Gjyqtari i Apelit të Durrësit, Izet Dushaj pas vendimit të shkarkimit në KPK.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtari Izet Dushaj shkarkohet për problemet me pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi në unanimitet të rrëzojë kërkesën e gjytarit të Apelit të Durrësit, Izet Dushaj për riçeljen e hetimit për figurën dhe profesionalizmin dhe e shkarkoi atë për problemet me pasurinë.

Gjyqtari i Apelit të Durrësit, Izet Dushaj pas vendimit të shkarkimit në KPK.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të enjten vendimin e shkarkimit nga detyra të gjyqtarit të Apelit të Durrësit, Izet Dushaj. Gjatë seancës dëgjimore të martën më 21 shtator Dushaj u përball në KPK me barrë prove mbi kontratat për shit-blerjen e dy apartamenteve, si dhe u gjet me një bilanc negativ prej 11 milionë lekësh. Dushaj mohoi problemet dhe kërkoi hetim në dy kriteret e tjera të rivlerësimit, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Në seancën dëgjimore u ngritën dyshime edhe për gjendjen e subjektit në kushtet e konfliktit të interesit në përdorimin e një makine në pronësi të një personi të dënuar për vrasje. Nga sa u relatua, kishte rezultuar se Dushaj kishte gjykuar pesë vite para marrjes së makinës një kërkesë të pronarit të saj me objekt rivendosje në afat.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Dushaj u krye nga trupa e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtar Olsi Komicin.

Gjatë shpalljes së vendimit, kryesuesja Shuli sqaroi se nuk është pranuar kërkesa e Dushajt për riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjera, pasi provat dhe shpjegimet e tij nuk kanë qenë të mjaftueshme për të kundërshtuar barrën e provës për pasurinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *