Gjyqtarja Arbana Selmanaj e Gjykatës së Vlorës pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtarja Arbana Selmanaj jep shpjegime për një kompensim të fituar nga prindërit

Gjyqtarja e Vlorës, Arbana Selmanaj dha shpjegime për 900 mijë lekë të përfituara si kompensim për heqjen dorë nga pjesa takuese e apartamentit të familjes –ndërsa mori vlerësime pozitive për figurën dhe profesionalizmin.

Gjyqtarja Arbana Selmanaj e Gjykatës së Vlorës pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja Arbana Selmanaj e Gjykatës së Vlorës u përball të hënën më 13 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur po kryhet procesi i vetingut për të tre kriteret.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Selmanaj po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Firdes Shulin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Arbana Selmanaj i përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Durrësit, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Pukës. Prej vitit 2011, Selmanaj e ushtron funksionin pranë Gjykatës së Rrethit Vlorë.

Relatorja Suela Zhegu tha në seancë se subjekti kishte porositur në prill 2016 një apartament me sipërfaqe 95 m2 në vlerën 45 mijë euro në Dajt të Tiranës, kur ka nënshkruar kontratën paraprake dhe ka paguar këstin e parë prej 12 mijë eurosh.

Si burim krijimi për pagesën e këtij kësti, Selmanaj ka deklaruar kursimet nga paga si gjyqtare dhe kompensimin prej 900 mijë lekësh të përfituar nga heqja dorë e pjesës takuese në apartamentin e familjes, sipas një akti noterial të nënshkruar në nëntor 2016. Për shumën e marrë nga prindërit, subjekti ka deklaruar si burim kursimet e realizuara prej tyre në vite dhe të ardhurat e vëllait nga emigracioni.

Duke ju referuar shpjegimeve të Selmanajt, relatorja Zhegu sqaroi se apartamenti në Tiranë nuk ka kaluar ende në pronësi të subjektit, si dhe nuk rezulton që ajo të ketë banuar aty, pasi nuk është përfunduar plotësisht.

Në vitin 2017, Selmanaj ka deklaruar se ka marrë kredi në shumën 18 mijë euro të përdorur për blerjen e kësaj banese dhe se detyrimi i mbetur i pashlyer është 16 983 euro.

Relatorja evidentoi pamundësi për pagesën e kryer cash në shumën 12 mijë euro për këstin e parë. Zhegu tha gjithashtu se duket i pasaktë deklarimi i subjektit për përfitimin e shumës 900 mijë lekë për shkak të heqjes dorë nga bashkëpronësia e apartamentit në Lushnjë, pasi referuar aktit të pronësisë evidentohen se pronarë të ligjshëm janë vetëm prindërit. Në seancë u tha se subjekti nuk mund të kishte përfituar pjesë takuese, pasi nuk kishte qenë në moshë madhore në periudhën kur kishte hyrë në fuqi legjislacioni për privatizimin e banesave.

Gjithashtu, nga analiza financiare ka rezultuar se familjarët e subjektit nuk kanë dokumentuar mundësinë për dhënien e shumës 900 mijë lekë. Sipas Zhegut, subjekti kishte rezultuar me balancë negative prej 1.4 milionë lekësh për pagesën e këstit prej 12 mijë euro.

Gjyqtarja Selmanaj i kundërshtoi konstatimet e KPK-së. Ajo theksoi se ka pasqyruar pjesën e saj takuese në apartamentin e prindërve që në deklaratën para fillimit të detyrës në vitin 2006. “Nëse nuk do ta kisha deklaruar do të isha përpara faktit se përse nuk e kam deklaruar,” tha ajo.

Në vijim, Selmanaj u ndal në dhënien e shumës 900 mijë lekë nga prindërit.

“Prindërit kanë dashur të jenë të qartë se kujt duan t’ia lënë trashëgiminë për këtë pasuri. Kanë dashur të bëjnë një balancim,” tha ajo, ndërsa shtoi se ata kishin vendosur që shtëpinë t’ia linin vëllait të madh dhe për këtë arsye, e kishin kompesuar atë me shumën 900 mijë lekë, ndërsa vëllait të vogël i kishin mbuluar shpenzimet e dasmës.

Ajo solli në vëmendje se kontratën e vitit 1993 për privatizimin e apartamentit figuronte dhe emri i saj së bashku me prindërit. Sipas Selmanajt, kanë qenë punonjësit e ndërmarrjes që e kishin përcaktuar të ishte dhe ajo si bashkëpronare.

“Situata është ajo e deklaruar”, këmbënguli Selmanaj.

Vëzhguesi i ONM-së, Theo Jacobs evidentoi faktin se nuk rezultonte asnjë dokument i vetëm që të vërtetonte dhënien e shumës 900 mijë lekë nga prindërit.

“Prova e vetme është që jam fëmija i tyre dhe e kanë dhënë cash. Janë dhe deklaratat e prindërve,” u përgjigj gjyqtarja.

Në vijim, Jacbos u ndal në faktin se në vendimin gjyqësor për regjistrimin e kësaj pasurie nuk figuronte emri i subjektit, por vetëm i prindërve të saj. Ai shtoi se subjekti nuk figuron as në padinë e kryer prej prindërve për regjistrimin e banesës.

“Nëse nuk jeni në atë padi do të thotë që nuk keni të drejta reale mbi atë pronë”, konstatoi Jacobs dhe shtoi se këto fakte ngrinin dyshime se çështja ishte ngritur për të justifikuar vlerën 900 mijë lekë për dhënien dhe marrien e të cilës nuk kishte evidenca.

Selmanaj pohoi se kishte zgjedhur ajo vetë të mos ishte pjesë e procesit gjyqësor, pasi kishte hequr dorë nga pjesa takuese. Megjithatë, sipas saj, gjykata në këtë proces ka nxjerrë të drejtat dhe detyrimet që kishte. “Është fakt i pamohueshëm që prindërit më kanë dhënë vlerën 900 mijë lekë,” këmbënguli Selmanaj.

Gjyqtarja u pyet në seancë dhe për përdorimin pa shpërblim të një apartamenti në Vlorë në pronësi të shtetasit K.Gj., megjithëse nga hetimi ka rezultuar se ky i fundit e ka blerë këtë banesë disa vite përpara se subjekti të fillonte detyrën. Selmanaj shpjegoi se personi në fjalë kishte pasur miqësi me familjen e hallës, e cila kishte ndërruar jetë pak ditë më parë.

Ndërkohë, KPK nuk ka gjetur probleme për blerjen e një automjeti tip Benz në vitin 2016 kundrejt vlerës 200 mijë lekë dhe për një llogari bankare në shumën 385 mijë lekë të çelur në vitin 2011.

Figura dhe profesionalizmi

Drejtoria e Sigurimit së Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar një raport pozitiv për Selmanajn dhe e ka konsideruar atë të përshtatshme për vazhdimin e detyrës. Nga hetimi i KPK-së ka rezultuar se ndaj subjektit janë kryer pesë kallëzime penale për shpërdorim detyre, ku për katër është vendosur mosfillimi i procedimit penal, ndërsa në një rast pushimi i hetimit. Zhegu pohoi se nuk është povuar ndonjë kontakt i papërshtatshëm dhe se nuk janë gjetur indicie në cënim të figurës.

Ndaj gjyqtares Selmanaj janë depozituar katër denoncime nga publiku, ku për tre nuk janë gjetur indicie. KPK ka kërkuar shpjegime për njërin prej tyre.

Denoncuesi K.L. ka pretenduar se ka denoncuar ndërtimin e një objekti shumëkatësh në afërsi të xhamisë së Vlorës dhe se për këtë çështje janë arrestuar ndërtuesi dhe kryetari i Bashkisë Vlorë në vitin 2017, që megjithëse nuk u përmend emri në seancë, u kuptua se bëhej fjalë për ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika. Sipas denoncuesit, subjekti e ka liruar Gjikën.

Po ashtu, prej KPK-së është verifikuar dhe një çështje gjyqësore e bërë publike në media, për të cilën është kryer inspektim edhe nga ish-KLD, lidhur me lirimin e 7 personave të dyshuar për 15 ton hashash, të  cilët janë arrestuar gjatë muajit korrik të vitit 2017 në fshatin Drithas, Llakatund të Vlorës. Sipas Komisionit, nga inspektimi i kryer për këtë çështje nuk është konstatuar asnjë shkelje ligjore në vendimarrjen e subjektit.

Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtarja Selmanaj kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më 15 dhjetor, ora 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *