Gjyqtarja Irena Gjoka (majtas) dhe avokatja Romina Zano në KPA | Foto: Edmodn Hoxhaj
KPA Lajme Veting

KPA lë në fuqi konfirmimin e Irena Gjokës

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të martën se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i cili kishte konfirmuar në detyrë gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme Irena Gjoka, duhej të mbetej në fuqi.

Trupa e përbërë nga Sokol Çomo, kryesues, Natasha Mulaj relatore, me anëtarë Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz dhe Albana Shtylla, bëri me dije se nuk i kishte gjetur të drejta shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik.

Kryesuesi i trupës Sokol Çomo tha se pas shqyrtimit të rastit KPA njësoj si KPK e gjeti Gjokën me nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë, nivel të besueshëm për figurën dhe nivel të mirë kualifikues. Çomo tha se vendimi i KPK u gjet “i mbështetur në vlerësim të drejtë të fakteve”.

Më herët edhe Komisionerja Publike Irena Nino u tërhoq nga ankimi i bërë nga ish-Komisioneri Publik Dariel Sina dhe gjithashtu i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të konfirmimit.

Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në shkurt të vitit 2020. Por vendimi për Gjokën u ankimua nga ish-Komisioneri Publik Dariel Sina, kryesisht për probleme në kriterin e pasurisë.

Irena Gjoka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993. Për më shumë se një dekadë, Gjoka ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Fierit, ndërkohë që në vitin 2014 është emëruar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Prej dhjetorit 2019, ajo është pjesë e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *