Gjyqtarja Tereza Merkaj | Foto : Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Vendi

Gjyqtarja Tereza Merkaj përballet me vetingun

Seanca dëgjimore për gjyqtaren e Tiranës, Tereza Merkaj u dominua nga pyetjet dhe shpjegimet për një hua të marrë nga një i panjohur në funksion të një kredie për një apartament, për të cilën ajo deklaroi se dërmjetëse kishte qenë vetë banka që e kishte huadhënësin klient. 

Gjyqtarja Tereza Merkaj | Foto : Edmond Hoxhaj

Gjyqtarja Tereza Merkaj e Gjykatës së Tiranës u përball të hënën më 13 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan gjetjet për të tre kriteret e rivlerësimit.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Merkaj po kryhet nga trupa e kryesuar nga Pamela Qirko me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonci Petkovic.

Tereza Merkaj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe kreu stazhin për një vit në Gjykatën e Durrësit. Në vitin 2004 u emërua në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe në 2013-ën u transferua në Gjykatën e Tiranës, në fushën e drejtësisë për të mitur.

Prej vitit 2019 ajo është komanduar si pedagoge e brendshme pranë Shkollës së Magjistraturës, me afat 5-vjeçar. Relatorja Bekteshi sqaroi në fillim të seancës se procesi i rivlerësimit për gjyqtaren Merkaj është kryer me përparësi për shkak të aplikimit të saj për një pozicion në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjyqtarja Tereza Merkaj mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe u pyet lidhur me transaksionet e një kredie që kishte shërbyer për blerjen e një apartamenti në vitin 2004 si dhe për disa çështje të denoncuara nga publiku.

Si burime krijimi për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 57.4 m2 në vitin 2004 në Tiranë kundrejt çmimit 5 milionë lekë, subjekti ka deklaruar një kredi në shumën 32 mijë euro me afat 15 vjeçar, kursimet e saj dhe të bashkëshortit, si dhe të familjarëve të tyre.

Megjithëse deklarimet e subjektit për këtë pasuri janë gjetur të sakta, në seancë u evidentua se kredia ishte disbursuar 20 ditë pasi ishte nënshkruar kontrata e shitblerjes.

Bekteshi deklaroi se subjekti ka shpjeguar se banka kishte kërkuar që të vendosej si kolateral banesa dhe për këtë arsye kishte ndërmjetësuar më një klientin e saj për dhënien e një huaje në shumën 4 milionë lekë që të blihej më parë apartamenti në emër të Merkajt. Gjatë hetimit si dhe në seancën dëgjimore Merkaj deklaroi se nuk kishte pasur njohje dhe as marrdhënie interesi me huadhënësin, i cili sipas saj ishte gjetur prej bankës. “Di që banka ka pasur interes në këtë transaksion pasi atëherë kredia është marrë me 9% interes”, theksoi Merkaj.

Në seancë u tha se në vitin 2004 janë nënshkruar dy kontrata noteriale me klientin e bankës A.B., që sipas relatores, së bashku me dokumentet bankare konfirmojne dhënien dhe kthimin e huasë 4 milionë lekë.

Komisioni ka thirrur si dëshmitar shtetasin A.B., i cili ka njoftuar se e kishte të pamundur për arsye të infektimit nga COVID-19 dhe për këtë arsye ka dorëzuar një deklaratë noteriale nëpërmjet të cilës ka sqaruar se nuk njihej me subjektin në momentin e dhënies së shumës 4 milionë lekë. Gjithashtu, ai ka deklaruar se atëherë i është sygjeruar nga miqtë e tij në bankë dhe jashtë saj për të dhënë huanë, me qëllim që të mundësohej procedura e kredisë për Merkajn. Lidhur me burimin e vlerës 4 milionë lekë, A.B. është shprehur se e ka trashëguar prej gjyshërvë të tij.

Komisioni ka pyetur bankën kredidhënëse për këtë lloj transaksioni, e cila ka sqaruar se praktika të tilla ndërmjetësimi kanë qenë dhe janë të zakonshme.

“Duket si një marrdhënie ndërmjetësimi nga banka”, pohoi relatorja Bekteshi.

Ndërkohë, nga analiza financiare është konstatuar balancë negative në shumën 365 mijë lekë për krijimin e kursimeve që janë deklaruar se kanë shërbyer për likujdimin e pjesës tjetër të çmimit të apartamentit.

Bekteshi sqaroi se balanca negative ka rezultuar pasi është konsideruar vetëm mundësia e kursimeve në vitin 2004, për shkak të mosdeklarimit të gjendjes cash në vitin 2003. Subjekti ka kërkuar gjatë hetimit administrativ që të ulen shpenzimet për dy udhëtime të bashkëshortit jashtë shtetit, pasi kanë qenë të mbuluara nga institucioni ku ai punonte.

Gjyqtarja Merkaj theksoi se të gjitha veprimet për huamarrjet ishin kryer me akte noteriale sipas legjislacionit të atëhershëm. “Veç faktit që veprimet janë kryer me akte noteriale, i kemi deklaruar edhe në kohë reale dhe i kemi shlyer detyrimet ndër vite. Përputhet hetimi me dokumentet e administruara, ashtu si e thotë edhe vetë Komisioni”, pohoi Merkaj.

Merkaj mbajti të njëjtin qëndrim dhe pas pyetjeve të Petkoviç për qartësimin e situatës së marrjes së huasë. Ajo këmbënguli se kontrata e kredisë ka qenë e imponuar nga banka. “Kanë qenë punonjës të bankës që e mundësuan huanë nga një klient tjetër. Shuma është dhënë cash dhe ka qenë e pasqyruar në deklaratën noteriale të kohës kur është kryer. Kontrata noteriale ka qenë garanci dhe siguri si për atë që jepte huanë, ashtu dhe për atë që e merrte”, argumentoi Merkaj dhe sqaroi se e kishte kthyer huanë nëpërmjet sistemit bankar në të njëjtën ditë që ishte rimbursuar kredia.

Lidhur me balancën negative, Merkaj kërkoi dhe gjatë seancës dëgjimore që të ulen shpenzimet e udhëitmeve të bashkëshortit. Ajo pretendoi se kishte depozituar dokumente që vërtetonin se bashkëshorti kishte qenë për trajnime për shkak të detyrës. Sipas saj, edhe shuma 80 mijë lekë që mbetej, mbulohej nga të ardhurat e familjes.

Merkaj ka rezultuar me mundësi financiare për blerjen e një apartamenti tjetër me sipërfaqe 88.8 m2 në Tiranë në vitin 2011 për vlerën 5.3 milionë lekë, ku si burime krijimi kanë shërbyer një hua në shumën 5 milionë lekë pa afat dhe interes 6% e marrë prej bashkëshortit nga një mik i tij dhe pjesën tjetër nga të ardhurat familjare.

Nga hetimi i KPK ka rezultuar se huadhënësi ka zotëruar ndër vite gjashtë shoqëri dhe se ka pasur mundësi për dhënien e shumës 5 milionë lekë në vitin 2011 bashkëshortit të subjektit, si dhe të një huaje tjetër në 2009-ën.

Po ashtu, Merkaj dhe bashkëshorti kanë rezultuar se kanë pasur mundësi për shlyerjen e huasë dhe të interesave në vitin 2012 me të ardhurat e siguruara nga shitja e një apartamenti të blerë në vitin 2009.

Si burime krijimi për apartamentin me sipërfaqe 51.25 m2 të blerë në 2009-ën për çmimin 3.9 milionë lekë, subjekti ka deklaruar një hua nga vëllai në shumën 1.3 milionë lekë dhe pjesën tjetër nga A.P., nga i cili është marrë dhe huaja tjetër në shumën 5 milionë lekë në vitin 2011. Nga hetimi ka rezultuar se të dy huadhënësit kanë pasur mundësi për dhënien e shumave që kanë shërbyer për krijimin e kësaj pasurie që është shitur në vitin 2012

Ka rezultuar se Merkaj ka pasur burime për blerjen e një garsonere me sipërfaqe 34 m2 në Durrës për shumën 1.1 milion lekë, pasuri që është shitur në 2009-ën kundrejt çmimit 2.4 milionë lekë dhe rezulton të jetë paguar detyrimet tatimore.

Bekteshi pohoi se sipas referencave së Entit Kombëtar të Banesave vlera e garsoneres ka qenë në shumën 2.7 milionë lekë.

Në fund të seancës dëgjimore Merkaj dha shpjegime lidhur me disa të ardhura të deklaruara si të përfituara nga dhënia me qira e një apartamenti. Për mospagesën në kohë të detyrimeve tatimore, ajo pretendoi se legjislacioni parashikon se duhet ti shlyente qiramarrësi, ashtu si ishte dakordësuar dhe në kontratë. Duke ju referuar legjislacionit të vetingut që përcakton se burimet e ligjshme janë vetëm ato të ardhura për të cilat janë paguar detyrimet tatimore, Merkaj tha se kishte bërë vetë pagesën e tatimeve sapo kishte mësuar se qiramarrësit nuk e kishin kryer.

Po ashtu, Merkaj dha shpjegime për disa çështje të denoncuara nga publiku, për të cilat argumentoi se vendimarrjet e saj ishin lënë më së shumti në fuqi nga apeli apo Gjykata e Lartë. Për një rast kur ishte ndryshuar vendimi, subjekti sqaroi se në gjykimin e kryer prej saj nuk ishin depozituar provat që ishin dërguar në apel.

Gjyqtarja Tereza Merkaj falënderoi Komisionin për objektivitetin dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 15 dhjetor, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *