Gjyqtarja e Apelit të Durrësit, Anita Mici pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Në Fokus

Gjyqtarja Anita Mici përballet me pyetje për lirimin e Lulzim Berishës

Gjyqtarja e Apelit të Durrësit, Anita Mici është hetuar për të tre kriteret nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por një raport papërshtatshmërie i DSIK dhe vendimi për lirimin e ish-kreut të Bandës së Durrësit mund të rrezikojnë karrierën e saj.

Gjyqtarja e Apelit të Durrësit, Anita Mici pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja Anita Mici e Gjykatës së Apelit të Shkodrës u përball të enjten me pikëpyetje për vendimin e lirimit të ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha si dhe një raport papërshtatshmërie të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar –ku ngrihen dyshime për favorizimin e një kushëriri të saj të dënuar për trafik të lëndëve narkotike.

Trupi gjykues që po kryen rivlerësimin e gjyqtares Anita Mici përbëhet nga Lulzim Hamitaj kryesues, Brunilda Bekteshi relatore dhe Olsi Komici anëtar.  Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Mici ka përfunduar për të tre kriteret, por seancën dëgjimore e dominuan gjetjet për pastërtinë e figurës.

Në seancë u identifikuan dy raste për të cilat Komisioni i ka kërkuar shjegime gjyqares Anita Mici lidhur me rrethanat lehtësuese ndaj të pandehurve. “Ajo ka pohuar se është bazuar në prova dhe në bindje të brendshme,” tha Bekteshi, duke iu referuar mbrojtjes së subjektit.

Komisioni i ka kërkuar shpjegime Micit për vendimin e lirimit me kusht të Lulzim Berishës dhe rekursin e kryer nga prokuroria mbi këtë vendim të Gjykatës së Apelit të Durrësit –ku ajo ishte pjesë e trupës gjykuese. Në shpjegimet për Komisionin, Mici e ka cilësuar vendimin e diskutueshëm si të bazuar në ligj, ndërsa ka pohuar se kërkesa e prokurorit për refuzimin e lirimit të Berishës nuk ishte marrë parasysh.

Bileta e parakohshme e lirimit nga burgu për ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u vulos më 5 dhjetor 2016 nga Gjykata e Apelit Durrës, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve që e përshkruajnë atë si “të dënuar shembullor” dhe një garanci për punësim të ofruar nga kryebashkiaku Vangjush Dako.

I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha ka qëndruar fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg nga dënimi i tij prej 25 vitesh.

Sipas relatores Bekteshi, Mici ka shpjeguar se analiza e kryer për riedukimin e tij bazohej në raportet e institucioneve përkatëse, sipas të cilave sjellja e Berishës  ishte “shumë e mirë”.

Gjyqtarja Anita Mici argumentoi edhe gjatë seancës dëgjimore se është e drejta e të dënuarit për t’u rehabilituar.

“Prokurori rekurson uljen e dënimit me 45 ditë, por ai vendim është i drejtë. Ulja e dënimit është sinteza e një viti sjellje të mirë. Qëllimi i dënimit nuk është ndëshkimi, por rehabilitimi. Ulja e dënimit tregon se i dënuari ka treguar nivel rehabilitimi. Prokurori e kupton keq ligjin procedurial,” tha Mici në seancë, duke iu referuar qëndrimit kundërshtues të prokurorit.

Relatorja Bekteshi vijoi më tej se Mici kishte mbajtur qëndrime të ndryshme për dy persona të akuzuar korrupsion, pasi njërin e ka dënuar dhe tjetrin jo. Sipas Bekteshit, subjekti ka deklaruar se vendimi i saj ishte i drejtë, pasi është lënë në fuqi edhe nga gjykatat më të larta.

Nga 25 denoncime nga publiku të adresuara kundër gjyqtares Anita Mici, Bekteshi tha se Komisioni ka vlerësuar t’i kërkojë shpjegime vetëm për 8 prej tyre.

Lidhur me denoncimet, Mici pretendoi se denoncuesit dhe ndonjëherë edhe prokurorët nuk kanë njohje të ligjit procedurial.

“Denoncuesit, ndonjëherë edhe prokurori, nuk kanë njohje të ligjit procedurial. Duhet të zbatojmë çdo ndryshim ligjor. Por ndryshimet e ligjit procedurial nuk janë kuptuar nga ankuesit,” tha gjyqtarja Anita Mici.

“Nuk është e thjeshtë t’ia dalësh në të gjitha kompentetët e detyrës së gjyqtarit. Jam përpjekur maksimalisht gjatë ushtrimit të detyrës,” shtoi ajo.

DSIK konstaton papërshtatshmërinë

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka ndryshuar raportin e parë për gjyqtaren Anita Mici, duke konstatuar papërshtatshmërinë e saj. Raporti i dytë u bazua mbi  informacionet se gjyqtarja Mici mund të kishte ndikuar në favorizimin e një prej djemve të tezes, të dënuar për trafik lëndësh narkotike.

Bekteshi tha se nga verifikimet e Komisionit rezulton se Mici nuk ka gjykuar asnjë prej çështjeve në ngarkim të kushërinjve të saj.

“Në shpjegimet e saj, subjekti ka deklaruar se e ka pasqyruar dënimin e dy kushërinjve. Ajo e ka quajtur të pakuptimtë ndryshimin e qëndrimit të DSIK. Subjekti pretendon se nuk ka asnjë provë të saktë nga ana e DSIK. Për vendimarrjet ka thënë se nuk ishte pjesë e trupit gjykues dhe se në një rast është dorëhequr,” pohoi Bekteshi.

Gjetjet për pasurinë

Relatorja Brunilda Bekteshi tha se gjyqtarja Mici ka deklaruar në vitin 2017 se jeton në shtëpinë në pronësi të vëllait në qytetin e Durrësit, pasuri që është vendosur si kolateral për marrjen e një kredie 45 mijë euro në vitin 2006 me qëllim blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Komisioni e ka konsideruar vëllanë si person të tjetër të lidhur dhe ka verifikuar burimin e kësaj pasurie. Sipas Bekteshit, janë konstatuar mospërputhje në deklarimin e burimit të kësaj pasurie. Mici ka pasqyruar fillimisht si burim krijimi të ardhurat e vëllait nga puna gjatë periudhës 2002-2005 në shumën 15 mijë euro dhe pjesa tjetër hua në vlerën 18 mijë euro nga motra. Ndërkohë që gjatë procesit të rivlerësimit, Mici ka shpjeguar se vëllai e ka kursyer vlerën 15 mijë euro nga të ardhurat në vlerën 20 mijë euro të përfituar nga puna si emigrant ekonomik në Itali.

Sipas Bekteshit, Mici ka shpjeguar se vëllai ka patur mundësi të kursejë vlerën 15 mijë euro pasi jetonte tek kushëriri i tij që ishte njëkohësisht punëdhënësi, i cili ishte kujdesur për shpenzimet jetësore. Lidhur me mospërputhjen ajo ka deklaruar para Komisionit, se pasi i vëllai u konsiderua si person tjetër i lidhur, atëherë saktësoi burimet dhe siguroi dokumentacionin ligjor.

Për blerjen e një automjti tip Audi në vitin 2016 për shumën 8000 euro, gjyqtarja Mici ka deklaruar si burim të ardhurat e bashkëshortit nga puna si avokat.

Komisioni ka konstatuar pamundësi për blerjen e kësaj makine, pasi ka rezultuar një balancë negative në shumën 407 mijë lekë.

Bekteshi tha se subjekti i rivlerësimit e ka kontestuar këtë gjetje të Komisionit, duke këmbëngulur se shpenzimet e familjes duhet të përllogariten për tre persona dhe jo për katër. Mici ka depozituar çertifikatat e shkollimit të djalit në shkolla jopublike duke pretenduar se shpenzimet e jetesës së tij përfshihen në pagesën e kryer për arsimimin. Gjithashtu, ajo ka deklaruar se djali jeton që në vegjëli me prindërit e saj në fshat dhe se shpenzimet e tjera të jetesës janë përballuar prej tyre.

Mici e konsideroi në seancë dëgjimore si një pasaktësi të saj mosdeklarimin më parë të vlerës së tërhequr nga banka në dhjetor të vitit 2015, duke pretenduar se kjo shumë si edhe një gjendje cash 300 mijë lekë, në total në shumën 600 mijë lekë, ishin përdorur për blerjen e auomjetit tip Audi në vitin 2016. Mici pohoi se nëse konsideroheshin shpjegimet e saj, atëherë balanca financiare rezultonte pozitive.

Për blerjen e një apartamenti në Tiranë në vitin 2006 për vlerën 75 mijë euro, Mici ka deklaruar si burim krijimi një kredi 45 mijë euro, 25 mijë euro ndihmë nga prindërit e bashkëshortit dhe 5 mijë euro kursime familjare. Komisioni i ka gjetur të rregullta deklarimet për kredinë dhe vlerën e dhënë nga babai i bashkëshortit, ndërkohë që evidentoi balancë negative në vlerën 170 mijë lekë për mundësinë e kursimeve të deklaruara të përdorua si burim për blerjen e këtij apartamenti.

Mici i kërkoi trupit gjykues që në analizën finanaciare të konsideronte dhe një ndihmë tjetër nga vjehrri në shumën 300 mijë lekë.

Në seancë dëgjimore u evidentua fakti se ky apartament nuk ishte marrë ende në dorëzim nga administratorja e firmës ndërtuese, pasi ajo ishte dënuar për mashtrim me 14 vjet burgim. Mici tha se ishte e pamundur prishja e kontratës dhe kthimi në gjendjen fillestare dhe kjo ishte arsyeja që ajo banonte në apartamentin e të vëllait.

Bekteshi tha se nuk janë identifikuar probleme për blerjen e një automjeti në vitin 2003 për vlerën 100 mijë lekë, një llogari rrjedhëse në Alpha Bank dhe për detyrimin e kredisë në vlerë 45 mijë euro të marrë në vitin 2006 për blerjen e apartamentit në Tiranë.

Nuk u identifikuan probleme edhe për blerjen e një trualli 72 m2 me 71 m2 ndërtesë në Vlorë nga bashkëshorti në vitin 1999 për shumën 1.9 milionë. Sipas KPK, është konstatuar se burim për blerjen e kësaj pasurie kanë qenë shitjet e 7 pasurive në vitet 1995 dhe 1998 nga babai i bashkëshortit.

Gjithashtu, Komisioni nuk ka gjetur probleme edhe në blerjen e dy parcelave tokë kullotë në  Vlorë me sipërfaqe 1000 m2 nga bashkëshorti në vitin 2015 kundrejt vlerës 400 mijë lekë, si burim krijimi i të cilave janë deklaruar të ardhurat e tij nga puna si avokat.

Bekteshi deklaroi se nga analiza financiare në vite ka rezultuar një balancë negative në vlerën totale rreth 900 mijë lekë. “Subjekti ka kërkuar zbritjen e zhdoganimit të mjetit dhe pagesën e qirave para fillimit të detyrës të paguara nga vjehrri, si edhe përllogaritjen e shpenzimeve të djalit tek prindërit e saj,” pohoi relatorja.

Gjyqtarja Mici kundërshtoi analizën financiare ndërsa këmbënguli se kishte pasur burime financiare.

“Shpenzimet jetike për familjen tonë duhet të përlloagriten për tre individë dhe jo për katër. Djali që në moshën një vjeçare jeton me prindërit në fshat,” pohoi Mici. Ajo u qëndroi të gjitha shpjegimeve të dhëna para Komisionit që u relatuan nga Bekteshi.

Në fund të seancës dëgjimore gjyqtarja Mici shprehu vlerësimin e saj për hetimin administrativ dhe tha se u qëndronte të gjitha shpjegimeve të dhëna më parë.

“Kam punuar me përkushtim, kurajo dhe ndershmëri. Kërkoj konfirmimin tim në detyrë,” tha ajo.

KPK do të shpallë vendimin më datë 22 korrik, ora 09:15.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *