Gjyqtari i Apelit të Shkodrës Astrit Kalaja  pas seancës së shpalljes së vendimit. Foto:Vladimir Karaj/BIRN
Korrupsioni KP Lajme Vendi

Gjyqtari i Apelit të Shkodrës, Astrit Kalaja rikthehet sërish para vetingut

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi të enjten konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Astrit Kalaja dhe i kërkoi Kolegjit shkarkimin e tij me argumentin se ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për dy prej pasurive të tij.

Gjyqtari i Apelit të Shkodrës Astrit Kalaja pas seancës së shpalljes së vendimit. Foto:Vladimir Karaj/BIRN

Gjyqtari i Apelit të Shkodrës, Astrit Kalaja do të përballet sërish me vetingun, pasi Komisioneri Publik ankimoi të enjten vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ta konfirmuar atë në detyrë.

Përmes ankimit, komisioneri Florian Ballhysa i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të ndryshojë vendimin e KPK-së dhe të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Kalaja.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi gjyqtarin Kalaja më 20 dhjetor me votat e kryesuesit Olsi Komici dhe relatorit Lulzim Hamitaj. Ndërsa anëtarja e trupës, Brunilda Bekteshi votoi kundër konfirmimit të tij.

Në ankim, Komisioneri Publik argumenton se gjyqtari i Apelit të Shkodrës ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për një apartament me sipërfaqe 109,5 m2 si dhe për një sipërfaqe toke prej 379 m2 në Velipojë, brenda së cilës ndodhet edhe një ndërtim informal përdhes prej 60 m2.

Për blerjen e apartamentitnë vitin 2009, Kalaja deklaroi si burim një kredi bankare prej 3 milionë lekësh, e garantuar fillimisht me hipotekën e një apartamenti të mëparshëm. Garancia është zëvendësuar më pas me një depozitë prej 3.3 milionë lekësh të arkëtuar për llogari të gjyqtarit, por të padeklaruar prej tij.

Shumica në KPK e justifikoi mosdeklarimin e kësaj vlere duke e konsideruar atë si “veprim juridiko-bankar të veçantë”. Por Komisioneri Publik e konsideron atë një marrëdhënie huaje për shkak se kjo shumë ka kaluar në pronësinë e subjektit.

Duke iu referuar jurisprudencës së vendosur tashmë në Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisioneri argumenton se subjekti nuk e ka deklaruar marrëdhënien financiare me huadhënësin si dhe nuk e ka provuar mundësinë e këtij të fundit për të mbuluar me burime të ligjshme vlerën e 3.3 milionë lekëve.

Ai shton gjithashtu se Z.Kalaja nuk mbulon me burime të ligjshme shlyerjen e këstit të dytë dhe shlyerjen e parakohëshme të kredisë për blerjen e apartamentit.

Konstatime të ngjashme për pamundësi burimesh ngrihen në ankim edhe për blerjen e tokës në Velipojë në vitin 2013 në vlerën e 1.8 milionë lekëve. Gjyqtari Kalaja ka deklaruar se kjo pronë ka si burim gjendjen cash prej 2 milionë lekësh të tërhequr nga banka në vitin 2012, por Komisioneri thotë se subjekti nuk e ka deklaruar posedimin e gjendjes cash.

“…subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm, pasi nuk mbulon me burime të ligjshme blerjen e kësaj pasurie në vitin 2013 në vlerën e 1.8 milionë lekëve, përsa kohë në DV-2012, subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar posedimin në cash të shumës 2 milionë lekë,” thuhet në ankim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *