Gjyqtari Bevis Shehaj pas një seance në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Gjyqtari Bevis Shehaj jep shpjegime për denoncimet e reja në veting

Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, Bevis Shehaj u përball të hënën më 13 qershor me gjetjet e reja të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK në të tre kriteret e rivlerësimit, të konstatuara pas riçeljes së hetimit për shkak të denoncimeve të kryera pas seancës së parë dëgjimore.

Në seancën e zhvilluar më 10 mars, KPK ngriti pikëpyetje për vendime të gjyqtarit Shehaj të marra në cënim të procesit të rregullt ligjor apo në kushtet e konkfliktit të interesit, konstatime që u kundërshtuar nga subjekti. Po ashtu, Shehajt ju bënë pyetje mbi balanca negative në vlera të mëdha për pasuritë e krijuara prej prindërve, përpara se ai të emërohej si gjyqtar.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Bevis Shehaj po kryhet nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar është Tonci Petkovic.

Denoncimi për pasurinë e babait

Sipas një denoncimi të ri të mbërritur në KPK, babai i subjektit është pronar i një trualli me sipërfaqe 300 m2 dhe të një objekti të gjendur aty, me sipërfaqe 70 m2 në një fshat të Vlorës. Relatori Komici sqaroi se subjekti ka shpjeguar se pasuria është e trashëguar nga babai dhe familjarët e tij.

Gjyqtari Shehaj parashtroi fillimisht në seancën e të hënës qëndrimin e tij lidhur me mënyrën e relatimit të komisionerit Olsi Komici. Sipas tij, në relatim nuk janë marrë parasysh prapësimet e tij dhe e cilësoi si tendencioz e jo e drejtë. Ai pretendoi se në një seancë për një tjetër subjekt rivlerësimi, relatimi për denoncimet kishte qenë më i përmbledhur.

Në fund të seancës, relatori Komici deklaroi se nuk ka pasur asnjë lloj tendence karshi Shehajt dhe sqaroi se tashmë është praktikë e konsoliduar e KPK-së që paraqiten konstatimet dhe në vijim subjekti jep shpjegime. “Jo pa qëllim në fund të çdo pike thuhet se subjekti ka dhënë shpjegime që do të vlerësohen përpara marrjes së vendimit përfundimtar”, sqaroi Komici.

Në vijim Shehaj e cilësoi si tendencioze pyetjen e KPK-së për mosdeklarimin e truallit dhe objektit në pronësi të babait. Ai pretendoi se nuk ka pasur detyrimin për të deklaruar pasuritë e të atit apo të ndonjë personi tjetër. “Më duket e çuditshme se asnjëherë nuk më keni thënë të listoja pasuritë e prindërve. Nuk mund ti deklaroja se nuk i dija pasuritë e prindërve. Duhej të deklaroheshin nga ata. Por më ka lënë shije të keqe pyetja se përse nuk e kam deklaruar”, theksoi Shehaj.

Në vijim ai u ndal në gjetjet e mëparshme për pasurinë. Shehaj pretendoi se nuk ishin përllogaritur drejt të ardhurat e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA duke deklaruar se kishte siguruar nga puna atje 17 mijë USD dhe jo 5000 USD sa kishte përllogaritur Komisioni. Ai këmbënguli se përfshirja e gjithë të ardhurave në fituara nga puna në SHBA mbulonin një balancë negative të konstatuar për blerjen e një automjeti tip Ford Focus.

Po ashtu, Shehaj deklaroi se Komisioni kishte përllogaritur në mënyrë jo të drejtë të ardhurat e tij nga puna si pedagog duke pretenduar se në total janë 1.4 milionë lekë më shumë nga sa janë përcaktuar në analizën paraprake.

Shehaj pretendoi se KPK nuk zbaton të njëjtin standart për gjetjet. Sipas tij, për një apartament të dhuruar nga i ati, nuk është konsideruar vlera e deklaruar prej tij për blerjen e kësaj pasurie, por ajo e përcaktuar në kontratë. “Kurse për pagat u referoheni të dhënave të bankës dhe jo kontratës së punësimit”, deklaroi Shehaj dhe argumentoi se legjilsacioni që detyroi punëdhënësit për kryerjen e pagesave vetëm nëpërmjet bankës, kishte hyrë në fuqi në vitin 2016. “Kam marrë pagesa edhe dorazi. Ju lutem të aplikoni të njëjtin standart”, kërkoi Shehaj.

Ai e cilësoi të padrejtë balancën negative të konstatuar për krijimin e pasurive nga prindërit e tij para fillimit të detyrës, duke shpjeguar se janë përllogaritur disa herë të njëjtat vlera që janë marrë nga një bankë dhe depozituar në tjetrën. Shehaj kërkoi që në analizën financiare të Komisionit për familjen e origjinës të përfshiheshin edhe të ardhurat dhe shpenzimet e motrës së tij që jeton dhe punon në Gjermani, duke vërejtur se edhe ajo ishte pjesë e certifikatës familjare.

Denoncimi për kontakt të papërshtatshëm

Komici tha se Komisioni ka verifikuar një denoncim ndaj subjektit ku pretendohet për kontakt të papërshtatshëm të tij me xhaxhanë që hetohet për shpërndarje narkotikësh. Sipas tij, në denoncim është pretenduar për udhëtim në Romë të subjektit me kushërinjtë e tij dhe takim me xhaxhain.

Komisioni konstaton se lidhur me këtë denoncim ka paraqitur gjetje edhe vëzhguesi ndërkombëtar, nga është mësuar se çështj ka kaluar për shqyrtimin e provave. Sipas të dhënave të siguruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM, ndalimi është kryer pasi dyshohet se xhaxhai i subjektit u ka dhënë personave të tjerë 980 gramë cannabis sativa.

Relatori Komici pohoi se nga hetimi paraprak duket se në këtë rast subjekti ka pasur kontakte të papërshtatshme me një person të përfshirë në krimin e organizuar.

Gjyqtari Shehaj deklaroi në seancë se xhaxhai është ndaluar për veprën penale të mbajtjes së narkotikëve. “Ju thoni trafikim të narkotikëve. Duket tendencioze pyetja”, ripërsëriti Shehaj vlerësimin e tij për pyetjet që i ishin drejtuar nga Komisioni lidhur me denoncimet e kryera.

“Se ku doli xhaxhai i proceduar për trafikim, nuk e di pasi u kap në mes të Romës për mbajtje”, shpjegoi Shehaj dhe shpjegoi se kishte verifikuar edhe fjalorin e Gjuhës Shqipe, ku sipas tij trafikim konsiderohej kalimi i paligjshëm të sasive të drogërave nga një vend në tjetrin.

Subjekti shpjegoi se xhaxhain e kishte takuar në një banket familjar ku gjendeshin rreth 30 të afërm e familjarë. Ai pretendoi se nuk e dinte që do të vinte dhe xhaxhai dhe deklaroi se kishte mbajtur distancë. “Të konsiderohet si takim rastësor”, kërkoi Shehaj.

Në vijim Shehaj sqaroi se policia kishte kapur me lëndë narkotike dy persona, të cilët kishin pretenduar se i’ua kishte dhënë xhaxhai dhe një person tjetër. Sipas Shehajt, personi tjetër që ishte me xhaxhanë ishte shpallur i pafajshëm me vendim të formës së prerë, me arsyetimin se nuk e kishte kryer faktin. Subjekti pohoi se dhe avokati i xhaxhait kishte siguruar se do të merrej pafajësi.

“Vlerësoj se sinqeritti im në deklarim, tregon se jam i ndershëm. E kam deklaruar para jush se xhaxhai im është arrestuar në vitin 2019 dhe ju nuk me keni bërë pyetje”, vërejti Shehaj dhe kërkoi që analiza e kësaj situate të bëhej bazuar në rastet e lidhjeve të gjakut dhe lidhjeve të krushqisë. Ai kërkoi që xhaxhai të mos konsiderohet si kontakt i papërshtatshëm duke argumentuar se vepra penale për të cilën është ndaluar nuk përbën krim të organizuar.

Denoncimet për profesionalizmin

Shehaj u përball edhe me gjetje të reja të Komisionit lidhur me denoncime të kryera për çështje të gjykuara prej tij. Komici konstatoi një sërë çështjesh, ku subjekti ka vendosur gjoba ndaj palëve paditëse.

Në një rast, është konstatuar se pala paditëse është gjobitur dy herë nga Shehaj për padi të paplotë për shkak të mosplotësimit të adresës së saktë dhe padi ndaj një personi që kishte ndërruar jetë.

Komisioni vlerëson se vendimarrjet për gjobat janë të pargumentuara, pasi adresa ka rezultuar e plotë. Ndërkohë, KPK ka gjetur të paqartë mënyrën se si ka marrë dijeni subjekti se një prej shtatë të paditurve kishte ndërruar jetë dhe përse nuk mund të vazhdohej gjykimi për të tjerët. Po ashtu, përcaktimi në vendim që gjoba të ekzekutohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë është gjetur prej Komisionit në kundërshtim me ligjin.

Gjyqtari Shehaj deklaroi se kishte kryer njoftim me shkrim për plotësimin e të metave dhe nuk kishte pasur reagim. Ai shpjegoi se në rastet e bashkëndërgjyqësive, kur një prej të paditurve ka ndërruar jetë para kryerjes së padisë, atëherë padia kthehet për t’u plotësuar. Subjekti deklaroi se këtë fakt e kishte mësuar në seancë nga avokatja e një prej të paditurve.

Ai shtoi se pala paditëse kishte kryer padi të njëjtë edhe në gjykatën e rrethit dhe për këtë arsye kishte qenë i detyruar ta pushonte dhe të gjobiste paditësin për padi të përsëritur. Shehaj shpjegoi se në gjykimin e çështjeve administrative përcaktohet mënyra e ekzekutimit.

Në një rast tjetër është konstatuar konflikt interesi në një vendimarrje, për pezullimin e veprimeve përmbarimore, pasi përfaqësuesi i palës së paditur kishte qenë avokat i babait të Shehajt. Po ashtu, vendimarrja e subjektit është gjetur në kundërshtim me vendimarrjet e tij për raste të ngjashme.

Shehaj deklaroi se nuk e kishte rrëzuar padinë për ekzekutimin e veprimeve përmbarimore, por se e kishte pezulluar pasi pala e paditur kishte dokumentuar se nuk kishte pasur mundësi financiare për ekzekutim të menjëhershëm dhe mund të sillte dëme të pariparueshme ndaj saj.

Shehaj është denoncuar dhe nga një ish-shok shkolle, që sipas Komicit kishte qenë drejtor i ALUIZN-it Vlorë në kohën kur pretendohet se është kryer shkelja prej subjektit. Denoncuesi ka pretenduar se Shehaj duhej të ishte dhënë dorëheqje nga një çështje e tij, pasi kishte komunikuar me të atin e subjektit për legalizimin e një prone.

Ai ka vendosur në dispozicion të Komisionit edhe mesazhe telefonike që ka pretenduar se i ka shkëmbyer me Shehajn. Sipas Komicit, gjuha e përdorur në komunikimet telefonike duket jashtë etikës së magjistratit dhe se gjykimi i çështjes ishte kryer në kushtet e konfliktit të interesit, pasi njihej me denoncuesin. “Duket se ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia”, pohoi Komici dhe vërejti konstatime për sjellje të papërshtatshme dhe në çështje të tjera duke cënuar besimin e publikut.

“Thotë se ka legalizuar një pronë të babait dhe se i kam rrëzuar padinë. Këtu duket se nuk ka konlfikt interesi,” argumentoi Shehaj dhe shtoi se qëndrimi i tij provonte se ishte i pandikuar. Shehaj pretendoi se denoncuesi kishte marrë dy telefona dhe kishte shkruar çfarë kishte dashur vetë, e më pas i kishte sjellë si prova.

Sipas Komisionit, subjekti ka cënuar të drejtat e palëve nëpërmjet vendosjes së gjobave ndaj një punonjëseje të tatimeve, megjithëse vendimarrja e parë e tij për sanksionin ishte rrëzuar nga një trupë tjetër gjykuese. Shehaj shpjegoi se kishte vendosur gjobë ndaj juristes, pasi faji kishte rezultuar të ishte e personit në fjalë dhe jo e institucionit.

Në një çështje tjetër është konstatuar se ka vendosr gjobë ndaj një personi që nuk ka qenë palë dhe në një rast është konstatuar se ka zvarritur gjykimin e kërkesës për përjashtim të një gjyqtari.

Një denoncim ndaj Shehajt është kryer dhe nga ish-kancelarja e gjykatës, prej nga ka rezultuar se subjekti e ka përfshirë në disa raste si palë në proces dhe e ka urdhëruar të kryejë veprime.

Nga një çështje e verifikuar nga Komisioni ka rezultuar subjekti ka kërkuar përjashtimin nga çështja të një avokati dhe të sekretares, pasi kjo e fundit rezultonte të kishte marrëdhënie krushqie me palën paditëse. Po ashtu, subjekti i është drejtuar prokurorisë duke kërkuar që punonjësen e IT-së së gjykatës ta deklarojë si bashkëpunëtore të drejtësisë që të rrëfente veprimet e ish-kancelares dhe të një gjyqtari. Sipas Komicit, duket se këto veprime cënojnë besimin e publikut tek drejtësia.

Gjytqari Bevis Shehaj deklaroi në seancë se paditë e përsëritura kanë qenë në kundërshtim me ligjin. Sipas tij, kryheshin nga tre padi njëkohësisht me të njëjtin objekt, me qëllim që t’i bjerë edhe gjyqtarit që duan. “Palët e forta ekonomikisht blejnë shortin që të zgjedhin gjyqtarin dhe pala e paditur shkon si ‘cjapi tek kasapi’. Prandaj i aplikoj gjobat, për paditë e përsëritura”, deklaroi Shehaj dhe vërejti se për subjektet e tjerë të rivlerësimit nuk lexohen prej Komisionit të gjitha denoncimet.

Në përfundim Shehaj kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më 15 qershor, në orën 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *