shtesa ishte ndërtuar krejtësisht përpara vitit 1999, kur është edhe viti i parë që disponohen ortofoto. Sipas saj, në këto foto dallohet qartë se shtesa ka qenë e përfunduar dhe me çati dhe se nuk ka pasur më asnjë ndryshim në vitet e mëvonshme.

Lidhur me mosdeklarimin e shtesës, ajo shpjegoi se ky investim ishte kryer përpara vitit 1999 dhe se nuk kishte çfarë të deklaronte. Për mospasqyrimin e vlerës së ndërtimit në deklaratën “veting”, Sevdari sqaroi se shtesa ishte informale dhe se subjekti nuk ka pasur dijeni për vlerën reale të investimit të kryer nga prindërit përpara vitit 1999.

Ajo shtoi se subjekti ka siguruar të dhëna për të ardhurat e përfituara nga i ati prej pensionit dhe se me provat e dorëzuara ka vërtetuar se prindërit kanë pasur mundësi financiare për ndërtimin e shtesës përpara ’99-ës, kundrejt vlerës së përllogaritur rreth 400 mijë lekë.

Në të njëjtën rrugë ku gjendet banesa e privatizuar, subjekti ka blerë në vitin 2016 një apartament me sipërfaqe 126 m2 për çmimin 9.5 milionë lekë. Si burime krijimi të kësaj pasurie ka deklaruar kursimet në masën 7 milionë lekë dhe kredi 2.5 milionë lekë.

Komici vërejti se çmimi i këtij apartamenti sipas referencave për vitin 2016 duhej të ishte në vlerën 17.5 milionë lekë. Sipas relatorit, duket se subjekti e ka përfituar këtë pasuri me çmim preferencial, gati sa gjysma e vlerës.

Po ashtu, është konstatuar se subjekti e ka përdorur këtë apartament për periudhën 2010-2016 pa kundërshpërblim, si dhe nuk e ka deklaruar gjatë këtyre viteve përdorimin apo si adresë banimi.

Nga analiza financiare e kryer për kursimet e pretenduara ka rezultuar balancë negative në shumën 3.4 milionë lekë për blerjen e kësaj pasurie.

Megjithëse nuk është konstatuar gjendje e konfliktit të interesit mes subjektit dhe shoqërisë ndërtuese apo ortakëve të saj, Komici u shpreh se bazuar në konstatimet e rezultuara gjatë hetimit administrativ, dyshohet se subjekti nuk e ka formalizuar blerjen e apartamentit në vitin 2010 për shkak të mungesës së burimeve financiare.

Për shkak të pamundësisë së konstatuar në vitin 2016 për investimin e kryer në blerjen e apartamentit, subjekti ka rezultuar me bilanc negativ edhe për krijimin e një gjendje cash në shumën 300 mijë lekë në atë vit.

Kostandini është gjetur në pamundësi financiare për blerjen e një automjeti tip Benz në vitin 2014 kundrejt çmimit 4000 euro. Si burim krijimi të kësaj pasurie, ai ka deklaruar të ardhurat në shumën 3000 euro nga shitja e një mjeti të mëparshëm dhe kursimet. Nisur nga fakti se makinën që subjekti zotëronte, e ka shitur pas blerjes së Benz-it, vlera e përfituar nuk është përfshirë në analizën financiare dhe për rrjedhojë ka rezultuar balancë negative në shumën 283 mijë lekë.

Komici konstatoi se ka rezultuar pamundësi e prindërve të subjektit për krijimin e një shume 700 mijë lekë të lëna në trashëgimi nga nëna, si dhe nuk janë vërtetuar me dokumentacion të ardhurat e bashkëshortes së ndjerë nga puna shtesë në klinika private.

Nga analiza financiare paraprake për periudhën 2003-2016, Kostandini është gjetur sipas relacionit me pamundësi financiare në vlerën totale 9.3 milionë lekë.

Avokatja Sevdari vërejti se subjekti ka shpjeguar se me administratorët e shoqërisë ndërtuese është shok fëmijërie. Duke iu referuar jurispudencës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Sevdari argumentoi se trajtimi preferencial që të quhet i tillë duhet të lidhet me konfliktin e interesit, që sipas saj në këtë rast nuk ëstë konstatuar. “Nuk ka trajtim preferencial,” këmbënguli Sevdari.

Lidhur me mosdeklarimin e përdorimit të kësaj banese gjatë periudhës 2010-2016, Sevdari argumentoi se një detyrim i tillë ka lindur pas hyrjes në fuqi të legjislacionit të vetingut të magjistratëve. Sipas saj, një rrethanë e tillë nuk ka qenë më parë objekt deklarimi.

Balancën negative, Sevdari e lidhi me mënyrën e përllogaritjes nga ana e Komisionit të kursimeve cash sipas deklarimeve të subjektit.

Sevdari shpjegoi se në vitin 2014, bashkëshortja e subjektit ka tërhequr nga llogaritë e saj shumën 2.6 milionë lekë dhe se subjekti nuk e ka deklauar pakësimin e këtyre llogarive dhe as shtesën e gjendjes cash, duke menduar se likujditetet po kalonin nga banka në shtëpi.

Bazuar në këtë logjikë, subjekti pretendon se prandaj ka deklaruar blerjen e automjetit dhe shpenzimet e udhëtimeve të bashkëshortes për shkak të gjendjes së saj shëndetësore me burim nga këto kursime. Sevdari këmbënguli se për këtë vit shtesa e cash duhet të përllogaritet të paktën në vlerën 1.2 milionë lekë.

Ajo shtoi se duhet kuptuar edhe gjendja emocionale e familjes për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së ndjerë të subjektit.

Sipas Sevdarit, në analizë duhet të ndikojnë edhe të ardhurat e tjera që nuk janë përfshirë. Ajo argumentoi se bazuar në analizën që ndërtimi i shtesës është kryer përpara vitit 1999, mundësia e kursimeve të prindërve të subjektit mund të ketë qenë në shumën 1.8 milionë lekë. Po aashtu, ajo kërkoi që të konsiderohen të ardhurat e bashkëshortes nga puna shtesë në poliklinikat private, duke argumentuar se detyrimet tatimore në këtë rast i takojë punëdhënësit dhe jo punëmarrësit.

Ajo shtoi se subjekti e ka pasur të vështirë të sigurojë dokumentacion për këto të ardhura, pasi bashkëshortja është ndarë nga jeta, por gjithësesi ai ka arritur të sigurojë vërtetime për punësimin e saj në disa klinika.

Sevdari theksoi se sipas analizës së tyre, në fund të vitit 2015 rezoltojnë me bilanc pozitiv në shumën 6.7 milionë lekë. Ajo pohoi se kishin arritur të vërtetonin të kundërtën e barrës së provës.

Gjyqtari Kostandini u pyet nga vëzhguesi ndërkombëtar, Francesco Ciardi, nëse kishte dijeni se një prej administratorëve të kompanisë së ndërtimit ishte i përfshirë në politikë dhe nëse kishte qenë anëtar i Kuvendit. Ciardi e pyeti nëse e vlerësonte si sjellje korrekte për një magjistrat që të përfitonte trajtim preferencial për blerjen e një apartamenti nga një politikan.

Subjekti pohoi se e dinte që një prej administratorëve të shoqërisë ndërtuese ishte i përfshirë në politikë, por ai u mbrojt se nuk e kishte menduar një gjë të tillë atëherë. Avokatja Sevdari shtoi se miqësia mes tyre niste nga fëmijëria.

Figura dhe profesionalizmi

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK dhe Komisioni kanë dhënë vlerësim pozitiv për gjyqtarin Kostandini lidhur me kriterin e pastërtisë së figurës.

Ndërkohë, janë konstatuar disa gjetje në kriterin profesional për të cilat u kërkuan shpjegime.

Në një prej tre dosjeve të dorëzuara nga vetë subjekti është evidentuar se në arsyetimin e vendimit referohen palë të tjera. “Duket se ka punuar me ‘copy paste’ duke cënuar arsyetimin e vendimit”, pohoi Komici.

Për pesë dosjet e përzgjedhura me short, Komisioni ka konstatuar se në tre raste në procesverbalet e seancave nuk është shënuar shkaku i moszhvillimit të seancës audio, si dhe nuk është pasqyruar ora e fillimit të seancës.

Në një rast është konstatuar se ka dorëzuar dosjen në sekretarinë gjyqësore katër ditë me vonesë nga afati maksimal 10 ditor; në një çështje nuk ka hequr dorë nga gjykimi i padisë, megjithëse kompetenca lëndore i takonte Gjykatës Administrative; si dhe në një rast nuk pasqyrohet se si i ka njoftuar palët për të marrë pjesë në seancën gjyqësore.

KPK ka verifikuar edhe 7 ankesa të kryera pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Dy ankesa kanë qenë për zvarritje për të cilat është tërhequr vëmendje. Por, sipas Komicit nuk është marrë asnjë masë disiplinore ndaj këtij subjekti rivlerësimi.

Komici relatoi edhe disa kallëzime penale të kryera ndaj subjektit, për të cilat është vendosur mosfillimi hetimeve.

Nga verifikimi i njërit prej kallëzimeve, KPK konstaton se duket se Kostadini ka shkelur Kodin e Procedurës Civile, pasi pa shkak ligjor, ka pezulluar gjykimin duke mos disponuar me vendim në lidhje me kërkesë e palës së paditur për përjashtimin e ekspertit.

Avokatja Sevdari vërejti se subjekti ka ushtruar funksionin e gjyqtarit për një kohë të gjatë dhe se ka pasur ngarkesë të madhe. Lidhur me mospërdorimin e regjistrimit audio, ajo fajësoi kushtet teknike që ofrojnë gjykatat.

Lidhur me konstatimin për mospasqyrimin e mënyrës së njoftimit të palëve, Sevdari vërejti se bëhej fjalë për një çështje për caktim të masës së sigurimit personal. Sipas saj, njoftimi i palëve bëhet me shkresë përcjellëse për të gjithë të ndaluarit, kurse prokurorët njoftoheshin nëpërmjet komunikimit telefonik.

Për çështjen e shqyrtuar që i përkiste gjykimit administrativ, ajo shpjegoi se dosja kishte kaluar për konflikt kompetence në Gjykatën e Lartë, e cila e kishte përcjellë në gjykatën civile.

Për dy çështje të tjera, Sevdari deklaroi se janë ende nën hetim dhe se nuk mund të jenë objekt i kontrollit në procesin e vetingut.

Në përfundim të seancës, gjyqtari Arben Kostandini kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet në datën 15 mars, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *